Përveç pjesëmarrjes në Samit, ajo ka zhvilluar takime të shumta me homologë të vendeve pjesëmarrëse, ndërsa gjatë një darke të përbashkët ajo është takuar edhe me Presidentin amerikan Barack Obama.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u kthye sot në Prishtinë nga vizita në Poloni, ku mori pjesë në Samitin e liderëve të Evropës Qendrore.
Përveç pjesëmarrjes në Samit, ajo ka zhvilluar takime të shumta me homologë të vendeve pjesëmarrëse, ndërsa gjatë një darke të përbashkët ajo është takuar edhe me Presidentin amerikan Barack Obama.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pjesëmarrjen e saj në samitin e liderëve të Evropës Qendrore në Varshavë e ka cilësuar shumë të rëndësishme, pasi për herë të parë vendi ynë ka qenë i pranishëm në një ngjarje të nivelit të lartë. Ajo ka përjashtuar mundësinë që çështja e statusit ose ndarja e Kosovës të jenë tema të dialogut me Serbinë.
Ajo këto komente i bëri të dielën në një konferencë për media në Aeroportin Ndërkombëtar Adem Jashari, pas kthimit nga Varshava, ku mori pjesë në samitin e liderëve të Evropës Qendrore dhe Juglindore. Gjatë këtij samiti, presidentja Jahjaga pati takime të shumta me burrështetas nga bota, duke përfshirë edhe presidentin e SHBA-ve, Barack Obama.
Unë sot u ktheva nga një udhëtim jashtëzakonisht i mirë dhe jashtëzakonisht i suksesshëm dhe kthehem me disa porosi dhe disa mesazhe për institucionet e Kosovës dhe për qytetarët e Kosovës dhe se pjesëmarrja ime për herë të parë e Kosovës në një samit të tillë në nivel të njëjtë me të gjithë presidentët e Evropës Qendrore dhe Juglindore është një e arritur shumë e madhe e Kosovës dhe institucioneve të Kosovës, veçanërisht e qytetarëve të Kosovës, ka thënë presidentja Jahjaga, siç transmeton Kosovapress.
Duke folur rreth dialogut Kosovë-Serbi, që po zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së, presidentja Jahjaga ka mohuar mundësinë e hapjes së temave për ndarjen e Kosovës ose çështjen e statusit, raporton Express.
Çështja e dialogut me Republikën e Serbisë dhe Republikës së Kosovës sigurisht hap njërën nga temat që është diskutuar në tryezat e rrumbullakëta dhe qëndrimi ynë ka qenë si qëndrimet që gjithnjë kam pasur, se ky është një dialog teknik që diskuton çështje teknike, që lehtësojnë jetën e qytetarëve si të Republikës së Kosovës, po ashtu edhe të Republikës së Serbisë dhe çdo çështje tjetër që hapet sa i përket riorganizimit të brendshëm apo çështjes së statusit këto janë çështje që e kanë vijën e kuqe. Unë disa herë e kam përmend çështjen e vijës së kuqe dhe këto nuk do të jenë temë e diskutimeve fare, ka thënë Jahjaga.