Për vetëm tri ditë janë shitur më se 250 kopje të këtij libri, i cili është njëri nga 16 titujt e rinj me të cilët Botimet KOHA është prezantuar në Panairin e Librit.
- "E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme" është libri më i shitur në edicionin e sivjetmë të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Prishtinë. Rrëfimi i shkrirë në libër - i cili tregon jetën e Bekim Fehmiut prej kujtimit të parë në Sarajevë (ku kishte lindur më 1 qershor të vitit 1936), e deri në audicionin për t'u pranuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, nga ku do të niste rrugën drejt famës - ka zgjuar kureshtjen e madhe te vizitorët, që kanë frekuentuar Panairin që nga dita e tretë e këtij muaji.
Për vetëm tri ditë janë shitur më se 250 kopje të këtij libri, i cili është njëri nga 16 titujt e rinj me të cilët Botimet KOHA është prezantuar në Panairin e Librit.
Besian Zeneli, një nga organizatorët e Panairit të 13-të Ndërkombëtar të Librit në Prishtinë, ka thënë se "E shkëlqyeshme..." ska konkurrencë.
"Ndër kryetitujt që janë spikatur ka qenë libri i Bekim Fehmiut, i cili është pritur jashtëzakonisht shumë mirë. Pa pikë dyshimi është libri më i shitur, sepse e kam parë vetë që çdo i dyti ka dalë nga panairi me këtë libër", ka thënë Zeneli.. Por jo vetëm kaq. Romani autobiografik i sjellë për herë të parë në shqip, pas botimit të tij në serbisht më 2004, ka zgjuar debat.
Por kërkesat për librin e aktorit me nam i cili u vetëvra më 15 qershor të vitit të kaluar - kanë vërshuar para se ai të dilte në treg.
"Libri është kërkuar disa ditë para Panairit, kur ka dalë lajmi. Ka qenë një lajm që i ka gëzuar shumë lexuesit, sepse dihet kush është Bekim Fehmiu dhe vdekja e tij e riaktualizoi edhe një herë më shumë emrin e tij", ka shtuar Zeneli. Pikërisht vdekja e tij, në nëntor të vitit të kaluar, në Panairin e 55-të të Librit në Serbi e rikthei këtë libër në listën e më të shiturve. Atje u ribotua gjashtë vjet pas botimit të parë.
Në librin "E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme" të Bekim Fehmiut - siç shkruan në parathënie Bardh Rugova, redaktori i botimit në shqip - ka thjeshtësi. Ai është rrëfim "që të bën ta përjetosh dhembjen e goditjes dhe dhimbjen e emocionit".
"Një përfytyrim i rrugëve ku fëmijët lozin apo një pamje e një personi në berberhane", shkruan Rugova në parathënie.