Suzana Saliu është juriste, magjistër e shkencave juridike, me një përvojë profesionale të dëshmuar. E lindur dhe e rritur në Saraj, ku i kanë jetuar gjysh e stërgjysh edhe nga trungu i nënës edhe nga trungu i babait.
Zonja Suzana, ishte një befasi për opinionin e Sarajit dhe më gjerë, se si një personalitet siç jeni ju, që gjithë profesionalizmin e keni ngritur duke punuar në institucione të pavarura dhe jopolitike, të jetë lartë në listë për kandidate për deputete të BDI së, kush në të vërtetë është Suzana Saliu?
Suzana Saliu është juriste, magjistër e shkencave juridike, me një përvojë profesionale të dëshmuar. E lindur dhe e rritur në Saraj, ku i kanë jetuar gjysh e stërgjysh edhe nga trungu i nënës edhe nga trungu i babait. Me një fjalë Suzana Saliu është bijë e Sarajit dhe rrjedh prej gjirit të popullit të Sarajit. Kam një përvojë pune të suksesshme mbi njëzetvjeçare. Fillimisht kam punuar si gazetare, si zëvendëse e Avokatit të Popullit të RM së, kam qenë veprimtare e OJQ Transparency International Maqedoni që nga themelimi i saj dhe në fund kam punuar si prokurore publike në Prokurorinë e Lartë në Shkup. Me veprimtarinë time arrita të bëhem një emër i njohur në opinion. Por identiteti im më krenar dhe që do të mburrem përherë, është se unë jam bija e hoxhës, e imamit të Sarajit, tani i ndjerë, bija e Hafës Rufat Saliut, i cili besnikërisht dhe me plot vizion mbi 50 vjet ka qenë në shërbim dhe funksion të popullatës së Sarajit. Jam vajza e parë e kësaj ane që jam shkolluar, dhe, ja, tani jam edhe kandidatja e parë për deputete. Pra, Suzana Saliu është një person me integritet të lartë familjar, moral, njerëzor, intelektual dhe profesional, pikërisht siç duhet të jetë shëmbëlltyra e një përfaqësuesi të popullit.
Po, është e vertetë se opinioni ju mban mend shpeshherë kritikuese të zëshme të disa dukurive në shoqëri, si një person krejtësisht të pavarur dhe jopolitik, ju mban mend sidomos si nje luftare e denje per te drejtat e njeriut, atehere cka ju motivoi të merreni me politikë?
Ndikuan shumë gjera, por vendimtare ishin projektet e mëdha të BDI së, si parti masive politike për përparimin e të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë dhe kuptohet vetëbesimi në punën time, në vlerat dhe virtytet e mija, se me përvojën e fituar të deritanishme edhe në politikë do të mund ta jap kontributin tim. Derisa sa punoja ne zyrën e Avokatit të Popullit, fillimisht në vitet 1997/98 u ballafaqova me një valë serioze të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe qytetarit shqiptar, të bëra nga policia, përkatësisht nga ana e MPB, me një diskriminim të shumëfishtë të tyre. Problemi që kishin shqiptarët, sidomos me shtetësinë dhe me dokumentet e tjera të identifikimit më shqetësonin pa masë dhe mu bënë preokupim profesional. Me qasjen time argumentuese dhe konstruktive arrita që këto probleme të shqiptarëve ti aktualizoj jo vetëm në qarqet më të larta shtetërore, por edhe në qarqet më të larta ndërkombëtare. Parashihja se këto shkelje mund të ndërpriten vetëm nëse ndodh një ndryshim i madh në shoqërinë tonë. Kjo përvojë bëri që ngjarjet e vitit 2001 ti cilësoj zëshëm si një luftë të arsyeshme për të drejtat e njeriut shqiptar, si një luftë për barazi dhe drejtësi, parime këto që përherë e kanë udhëhequr pinën time. Dhe është fakt se pas Marrëveshjes së Ohrit, përkatësisht pas ardhjes në pushtet të BDI, pasuan ndryshime të mëdha pikërisht në këto fusha. Më lejoni të bëj një paralelizëm, në vitin 2001 në RM kishte rreth 10 mijë policë, ku mezi kishte 150 shqiptarë e të tjerë. Ndërsa në vitin 2010, numri i shqiptarëve në polici arrin rreth tre mijë. Sot, pothuajse nuk ka asnjë punkt policor që nuk ka polic shqiptar dhe këtë fakt askush nuk mund ta mohojë dhe kontestojë. Menjëherë pas ardhjes së BDI në pushtet ndryshoi edhe Ligji për shtetësi, me të cilin dukshëm u lehtësuan kushtet për marrjen e këtij dokumenti të rëndësishëm, me të cilin ballafaqoheshin shqiptarët. Filloi përfaqësimi masiv i shqiptarëve në organet e administratës shtetërore. Populli jonë me të drejtë thotë, më trego sa njerëz ke në organet shtetërore, që të të tregoj se sa të drejta ke si popull. Kjo bëri që unë të gjej diçka shumë të rëndësishme dhe të përbashkët në projektet e mëdha të BDI së. Orientimi im edhe më tej do të mbeten liritë dhe të drejtat e njeriut, pa marrë parasysh se cilës njësi elektorale i takojnë, por tani e përkrahur dhe e fuqizuar nga një forcë e madhe politike, siç është BDI - ja. Pastaj, BDI dëshmoi se është parti serioze edhe me faktin se hapi dyert për kuadro të reja e me integritet të lartë dhe arsyeshëm besoj se gërshetimi i përvojës së kuadrove të vjetra dhe kuadrove të reja në BDI bindshëm do të arrijë të bëhet faktor i rëndësishëm në çdo vendimmarrje të rëndësishme për shqiptarët.
Po, çka ju ofron zonja Suzana Saliu vendësve të komunës së Sarajit që të votojnë për të?
Popullata e Sarajit është një popullatë autoktone dhe e urtë, e ndershme dhe punëtore. Ekzistencën dhe mbijetesën e vet në të kaluarën përherë e ka siguruar me djersën e ballit, nga toka e saj, pa ndihmën dhe përkrahjen e askujt, pa ndihmën e shoqërisë dhe të shtetit, pa kredi, pa shfrytëzuar banesa dhe tokë shtetërore. Si bijë e Sarajit, askush nuk mund ti kuptojë më mirë se unë hallet, problemet dhe nevojat e këtyre qytetarëve. Çka mund ti premtohet një popullate të këtillë përveç përzemërsisë dhe sinqeritetit tim se do të jem një përfaqësuese e denjë e tyre, se nuk do ti zhgënjej, se nuk do ti tradhtoj, sepse po të ndodhte kështu do të shkelja mbi veten integritetin tim dhe të bashkëvendësve të mi. Ju premtoj se te Suzana Saliu përherë do ta kenë derën të hapur për ti qarë hallet dhe problemet që i preokupojnë, se nuk ka problem që nuk mund të zgjidhet, tua shpjegoj se Marrëveshja e Ohrit, përkatësisht ndryshimet kushtetuese që pasuan, Republikën e Maqedonisë e definojnë si e mirë e të gjithë qytetarëve të saj. Ju premtoj se begatitë e shtetit në mënyrë të barabartë do ti shijojnë edhe ata.
Me një shoqëri të vogël multietnike, multikulturore dhe multifetare, siç është Maqedonia, ku ka ende paragjykime dhe mosbesim të ndërsjellë, ku të gjithë njihen mes veti, ku ka familjarizëm e sentimentalizëm e vetmja formulë e mirëqenies së qytetarëve është sundimi i shtetit juridik, sundimi i të drejtës, të udhëhequra nga parimi i barazisë dhe drejtësisë.
Intervistoi:
Rexhep ADEMI, FAKTI