Hoxhaj thotë se negociatat e zhvilluara në Vjenë dhe të ndërmjetësuara nga kryenegociatori ndërkombëtar Martti Ahtisaari, e kanë bërë të qartë që çështja e statusit dhe shtetësisë janë kapituj të mbyllur.
Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, gjatë një konference në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Nju Jork, ka thënë se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë janë në interes të të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre. Duke iu referuar vizitës së javës së kaluar në Prishtinë të kreut të delegacionit serb në këto bisedime, Borko Stefanoviq, Hoxhaj ka thënë se vizita të tilla zyrtare kontribuojnë në zhvillimin e marrëdhënieve të mira me shtetet fqinjë.
Ne mendojmë që dialogu mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është një dialog mes dy shteteve sovrane dhe të pavarura dhe është një dialog i filluar pas miratimit të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit në shtator të vitit të kaluar. Një rezolutë e tillë i referohet mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila vendosi vitin e kaluar se shpallja e pavarësisë së Kosovës është vendim i ligjshëm dhe jo në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, prandaj edhe korniza e dialogut zhvillohet në këtë frymë. Ne mendojmë që është në interes të të dy vendeve që çështja e lëvizjes së lirë të qytetarëve, çështja e bashkëpunimit rajonal, bashkëpunimit ekonomik dhe mundësisë së afrimit të dy vendeve për një perspektivë evropiane është e natyrës jetike, ka thënë Hoxhaj për Zërin e Amerikës.
Kohët e fundit, ndarja e mundshme territoriale është një ide që është qarkulluar nga kreu i delegacionit të Serbisë për bisedimet Prishtinë-Beograd, Borko Stefanoviq, dhe së fundi është përsëritur nga zëvendëskryeministri serb dhe Ministri i Brendshëm, Ivica Daqiç. Hoxhaj thotë se negociatat e zhvilluara në Vjenë dhe të ndërmjetësuara nga kryenegociatori ndërkombëtar Martti Ahtisaari, e kanë bërë të qartë që çështja e statusit dhe shtetësisë janë kapituj të mbyllur.
I pyetur për punën që po bën qeveria e Kosovës për vendosjen e sundimit të ligjit në veriun e Kosovës, shpërbërjen e strukturave paralele dhe integrimin e pakicës serbe në atë zonë, Hoxhaj tha se Qeveria, gjatë tre viteve të fundit, ka bërë përpjekje që ta integrojë këtë pjesë të Kosovës brenda strukturave shtetërore të Republikës.
Unë mendoj se atje gjendja ka filluar të përmirësohet, megjithëse na pret punë shumë e madhe për tu bërë dhe ndër hapat e parë është hapja sa më e shpejtë e gjykatës në veri të Mitrovicës, duhen shpërbërë strukturat paralele dhe duhen bërë investime që zhvillimi ekonomik, politik dhe social të ecin paralelisht, ka thënë ministri Hoxhaj. /zëri/