E premte, 28.11.2014
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Me 8,9 përqind u rrit ekonomia turke sipas institutit të statistikës TurkStat vitin e kaluar. Në Evropë turqit në këtë mënyrë kanë qenë kryesues midis shteteve të G-20-ës. Vetëm Kina arriti të shënojë kuota më të larta rritjeje.
Ekonomia turke, bum ekonomik






Në një kohë kur BE ndodhet i përfshirë nga një krizë borxhesh, ekonomia turke është e përfshirë nga bumi ekonomik. Kjo rritje ekonomike tërheq edhe firma gjermane. A kemi të bëjmë me një mrekulli ekonomike turke?

Si gjigantë në mantel prej xhami ngrihen gratacielat në qiell mbi Maslak-un dhe Leventin, lagjet e financave të metropolit 15 milionësh, Stamboll. Tabela të mëdha me reklama përpara kantiereve të ndërtimit të tregojnë: këtu po ngrihen qendra të reja firmash, zyra, banka.

Me 8,9 përqind u rrit ekonomia turke sipas institutit të statistikës TurkStat vitin e kaluar. Në Evropë turqit në këtë mënyrë kanë qenë kryesues midis shteteve të G-20-ës. Vetëm Kina arriti të shënojë kuota më të larta rritjeje.

Nxitja e konsumit të brendshëm i dha krahë rritjes ekonomike

Vende në ekspansion ekonomik, si Turqia rriten ekonomikisht çdo vit shumë më tepër se vendet e industrializuara. Por është e habitshme se sa shpejt u rimëkëmb ekonomia turke nga recesioni i vitit 2009, shprehet Zümrüt Imamoglu nga Instituti i Kërkimeve Ekonomike Betam, në Universitetin e Stambollit Bahcesehir:

„Qeveria u ka dhënë konsumatorëve lehtësi në tatime për shumë mallra konsumi, veçanërisht për automjete dhe aparatura elektronike si frigoriferë, soba ose kompjutera. Gjatë këtyre muajve konsumi u rrit dhe kjo e ndihmoi ekonominë.“

Që në vitin 2001 Turqisë iu desh të kapërcente krizën vetjake ekonomike. Qeveria e re nën Tayyip Erdoganin dhe Partinë e tij Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e riorganizoi pas kësaj nga themeli ekonominë, pakësoi borxhet shtetërore, e drejtoi ekonominë më shumë drejt eksportit.

„Pikërisht ky modernizim, kjo rritje e aftësisë për konkurencë e ekonomisë turke në degë të cilat nuk janë më vetëm tekstile dhe veshje dhe fruta ekzotike si më parë, por edhe industri automobilistike, kimi, ndërtim makinash, hekur dhe çelik- pra një sferë shumë e gjerë – kjo sigurisht krijoi një bazë, mbi të cilën mund të mbështeteshe pas rënies ekonomike të viteve 2008/2009,“

- thotë Markus Knupp, përfaqësues për Turqinë në Germany Trade and Invest (GTAI), në shoqërinë shtetërore për nxitjen e tregtisë me jashtë. Por rritja ekonomike nxitet edhe nga popullata e re dhe e gatshme për konsum, thotë Knupp.

Popullsi e re dhe e gatshme për konsum

Rreth 75 milionë vetë jetojnë në Turqi, gjysma e tyre janë më të rinj se 30 vjeç. Dhe ata kanë më shumë para në xhepa: të ardhurat për frymë sot sipas statistikave janë katër herë më të larta se tetë vjet më parë.

Një treg i fortë i brendshëm dhe stabiliteti politik tërheqin më tepër kapital të huaj në Bosfor. Eksperti i investimeve Marcus Knupp, shpjegon:

„Po të hedhësh vështrimin përreth këtu, do të të zërë syri gjithnjë e më shumë marka produktesh që i njohim në Gjermani, por edhe këshilltarë, zyra avokatësh etj. Dhe pastaj vazhdon një grup i madh sipërmarrjesh të vogla e të mesme, të cilat guxojnë të hedhin hapin në Turqi.“

Rreth 4300 sipërmarrje gjermane qenë regjistruar në fund të vitit 2010 tek zyra turke e thesarit, tendenca është në rritje.

Interes në rritje i investuesve të huaj

„Kostot e pagave në Turqi janë natyrisht më të ulëta se sa në Gjermani, por ky vend nuk hyn më në zonat ekonomike të lira, sepse ndërkohë është zhvilluar në atë masë, sa këtu mund të realizosh edhe produkte me kërkesa më të larta."

Një shembull është prodhuesi gjerman i kamionëve dhe autobusëve MAN. Në kryeqytetin turk Ankara, kjo sipërmarrje gjermane ndërton autobusë udhëtimi për brenda dhe jashtë vendit dhe i eksporton ato që atje në më shumë se 40 vende.

Edhe sipërmarrjet turke e kanë zbuluar interesin e tyre në Gjermani. Kështu, në vitin 2007, koncerni i përzier Koc, bleu prodhuesin gjerman të televizorëve Grundig.

Por ka edhe zëra paralajmërues. Disa vëzhgues druhen se si pasojë e rritjes shumë të shpejtë ekonomike çmimet dhe shkalla e inflacionit do të dalin jashtë kontrollit. Edhe krizat në vendet fqinje luajnë rolin e tyre. (DW)

Publikuar: 25.05.2011 | 13:36
Lexuar: 1558 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime