Një nga prioritetet kryesore edhe më tej mbetet implementimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, zhvillimi ekonomik i vendit dhe procesi i integrimit, vlerëson Abdylaqim Ademi.
Në Maqedoni ka filluar zyrtarisht fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 qershorit. Partitë politike në konventat dhe mitingjet e para kanë shpalosur platformat e tyre zgjedhore. Vendet e reja të punës, prosperiteti ekonomik dhe integrimi i vendit në NATO dhe BE janë premtime të përgjithshme të subjekteve politike.
Në 20 ditët e ardhshme partitë politike pjesëmarrëse në procesin zgjedhor, në mitingje dhe tubime me qytetarë, do të shpalosin platformat e tyre zgjedhore. Bashkohu ia vlen,Ta kthejmë krenarinë, Ne jemi popull, Bashkë drejt qëllimit, janë disa nga slloganet me të cilat garojnë partitë politike. Në platformat e tyre zgjedhore dominojnë premtime për hapjen e vendeve të reja të punës, mëkëmbjen ekonomike, anëtarasimin e vendit në strukturat euroatlantike si dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Bashkimi Demokratik për Integrim në platformën e saj, theks të veçantë i ka kushtuar Marrëveshtjes së Ohrit si një bazament për ndërtimin e shoqërisë multietnike dhe që garanton statusin e avancuar juridik të shqiptarëve në Maqedoni. Një nga prioritetet kryesore edhe më tej mbetet implementimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, zhvillimi ekonomik i vendit dhe procesi i integrimit, vlerëson Abdylaqim Ademi.
VMRO-DPMNE në platformën e saj ka inkorporuar 1200 projekte, realizimi i të cilave është parakusht për mirëqënien e qytetarëve. Ulja e tatimeve, zvogëlimi i vlerës së shtuar në shumë prodhime bujqësore dhe industriale dhe hapja e vendeve të reja të punës janë ide të reja në politikën ekonomike të VMRO-DPMNE-së , thotë Nikolla Gruevski.
Partia Demokratike Shqiptare do t`i ofrojë elektoratit një marrëveshtje të re politike midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Me rëndësi është që fillimisht të zgjidhen dy çështje shumë të rëndësishme- procesi i vendimmarjes dhe ndarja proporcionale e buxhetit. Në këtë mënyrë do të sigurohen kushtet e tjera për vazhdimin e negociatave, shprehet Agon Ferati nga PDSH.
Bashkimi Demokratik Kombëtar për barazinë e shqiptarëve në Maqedoni në platformën e tij ofron federalizim. Ky koncept, ky obsion vlerësojmë se është shumë i rëndësishëm për shqiptarët, dhe të gjithë duhet ta kuptojmë se zgjidhje tjetër nuk ka për shqiptarët, thotë Hysni Shaqiri.
Koalicioni opozitar maqedonas i udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate ofron në këto zgjedhje ndryshime serioze në fushë sociale, të shëndetësisë dhe në veçanti në ekonomi. Investimeve nga jashtë do të jenë prioritet i kësaj partie. Përfundimisht e majta dhe e djathta duhet të pastrojnë me të kaluarën, për lëshimet që janë bërë në privatizim apo në reformat e gabuara. Qytetarët janë të etur për ide dhe koncepte të reja, ka thënë Branko Cërvenkovski.
Rilindja Demokratike Kombëtare e udhëhequr nga Rufi Osmani në këto zgjedhje do të fokusohet në rëndësinë e realizimit të shtetformësisë shqiptare në Maqedoni si dhe avancimin e makropolitikave ekonomike. Alokimi i pjesës adekuate të buxhetit si investime kapitale në komunat shqiptare, fuqizimi përmbajtësor i decentralizimit fiskal, pjesëmarja cilësore e shqiptarëve në administratën publike dhe zgjidhja e çështjes së emrit, thotë Ermir Ramadani. Të gjitha partitë politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet e 5 qershorit kanë nënshkruar kodeksin e mirësjelljes gjatë fushatës parazgjedhore.
Autor:
Fatos Musliu, DW