Rektori i USHT-së, Prof. dr. Agron Reka e përgëzoi stafin drejtues dhe studentët për organizimin e këtij aktiviteti profesional dhe njëkohësisht i uroi juristët e ardhshëm të arrijnë karrierë të bujshme në fushën e drejtësisë.
Fakulteti Juridik i Universitetit Shtetëror të Tetovës organizoi seancën e improvizuar gjyqësore me objekt kontesti Shkurorëzimi i martesës.
Seancën e lartpërmendur e realizuan studentët: Flaka Pollozhani, kryetare, Fatir Ameti dhe Erneza Ajruli, gjyqtarë porotë.
Rektori i USHT-së, Prof. dr. Agron Reka e përgëzoi stafin drejtues dhe studentët për organizimin e këtij aktiviteti profesional dhe njëkohësisht i uroi juristët e ardhshëm të arrijnë karrierë të bujshme në fushën e drejtësisë.
Sundimi i drejtësisë do të thotë ekzistimi i rregullave ligjore. Vetëm ekzistimi i thjeshtë i atyre rregullave është asgjë, nëse ato rregulla ligjore nuk zbatohen në mënyrë të drejtë nga gjykatat dhe institucionet tjera të sistemit. Roli i gjykatave të pavarura dhe të paanshme është element themelor në funksionimin dhe sundimin e ligjit në kuadër të sistemit juridik të një shteti.
Standardet e gjykimit të drejtë garantojnë sjellje të vendimeve meritore dhe të drejta, tha rektori Prof. dr. Agron Reka dhe shtoi se ndërtimi i institucioneve të pavarura dhe profesionale të drejtësisë, përveç tjerash, për vendin tonë paraqitet edhe si parakusht në rrugën e integrimit evropian, për zhvillimin e demokracisë së qëndrueshme dhe respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe qytetarit.
Seanca gjyqësore e improvizuar në lëndën E drejta e procedurës civile u realizua nën udhëheqjen e ligjëruesit të lëndës në fjalë Mr. sc. Agim Nuhiu.
"Organizimi i këtij aktiviteti është pjesë e mësimeve praktike dhe kjo është gjenerata e katërt që e sjell para nesh seancën e improvizuar, deklaroi Nuhiu dhe e vlerësoi lartë punën dhe angazhimin e studentëve që kishin pozitën e kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarëve porotë, paditësit, të paditurit, dëshmitarit dhe ekspertit.