Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Ballkanin, potencoi sot presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov gjatë fjalimit në konferencën e 13-të ndërkombëtare: Ballkani në Evropë dhe bota në shekullin 21, në organizim të Klubit politik ballkanik.
Ivanov përkujtoi se para 10 viteve, Ballkani doli nga një traumë, me ç'rast ndjente pesimizëm dhe padrejtësi të madhe, por për vetëm 10 vite një pjesë më e madhe e vendeve të Ballkanit janë anëtare të NATO-s, anëtare të BE-së dhe kandidate për anëtarësim në Union, njoftoi raportuesi i MIA-s.
"Ideja evropiane ishte ajo që vullnetarisht kontribuoi që t'i ndryshojmë sistemet tona, të vendosim kritere evropiane, parime dhe vlera", theksoi shefi i shtetit të Maqedonisë.
"NATO na mundësoi të vendosim standarde të cilët do të na sjellin paqen në Ballkan. Kështu që, edhe pse sot sërish ekziston dozë e pesimizmit për ardhmërinë e atyre që mbetëm jashtë NATO-s dhe BE-së, duhet të kthehemi pas, të shohim se çka ndodhi gjatë këtyre 10 viteve, që të shohin se në 10 vitet e ardhshme me të vërtetë na pret një proces i cili është i pandalshëm. Ky është proces, asnjëherë nuk përfundon. Unë bëjë pjesë tek ata që nuk janë as pesimistë, e as optimistë. Unë jam realist. E sheh gjendjen siç është", theksoi Ivanov.
Ai shtoi se tani ka edhe sfida të tjera. Vetë Unioni është me sfida të brendshme të cilat janë pasojë e krizës ekonomike, e cila zbuloi prezencën e mekanizmave për ballafaqim me probleme të këtilla për shkak se më parë nuk ka pasur. Ivanov theksoi edhe se vetë Unioni po ballafaqohet me prezencën e modelit për integrim të emigrantëve të cilët gjtinjë e më shumë janë të pranishëm në vendet evropiane.
"Evropa në njëfarë mënyre është e befasuar nga ngjarjet në Afrikën Veriore dhe përkeqësimin e gjendjeve në Lindjen e Afërt. Kjo tregon se ndonjëherë duhet të mendojmë jashtë shfaqjeve tona të zakonshme dhe duhet të mësojmë nga përvojat të cilat i kemi pasur në të kaluarën dhe të cilat i kemi harruar", tha presidenti i Maqedonisë.
Ai nënvizoi se çdoherë e promovon idenë se Ballkani din edhe më ndryshe të sillet, ndërsa "këtë na e mëson e kaluara".
"Dhe çdoherë theksoj fakte historike të cilat i kemi harruar. Në gjithë historinë e shkruar të njerëzimit e cila është 3.000 vite, para se gjithash ajo janë mitet dhe legjendat. Në këto 3.000 vite në planetë 2.700 vite kanë qenë luftë dhe konflikte. Bota vetëm 300 vite ka jetuar në paqe. Dhe tani vjen ai paradoksi i madh: periudhat më të mëdha të paqes kanë qenë në Ballkan dhe Lindjen e Afërt. Ato janë pax Romana dhe pax Ottomana. Nga kjo mund të mësojmë se pason pax Europana. Sepse vetë ideja evropiane është projekt paqesor dhe ne nga Ballkani duhet çdoherë t'i paralajmërojmë ata që janë në Bruksel se neve, Ballkanit, na duhet kjo ide fillestare e Evropës-Evropa si projekt paqesor. Sepse kur ka paqe atëherë të gjitha gjendjet tejet ndryshojnë", tha Ivanov.
Sipas tij, Ballkanit i duhet infrastrukturë e re që të lidhen njerëzit dhe ekonomitë. Ballkanit i duhet siguri e re energjetike dhe siguri kolektive, sepse kërcënimet sot janë globale dhe nuk mundemi vetë të ballafaqohemi me atë që është terrorizëm ndërkombëtar. Ai shtoi se nuk mundemi vetë të ballafaqohemi as me rreziqet globale të cilat ekzistojnë në nivel planetar siç janë ndryshimet klimatike sepse tërmetet dhe përmbytjet nuk janë të kufizuara me kufij shtetëror.
"Bashkimin Evropian duhet sërish ta vendosim në lëvizje për Ballkanin. Një miku ynë në mënyrë metaforike thotë se Evropa është si zog, duhet të fluturojë. Por zogu nuk mund të fluturojë nëse njërin krah e ka të thyer. Bashkimi Evropian si projekt do të rrumbullakësohet kur do të bëhet Evropë. Tani Bashkimi Evropian nuk është Evropë e plotë. I mungon një pjesë", tha Ivanov duke shtuar se për këtë arsye duhet ta vendosim atë që kërkohet nga ne, me qëllim që sistemet juridike, ekonomike dhe sociale të jenë kompatibile, që të ndikojmë tek ata të cilët do të vinë pas nesh.
"Duhet çdoherë të mendojmë për ata që vinë pas nesh. Sepse ajo që është arritur në 10 vitet e fundit me të vërtetë është sukses dhe nuk guxojmë ta shohim në mënyrë shumë kritike. Presim që 10 vitet e ardhshme të jenë të suksesshme, të jetojmë në paqe sepse paqeja është gjëja më e shtrenjtë në jetën e njeriut", konkludoi presidenti Ivanov në fjalimin e sotëm në konferencën ndërkombëtare për Ballkanin, që mbahet në Sofje./mia/