Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Piter Fejth, thotë se Kosova ndodhet para sfidave të mëdha, megjithatë ai është i kënaqur me qëndrueshmërinë në vend pas shpalljes së pavarësisë.
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Piter Fejth, thotë se Kosova ndodhet para sfidave të mëdha, megjithatë ai është i kënaqur me qëndrueshmërinë në vend pas shpalljes së pavarësisë.
Ai në një intervistë për BBC-në gjatë qëndrimit në Londër tha se BE-ja është tani një aktor udhëheqës në Kosovë pasi ka marrë funksionet e sundimit të ligjit nga UNMIK-u.
Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë tha se është i zhgënjyer që bashkësia ndërkombëtare nuk është më shumë e pranishme në veri të vendit, në rajonet e dominuara nga serbët, dhe i inkurajoi serbët të integrohen dhe të bashkëpunojnë më shumë me komunitetin ndërkombëtar dhe autoritetet në Prishtinë.
Ai vuri në dukje se integrimi i serbëve është një nga sfidat më të mëdha për Kosovën.
"Gjendja në veri është e vështirë. Mendoj që keni të drejtë se është zhgënjyese që komuntetit ndërkombëtar nuk i është dhënë qasje në veri për të bërë punën e tij. Pra, zyra ime po punon në dhe për veriun. Kemi një zyrë në jug të lumit Ibër, EULEX-i ka shkuar në veri për të kryer misionin e tij, por një numër detyrash duhen filluar, si për shembull mbledhja e të ardhurave nga doganat në pikat kufitare, por më gjerë komisioni dhe komuniteti donator nuk kanë mundur të kenë qasje në rindërtimin si dhe të ndihmojnë qytetarët në veri aq sa do të kishin dashur", tha Fejth, duke shtuar se në veri ka dhunë dhe frikësime për çdo ditë, dhunë ndaj stafit ndërkombëtar të EULEX-it dhe KFOR-it, dhe siç thotë ai, kjo duhet të ndalet.
"Mendoj se në fillim janë zgjedhjet komunale që mund të mbahen në nëntor. I përket presidentit të vendosë. Ai ende nuk ka vendosur për datën kur do të mbahen zgjedhjet, por ai do të fillojë shumë shpejt të konsultohet me udhëheqësit politikë, tha Piter Fejth lidhur me pritjet e tij për zhvillimet kryesore që duhet të mbahen në Kosovë gjatë këtij viti.