Boshkoski është dërguar në stacionin policor Gazi Babë. Siç njoftuan disa medie, shkaku për arrestimin është financimi ilegal i fushatës zgjedhore.
Lideri i partisë Të bashkuar për Maqedoninë, Lube Boshkoski sot është arrestuar rreth orës 14:30 në restorantin Vodenica në qendër të Shkupit, me dyshim për vepër të kryer penale financim ilegal të fushatës zgjedhore dhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit si person përgjegjës në partinë e tij.
Gjatë arrestimit, Boshkovski nuk ka dhënë rezistencë, pas çka është dërguar në stacionin policor Gazi Babë.
Gjatë bastisjes së kryer, informoi zëdhënësi i MPB-së Ivo Kotevski, te Boshkovski janë gjetur 100.000 euro, para të cilat i janë dorëzuar në qese prej letre dhe për të cilat ekziston dyshim se duhej t'i shërbejnë për pagesën e borxheve nga fushata, respektivisht për financim joligjor të fushatës.
"Në bazë të urdhërit gjyqësor, gjatë periudhës së kaluar disa herë janë zbatuar masa hetuese pikërisht për shkak të dyshimit se e keqpërdor pozitën zyrtare dhe në mënyrë joligjore e financon fushatën. Përveç kësaj, MPB-ja deri tani ka dokumentuar edhe dy raste të tjera, të cilat i dyshimti në po ashtu mënyrë joligjore ka marrë para 20 dhe 10 mijë euro, të cilat janë përdorur në fushatë", deklaroi Kotevski, duke shtuar se Boshkovski në tre rastet paratë i ka marrë nga personi i njëjtë. Në interes të hetimit, siç tha, nuk do të zbulohet personi, prej të cilit janë marrë paratë.
Sipas Kotevskit, bëhet fjalë për dy vepra të rënda penale, për të cilat ligji parashikon dënim minimal me burg prej tre, respektivisht pesë vjet.
"Krahas parave gjatë bastisjes së kryer, në automjetin e tij 'lançia' është gjetur edhe një pistoletë dhe leje, e cila me siguri nuk është për këtë pistoletë, ashtu që do të veprohet edhe lidhur me veprën eventuale penale posedim i palejuar dhe tregtim me armë. Do të kryhen edhe bastisje shtesë dhe do të informohet Drejtoria për të ardhura publike për kontrollime plotëeuse lidhur me financimin e tërësishëm të fushatës së tij politike", paralajmëroi zëdhënësi i MPB-së.
Pas përfundimit të bisedës zyrtare në stacionin policor Gazi Babë dhe dokumentimit të tërësishëm të veprave penale, kundër Boshkovskit do të parashtrohet padi adekuate penale dhe ai do të nxjerret para gjykatësit hetues.