Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Viktor Gumi garantoi të enjten përfaqësues të Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë se do të ndërhyjë për të zgjidhur të gjitha kërkesat e drejta që ata do të paraqesin.
Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Viktor Gumi garantoi të enjten përfaqësues të Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë se do të ndërhyjë për të zgjidhur të gjitha kërkesat e drejta që ata do të paraqesin.
"Dera e Ministrit të Punës do të jetë e hapur për zgjidhjen e të gjitha kërkesave tuaja. Ky proces duhet të kalojë nëpërmjet rrugës së bisedimeve, dialogut dhe besimit reciprok", tha ministri Gumi në takimin që pati sot me një përfaqësi të Shoqatës së të Verbërve, të kryesuar nga kryetari i saj, Sinan Tafaj, pas paralajmërimit të tyre për një grevë kombëtare.
Ministri Gumi, pasi dëgjoi kërkesat e prezantuara nga z. Tafaj, të fokusuara në identifikimin dhe dënimin e personave, që sipas tij, ushtruan dhunë ndaj të verbërve që tubuan sot para selisë së Këshillit të Ministrave dhe rezervimin e një takimi me Kryeministrin e vendit, Sali Berisha, garantoi se ato do t'u përcilleshin institucioneve përkatëse. Ai shprehu bindjen se nëse do të konstatoheshin shkelje ligjore nga ana e punonjësve të shtetit, ata do të viheshin përpara përgjegjësisë dhe ndaj tyre do të merreshin masa administrative.
Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka sqaruar përfaqësuesit e Shoqatës, se vendimi i vitit 2008 ka ndryshuar mënyrën e llogaritjes së pagesës së paaftësisë nuk është i saktë, pasi ky ndryshim është bërë që në vitin 2002, me VKM 301 dhe lidhej me strategjinë e pagave të miratuar nga Qeveria, që parashikonte shkëputjen e të gjitha përfitimeve që lidheshin me pagën dhe rritjen e saj, lidhur vetëm me produktivitetin e punës.
Me qëllim që mos të cenoheshin të drejtat e përfituara, masa e pageses së verbërisë u përcaktua 6.000 lekë në muaj, që përkonte saktësisht me rritjen e pagës minimale për atë vit. Sot të verbërit përfitojnë 8 700 lekë në muaj dhe kanë filluar procedurat në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave për t'a çuar në masën 9.800 lekë.
"Pretendimi i Shoqatës se është shkelur neni 5, i Ligjit 8098, datë 28.03.1996, nuk qëndron pasi ky ligj përcakton se të verbërit marrin një pagesë shtesë për shkak të verbërisë në masën e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave", deklaroi Ministria e Punës sipas të cilës ligji nuk e lidh pagesën me pagën minimale, por e lë në kompetencë të Këshillit të Ministrave përcaktimin e nivelit të saj.
Kjo referencë ligjore është përfshirë dhe zbatuar në VKM nr.301, datë 27.06.2002 dhe, më pas, në VKM nr.870 date 18.06.2008, ku përcaktohet masa e pagesës për shkak të verbërisë.
Përsa i përket kërkesave të tjera, si ato për strehimin dhe përjashtimin nga taksat, ministria e Punës ka kontaktuar me Institucionet përkatëse, si me ministrinë e Punëve Publike, Trasportit dhe Telekomunikacionit dhe të Financave.
Këto dy ministri sqarojnë se në prioritete e Ligjit 9232, datë 13.05.2004 për strehimin, është përfshirë edhe kjo kategori. Në njërin prej programeve sociale të strehimit, atë të banesave me qira, është parashikuar që për kategorinë e të verbërve të zbatohet një bonus qiraje më i lartë, deri në 75%, kundrejt 50% që aplikohet për familjet që nuk kanë mundësi të përballojnë qiranë sociale, duke i njohur, njëkohësisht edhe dhënien e një dhome plus me sip. 12.5-14 m2 mbi sipërfaqen normative të banimit.
Lidhur me financimet në fushën e strehimit, në vitet 2008-2009 buxheti i shtetit ka parashikuar vetëm mbulimin e financimeve për realizimin e projektit të ndërtimit të banesave sociale me qira, të cilat zbatohen në mbështetje të Ligjit 9232, datë 13.05.2004 i ndryshuar, i cili administrohet nga Bashkitë.
Sipas procedurave të reja ligjore, planifikimi i fondeve nuk bëhet sipas kategorive specifike, por sipas projekteve. Kategoritë prioritare përcaktohen nga Bashkitë respektive, sipas sistemit të pikëzimit që miratohet me vendim të Këshillave Bashkiakë.
Legjislacioni tatimor në fuqi e ka përjashtuar kategorinë e të verbërve nga disa taksa kombëtare direkte. Më konkretisht, ligji nr. 9975 datë 28.7.2008, neni 9, sanksionon përjashtimin e personave të verbër nga taksa e qarkullimit rrugor dhe nga taksa e mjedisit, për komponentin e taksës së importimit të mjeteve të përdorura