Ky panair organizohet për herë të dytë në USHT, në të cilin morën pjesë kompani dhe institucione të ndryshme, të cilat para studentëve dhe të diplomuarve prezantuan ofertën e tyre për punësim, prodhimet dhe aktivitetet e tyre.
Qendra për çështje studentore dhe karrierë e USHT-së, organizoi Panairin e Karrierës 2011. Ky panair organizohet për herë të dytë në USHT, në të cilin morën pjesë kompani dhe institucione të ndryshme, të cilat para studentëve dhe të diplomuarve prezantuan ofertën e tyre për punësim, prodhimet dhe aktivitetet e tyre.
Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Agron Reka, në fjalën e tij, para pjesëmarrësve theksoi se Universiteti ynë përpos bashkëpunimit të frytshëm me universitetet nga vendi, rajoni dhe bota, e ka shtrirë bashkëpunimin edhe me sektorin privat. Më saktësisht, muaj më parë ne kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me rreth tridhjetë kompani prestigjioze nga rajoni i Pollogut.
Po ashtu, Rektori i USHT-së foli edhe për rëndësinë e këtij aktiviteti, para përfaqësuesve të kompanive të ndryshme tha se: ,,Panairi i Karrierës 2011, për kompanitë tuaja ofron mundësi të jashtëzakonshme, që në radhët tuaja ti rekrutoni studentët më të suksesshëm për punë praktike, punë me orar të përgjysmuar, apo profesionistë të diplomuar për punë me orar të plotë.
Në hapjen e Panairit të Karrierës 2011, në USHT, morri pjesë edhe ministri i Ekonomisë i Republikës së Maqedonisë, zotëri Fatmir Besimi. Ministri Besimi, me këtë rast theksoi se: ,,Panaire të tilla organizohen në vendet më të zhvilluara të botës dhe aktivitete të kësaj natyre paraqesin raste të mira për kompanitë e ndryshme të cilat kanë mundësi të vendosin kontakte të drejtpërdrejta me studentët e të gjitha fakulteteve dhe për angazhimin e tyre në ndërmarrjet që ata i udhëheqin.

Universiteti Shtetëror i Tetovës, me realizimin e disa projekteve paraprake, si promovimin e titujve shkencorë të përkthyer në gjuhën shqipe, por edhe me realizimin e Panairit të Karrierës gjithnjë e më shumë po dëshmon për cilësinë e punës shkencore që po bëhet në këtë institucion të arsimit të lartë në gjuhën shqipe, tha Fatmir Besimi, dhe shtoi se vetëm me kuadro cilësorë dhe të përgatitur mund të realizohen projekte të mëdha, siç është edhe zona e lirë ekonomike. Përgjegjësi i Zyrës për çështje studentore dhe karrierë, të USHT-së, zotëri Daut Memeti, theksoi se në Panairin e Karrierës 2011 marrin pjesë më shumë kompani dhe institucione nga vendi, si dhe studentë të USHT-së.
,,Qëllimi kryesor i panairit është lidhja e drejtpërdrejtë e kompanive dhe studentëve, në drejtim të zvogëlimit të zbrazëtirës që ekziston në mes aftësive të ofruara nga ana e fuqisë së re punëtore dhe kërkesave të kompanive, theksoi Daut Memeti.
Përndryshe gjatë tërë kohës së mbajtjes së panairit u organizuan disa aktivitete përcjellëse, si konferenca, debate të hapura, forume debati, gara për CV më të mirë, për intervistë më të mirë, etj.