Lidhja Demokratike e Kosovës humbi njërën prej veprimtareve më të spikatura të saj, e cila që nga themelimi, pa marrë parasysh pozitën që kishte, si anëtare e Kryesisë, apo nënkryetare e LDK-së, punoi me përkushtimin më të madh për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.
Isa MUSTAFA
Po ndahemi në këtë jetë nga Nekibe Kelmendi, deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, veprimtare e devotshme e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ministre dhe avokate, nënë e Kastriotit dhe Kushtrimit, bashkëshorte e Bajram Kelmendit, të cilët, pasi u rrëmbyen në shtëpinë e tyre, u ekzekutuan nga okupatori serb natën në mars të vitit 1999.
Ne po e nderojmë sot gruan e fortë të Kosovës, Nekibe Kelmendin, gruan që këtij vendi ia dhuroi fëmijët e dashur të saj, në lulen e rinisë, bashkëshortin e saj, që këtij vendi ia dhuroi dijen dhe përkushtimin e saj, ia fali forcën e saj mbinjerëzore, gruan që tërë jetën u shqua për dinjitet dhe stoicizëm.
Lidhja Demokratike e Kosovës humbi njërën prej veprimtareve më të spikatura të saj, e cila që nga themelimi, pa marrë parasysh pozitën që kishte, si anëtare e Kryesisë, apo nënkryetare e LDK-së, punoi me përkushtimin më të madh për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.
Grupit parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga sot do t'i mungojë deputetja Kelmendi, e cila, edhe pse nuk arriti të jetë në fushatën parazgjedhore, mori përkrahje të madhe me votat e qytetarëve, sepse ata i besuan Nekibes t'ua përfaqësojë interesat e tyre në institucionin më të lartë legjislativ të Kosovës.
Drejtësia në Kosovë kishe nevojë për Nekibe Kelmendin. Ajo i qëndroi pranë gjatë tërë jetës. I qëndroi krah shumë kohë së bashku me bashkëshortin e saj, Bajram Kelmendin; i qëndroi krah edhe kur humbi më të dashurit e saj.
Nekibja kurrë nuk u dorëzua. Nuk u dorëzua, sepse i donte njerëzit, e donte Kosovën.
Nekibe Kelmendi u lind më 11 maj të vitit 1944 në Pejë. Në vitin 1968 kreu Fakultetin Juridik në Prishtinë. Nga viti 1968 deri në vitin 1987 punoi si gjyqtare, kurse nga viti 1974 deri në vitin 1976 ushtroi profesionin e avokatisë. Ishte e para avokate në Kosovë, e para grua në historinë e avokaturës shqiptare në përgjithësi.
Nekibja një kohë punoi edhe si sekretare e Përgjithshme e Barnatoreve të Kosovës. Ishte kjo periudha e presioneve të para politike të ushtruara pas daljes në skenë të Millosheviçit në Serbi. Por, ajo e donte drejtësinë, ndaj iu kthye avokaturës, kur u largua nga puna në vitin 1991, sepse konsideronte se padrejtësitë që bëheshin në Kosovë duhej të demaskoheshin, ndërsa njerëzve duhej t'u ofrohej ndihmë.
Nekibe Kelmendi shquhej për interesimin e saj për të përcjellë dijet bashkëkohore në fushën e drejtësisë, por edhe në fushat e tjera. Ajo në vitin 1972 mori pjesë në Kongresin e kriminologëve dhe të penologëve në Ohër.
Përveç të tjerash, Nekibja ishte Sekretare e Odës së Avokatëve të Kosovës në periudhën 1974-1976 (e para sekretare e kësaj Ode të themeluar më 10 qershor 1974). Mori pjesë në Kongresin evropian të avokatëve në Stamboll (1974) dhe në Kongresin e avokatëve në Zagreb (1975). Në fillim të viteve Nëntëdhjetë iu bashkëngjit aktiviteteve për të drejtat e njeriut. Ishte bashkëthemeluese e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut në Prishtinë, i cili u themelua në dhjetor të vitit 1989.
Nekibe Kelmendi mori pjesë edhe në Konferencën Botërore për të Drejtat e Njeriut të organizuar nga OKB-ja në Vjenë (1993), në Kongresin kundër Korrupsionit në Washington (2000), në Simpoziumin për Parandalimin e Krimit të Pastrimit të Parave dhe e hartimit të ligjit kundër pastrimit të parave (Bullgari 2000), në Konferencën e Institutit amerikan për Paqe në Earle House (2000 dhe 2002), në Konferencën e OKB për të drejtat e grave në Nju Jork, e vetmja nga Evropa (2004).
Po ashtu, Nekibja ishte anëtare e Komisionit për Hartimin e Legjislacionit të ri për Kosovën (1999 deri 2004).
Nekibe Kelmendi ishte deputete e Kuvendit të Kosovës në të gjitha legjislaturat deri në çastin kur ndërroi jetë. Punoi shumë si anëtare e Grupit të ekspertëve në Grupin Politik Strategjik të Grupit të Unitetit për negociata për Kosovën, ndërkaq ishte nënkryetare e Komisionit Kushtetues të Kosovës.
Nekibja ishte veprimtare e shquar e organizatave të grave, prandaj, si e tillë, ajo ishte edhe bashkëthemeluese e Lobit të Grave për Evropën Juglindore.
Nga 1 janari 2000 deri në nëntor 2001 ishte bashkëdrejtuese e Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut.
Ishte ministre e Drejtësisë 1 janar 2008 deri më 31 mars 2010. Pas asaj kohe, vazhdoi profesionin e avokatisë.
Nekibe Kelmendi ishte autore e shumë shkrimeve profesionale nga fusha e të drejtave të njeriut mbi gjendjen në Kosovë dhe fusha juridike. Veçohet sidomos teksti me titull: "Kosova nën barrën e ligjeve diskriminuese dhe antikushtetuese të Serbisë - fakte dhe dëshmi", i cila është përfshirë në një rezolutë të OKB-së për Kosovën më 1992.
Nekibja jonë ishte bashkudhëtare e denjë e LDK-së. Ajo ishte bashkëthemeluese dhe anëtare e parë e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës në dhjetor 1989; ishte sekretare e Përgjithshme e kësaj partie nga viti 1998 deri më 2003, pastaj edhe nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës deri në zgjedhjet e fundit partiake. Ecte me kokën lart dhe me dorë të ngritur për fitore. Na përkrahte dhe na kurajonte të gjithë neve të punojmë mirë dhe të fitojmë. Edhe në fund të vitit të kaluar, kur isha në Stamboll, ndonëse e sëmurë, ajo na ofroi përkrahjen e saj profesionale. Tha: "Mos më kurseni, jam e gatshme dhe dëshiroj t'ju ndihmoj, dua ta ndihmoj kryeqytetin tim, Prishtinën". U përshëndetëm me besimin se së shpejti do të na bashkëngjitej. Por, s'ishte thënë të bëhej ashtu. Sidoqoftë, neve na mbeti dinjiteti i saj, vullneti dhe ideali i saj i palëkundshëm. Ajo na ndihmoi të gjithëve, i ndihmoi Kosovës. Të gjithë ne mburremi me Nekiben. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës.