Intervistoi:
Gentian Minga
Babeta sjell sërish një tjetër hit, Nuk janë më zemrat dhe mund të them se kjo është kënga më e mirë që ke realizuar deri sot...
Në fakt këtë gjë mendoj edhe unë. Në përgjithësi më pëlqejnë të gjitha këngët që kam publikuar, por kjo më ngjall një ndjesi të veçantë. Mendoj se është kënga më e bukur që kam publikuar deri tani.
Si lindi ideja për këtë këngë?
Nuk është se kjo këngë ka ndonjë histori të vërtetë brenda. Thjesht Liri bëri si gjithmonë muzikën, e cila këtë herë ishte shumë e ndjerë. Ndërkohë që Armand Trebicka goditi me tekstin që realizoi, duke bërë që ai të përshtatej më së miri me muzikën. Dhe në total kënga doli shumë e bukur, ashtu siç unë e parashikoja.
Dhe përveç muzikës dhe tekstit, do të shtoja se një plus është edhe zëri yt, i cili i përshtatet më së miri baladave.
Shumë njerëz ma kanë thënë këtë (buzëqesh). Megjithatë edhe vetë e kam ditur që këngët melankolike më shkojnë shumë, pasi edhe zëri im është më i përshtatshëm për këngë të tilla. Mendoj se në këtë rrymë e gjej tamam veten.
Po tregu çfarë këngësh kërkon më shumë?
Tregu i kërkon të gjitha. Mendoj se ai do të dijë ta thithë këtë këngë, pasi mendoj se nuk është një baladë e pakuptueshme apo e vështirë për tu kapur. Mjafton ta dëgjosh dy herë si këngë dhe menjëherë të bën për vete. E them këtë pasi kam arritur ta testoj edhe në publik.
Dhe cili ka qenë rezultati i këtij testimi?
Shumë pozitiv. Akoma pa e nxjerrë këngën në treg unë e kam testuar në shumë kategori dhe mosha të ndryshme këtë këngë dhe ka rezultuar që është pëlqyer shumë nga të gjithë.
Je ndër këngëtaret që kanë realizuar më shumë videoklipe. Më thua dot një numër ekzakt të tyre?
(Mendohet) E kam humbur numrin (qesh). Por këto dy-tre vitet e fundit janë bërë rreth 6 klipe.
Po që nga fillimi fare?
Oboboo, ato nuk u numëroj dot (qesh). Megjithatë këto të fundit janë klipe vërtet cilësore dhe të realizuara mirë, për të parët ka vend për kritikë. Por ashtu ishte koha dhe të tilla ishin standardet atëherë. Klipet e para, të cilat nuk mund ti quaj videoklipe të mirëfillta, janë realizuar në Zvicër, ku kam qenë së bashku me Ilirin dhe aty kam realizuar nga një klip për të gjitha këngët e 2 albumeve të para. Në atë kohë Shqipëria ishte ende mbrapa, e mbushur me pluhur dhe pisllëk dhe pastërtia e gjelbërimi i Zvicrës dukej vërtet bukur nëpër klipe.
Dhe nga gjithë këto klipe cili është ai që ke më për zemër?
Mua më pëlqejnë të gjithë, pasi secili ka të veçantën e vet. Megjithatë le ta lëmë që Kili, kili është më i veçanti nga të gjithë të tjerët.
Zakonisht kur realizon klipet e bën me kënaqësi, apo e shikon si një angari të cilën duhet ta bësh për hir të një çështjeje të rëndësishme, siç është suksesi i këngës?
Normal që klipet i realizoj me dëshirë, pasi për sa kohë e kam me pasion këtë që bëj dhe e dua shumë këngën, edhe klipin e shikoj si pjesë të rëndësishme të suksesit. Megjithatë ka edhe momente kur nuk mund të jesh mirë me shëndet, kur nuk je në gjendje të mirë fizike apo shpirtërore dhe klipi të kthehet në një detyrë të cilën duhet ta realizosh patjetër.
Dhe sa rol mendon se ka klipi në suksesin e një kënge? Të ka ndodhur që një këngë të cilës nuk i ke realizuar klip të kthehet në hit?
Pa diskutim që klipi luan një rol shumë të rëndësishëm te kënga, veçanërisht në këto ditë që kanë ardhur sot. Më përpara edhe ndodhte që një këngë, edhe pse pa klip, të kthehej në super hit, duke qenë se numri i tyre ishte më i kufizuar. Por sot që tregu është i mbushur me videoklipe, ato janë bërë një domosdoshmëri për suksesin e këngës.
Një ndër problemet më të mëdha që ka prekur jo vetëm Shqipërinë, por gjithë botën, është kriza ekonomike. Sa e ke ndierë ti një problem të tillë në profesionin tënd?
Kriza ndikon kudo dhe ashtu siç ndikon në çdo fushë të jetës, ka ndikuar edhe në profesionin tonë. Për koncerte çmimet nuk janë si më parë, por disi më të ulët, kështu që po e ndiejmë edhe ne këtë moment të vështirë, megjithatë nuk kemi çfarë të bëjmë.
Por mund të shfrytëzohet kjo krizë nga ana e pronarëve të lokaleve ku ti këndon apo organizatorëve të koncerteve duke i reduktuar shumë pagesat?
Unë nuk është se kam një pagesë fikse dhe në përgjithësi lëviz me çmimet. Si natyrë më pëlqejnë kompromiset dhe nuk dua ti bie në kokë njerëzve, duke i thënë ose këtë pagesë ose nuk vij. Ka pasur raste që kam shkuar edhe me pagesa nga të cilat nuk kam fituar pothuajse asgjë, por e kam bërë vetëm për mos ta lënë në baltë apo për të qenë sa më pranë publikut. Kështu që në përgjithësi përpiqem që ta gjej gjuhën e duhur, duke mos dëmtuar asnjërën palë.
Cili ka qenë koncerti më i bukur në të cilin ke marrë pjesë kohët e fundit?
Ka qenë koncerti për çlirimin e qytetit të Lushnjes (qesh). Ai ishte vërtet një koncert shumë i bukur dhe një nga ato koncerte në të cilat nuk llogaritet pagesa dhe që unë shkoj më shumë për kënaqësi sesa për pagesën.
Babeta, një gjë që më bën shumë përshtypje te ty është fakti që je gjithmonë shumë e gatshme dhe shumë e hapur me gazetarët, gjë që nuk ndodh me shumë artistë të tjerë. Si ke arritur ta ruash këtë thjeshtësi?
Nuk është se më duhet të bëj ndonjë përpjekje të madhe, thjesht kështu jam (buzëqesh). Megjithatë ti ke krijuar këtë përshtypje edhe për faktin që ne jemi takuar disa herë së bashku dhe në një farë mënyrë ke arritur të më njohësh. Ka edhe nga ata njerëz që, duke mos më njohur personalisht, mendojnë se unë jam mendjemadhe. Por mendoj se thjeshtësia është e rëndësishme të një njeri. Nëse mua më merr në telefon një gazetar, i cili kërkon një intervistë nga unë, nuk mund ta refuzoj. Kjo jam unë.
Ke pasur ndonjëherë ndonjë problem me ndonjë gazetë apo gazetar, nga të qenit kaq e hapur me ta?
Po, madje dje në mbrëmë kam pasur një problem të tillë. Jam mërzitur aq shumë, saqë edhe sot në mëngjes isha shumë nervoze dhe vetëm tani që po bisedoj me ty sikur po relaksohem pak (buzëqesh). Nga mirësia ime dhe e bashkëshortit tim, një ish-gazetare e një gazete e cila as nuk ekziston më në treg, së bashku me bashkëshortin e saj, na mashtruan duke na premtuar që do të hapnin një website timin. Madje na morën edhe lekët, diku te 500 euro, ndërkohë që website nuk ka funksionuar fare për asnjë moment. Jemi përpjekur të vihemi në kontakt, por ai person ndërron vazhdimisht numrat. Dhe vetëm mbrëmë rastësisht unë rashë në kontakt me atë gazetare në Fb dhe i kërkova numrin e telefonit që të bisedonim në lidhje me këtë çështje. Ajo totalisht pa të drejtë filloi të më akuzonte mua dhe të më thoshte që nuk ishte e drejtë ti flisja në atë mënyrë. U nervozova shumë dhe nuk arrij ta kuptoj që ka njerëz të tillë. Nga mirësia njerëzit abuzojnë dhe sillen në këtë mënyrë.
Si reagon ti në të tilla raste? Mendon se është mirë që të vazhdosh të insistosh, apo më mirë të heqësh dorë dhe mos të merresh më me ta?
Unë jam person që nuk u bie njerëzve më qafë dhe kur ka nga ata që e bëjnë një gjë të tillë, aq më shumë kur jam në të drejtën time, nervozohem shumë. Përpiqem ti shkoj deri në fundit muhabetit në mënyrë që ta sqaroj, por kur shikoj që njerëzit nuk kuptojnë heq dore, pasi nuk ia vlen më.
Përmende pak më parë Facebook. Unë e di që prej disa kohësh ti je përdoruese e rregullt e Facebook. Por shumë njerëz që e përdorin këtë faqe më pas i kap Facebook- mania, që do të thotë orë e orë të tëra të kaluara në internet. Të ka kapur dhe ty një sëmundje e tillë?
Unë fillimisht kisha hapur një faqe në My space dhe aty pasqyroja të gjithë aktivitetin tim. Me kalimin e kohës dëgjoja shumë të flitej për Facebook dhe thashë ta provoja të hapja një adresë timen. Do ti që ngela duke kaluar shumë kohë aty (qesh).
Janë të shumtë personat që të kërkojnë tu flasësh, të komunikosh me ta?
Po, në fakt shumë janë dhe unë përpiqem tu kthej përgjigje të gjithëve, aq shumë habiten dhe pyesin se si ka mundësi që u përgjigjen. Unë nuk e imagjinoj dot mos tu flas, pasi kur dikush më komplimenton, më thotë fjalë të mira, patjetër duhet ti them sikur qoftë edhe një faleminderit apo diçka të vogël, mjafton që ti kthej një përgjigje.
Kam vënë re që ndër të tjera ka edhe shumë komplimente dhe fjalë të bukura nga ana e meshkujve. Nuk bëhet xheloz bashkëshorti yt kur shikon gjithë ato komente?
Jo, aspak. Iliri nuk ka probleme të tilla. Çdo njeri është i lirë të thotë çfarë të dojë, të bëjë komplimentet që do. Nëse ai do të ishte xheloz nuk do të më lejonte fare të hapja një faqe timen.
Përveç internetit, cila është mënyra jote e preferuar e argëtimit këto kohë?
Udhëtimet më pëlqejnë shumë. Në çdo moment të lirë që kam dëshiroj të udhëtoj. Gjithashtu, si të gjitha femrat, edhe pazari është një mënyrë e mirë për të kaluar kohën e lirë (qesh).
Po me televizionin çfarë marrëdhëniesh ke? Çfarë të pëlqen më shumë të shohësh?
Mua më pëlqejnë shumë filmat dhe kaloj shumë kohë duke i ndjekur, aq sa shpesh Iliri më thotë: Boll me ato filmat se kush rri e duron fantazinë tënde (qesh).
Cilat filma të pëlqejnë më shumë?
Filmat me tema sociale, pasi ke dhe çfarë të mësosh prej tyre. Por kur jam me Lirin shoh edhe filma me aksion apo me luftë se dihet që meshkujt këto kanë qejf (qesh).
Po për reality show çmendim ke, i ndjek, veçanërisht Big brother i cili është dhe më i suksesshmi në Shqipëri?
Jo rregullisht pasi nuk e kam bërë atë abonimin e posaçëm që duhet, por gjatë të shtunës sa herë që kam mundësi e ndjek spektaklin.
Nëse vajza jote kur të rritet edhe pak do të të kërkonte të merrte pjesë në një spektakël të tillë, si do të reagoje?
Nuk ka asnjë problem. Nuk shikoj asgjë të keqe në pjesëmarrjen në një emision të tillë. Nuk i kam të tilla komplekse unë (buzëqesh).
Po nëse ajo do të dashurohej aty brenda, do ta kishe problem?
Le të dashurohet, çfarë problemi ka (qesh). Të dashurosh nuk është turp, si e bërë para kamerave, si e bëre pas tyre, për mua nuk ka asnjë diferencë.
Po nëse në Shqipëri do të organizohej një reality show me njerëz të famshëm dhe do të të kishin propozuar të merrje pjesë në të, do të kishe pranuar?
Do të më kishte pëlqyer. Në një farë mënyrë unë së bashku me Ilirin e kemi provuar një gjë të tillë kohë më parë, pasi kemi qenë për shumë kohë në turne me shumë njerëz, kemi jetuar me ta për në kohë të gjatë. E vetmja gjë që na kanë munguar kanë qenë kamerat dhe fakti që lëviznim lirshëm (qesh). Por duhet të them që është shumë e vështirë jetesa me njerëz të panjohur. Dhe për sa kohë që e kishim ne probleme që nuk ishim të mbyllur dhe nuk kishim kamera, imagjino se si mund të jetë për ata që marrin vërtet pjesë në një emision të tillë. Megjithatë mua do të më kishte pëlqyer të merrja pjesë, vetëm për faktin se dua që njerëzit të më njohin më mirë dhe jo vetëm si Babetën këngëtare. Shpesh njerëzit, duke mos të të njohur mirë, të gjykojnë gabim.
Dhe cili është paragjykimi me të cilin hasesh më së shumti?
Paragjykimi më i zakonshëm është që jam mendjemadhe. Nuk e di përse u jap këtë përshtypje njerëzve nga televizori. Kuptohet që në momente të caktuara kam dhe unë atë krenarinë time, megjithatë mendjemadhe nuk jam. Një tjetër paragjykim ka të bëjë me faktin që gjithçka kam arritur deri tani e kam pasur falë bashkëshortit tim, Lirit. Ky paragjykim me thënë të drejtën më mërzit pak, pasi unë nuk dua tia ul vlerat rolit që Liri ka luajtur në suksesin tim, megjithatë edhe unë mendoj se i kam disa aftësi për sa kohë kam arritur deri këtu.
Cila është ajo pjesë e jetës tënde që nuk do të doje ta ndaje me publikun?
Nuk ka ndonjë të tillë. Jam shumë e hapur dhe transparente, pasi nuk kam se çfarë të fsheh.
Nëse do të të jepej mundësia që vetëm për një ditë të ishe një person tjetër, kush do të kishe zgjedhur të ishe?
Ndonjë artiste e famshme besoj (qesh). Do të më pëlqente të isha Madona, për të ndierë suksesin që ajo ka. Dhe përveç saj do të më kishte pëlqyer të isha Julia Roberts pasi më pëlqen shumë si aktore dhe mendoj se kemi shumë gjëra të përbashkëta në karakter.
Po nëse do të ishe e padukshme, cila është gjëja e parë që do të bëje?
Atë që do të bënin gjithë shqiptarët besoj, do isha futur në ndonjë bankë e do kisha marrë ndonjë lekë (qesh).
Po Ilirin nuk do ta ndiqje nga pas?
Jo, nuk do të kisha nevojë. Për aq pak kohë sa do të isha e padukshme unë, nuk do të kisha kohë ta harxhoja me Lirin (qesh). Duke i lënë mënjanë shakatë, deri tani ai asnjëherë nuk më ka dhënë shkas për ta bërë një gjë të tillë, prandaj jam shumë e qetë në këtë pikë.
Dhe unë nuk po të ngacmoj më pasi e di tashmë që ju të dy nuk keni probleme të tilla me xhelozinë. Por më thuaj, cila ka qenë arsyeja për të cilën jeni grindur herën e fundit?
Do ta dish? Ne zihemi për gjëra kot, zihemi për të tjerët, jo për veten tonë.
Në çkuptim?
Po ja, kemi një rast konkret që unë ta tregova pak më parë me atë çiftin që kishim probleme. Filluam të haheshim të dy, unë i thosha se pse nuk e ke zgjidh ai këtë problem por ma lë mua. Liri, nga ana e vet, bërtiste: Po ti tani do të zihesh me mua për atë? Ja, për këto gjëra zihemi ne të dy, për të tjerët.
Cili ka qenë maksimumi i kohës që keni ndenjur pa folur me njëri-tjetrin?
Gjysmë dite.
Nuk e besoj këtë...
Po mirë pra, bëje një ditë ti (qesh). Për sa kohë jemi në një shtëpi nuk mund të rrimë dot më shumë se do vijë në shtëpi ai dhe unë do ti them: Do vish të hash bukë ti?
Kënga e fundit thotë që nuk janë më zemrat.Po zemrat tuaja vazhdojnë të jenë të mbushura me dashuri si në fillim të njohjes suaj?
Ne mendojmë se po. Në fakt të gjitha çiftet kështu mendojnë, por kur një ditë vjen ndarja thonë se nuk e paskan dashur aq shumë njëri-tjetrin. Madje vajza tani sa herë që dëgjon këtë këngën e fundit, për shkak të tekstit dhe të klipit, na thotë: Mami, babi, mos u ndani ju, mos e lini Borën vetëm. Dhe unë mundohem që tia sqaroj që ajo është thjesht një këngë dhe që mami me babin nuk do të ndahen. Por nuk i mbushet mendja dhe më pyet përse jam duke qarë (qesh).