"Më përpara, në parim kam bërë tifo për çdo skuadër që luante kundër Partizanit, përfshirë edhe Flamurtarin e Vlorës", ka thënë Jeremiç për revistën "Zvezda Srbija", duke kujtuar ndeshjen e vitit 1987 në Kupën UEFA.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiç, sot njihet nga të gjithë si një nga eksponentët më radikalë të skenës politike serbe në raport me shtetin e Kosovës dhe me shqiptarët. Por në të kaluarën e tij ai tregon se ka bërë tifo për ekipin shqiptar nga Vlora, Flamurtarin.
Ai është deklaruar si një tifoz "i çmendur" i klubit serb Crvena Zvezda, dhe pasi Flamurtari luante me rivalin e përjetshëm të saj, Partizanin e Beogradit, kreu aktual i diplomacisë serbe kishte zgjedhur të bënte tifo për ekipin vlonjat.
"Më përpara, në parim kam bërë tifo për çdo skuadër që luante kundër Partizanit, përfshirë edhe Flamurtarin e Vlorës", ka thënë Jeremiç për revistën "Zvezda Srbija", duke kujtuar ndeshjen e vitit 1987 në Kupën UEFA.
Tani që është bërë politikan, Jeremiç është bërë edhe më patriot, të paktën në dukje. Ai pohon se tani anon për Partizanin kur kjo skuadër luan me ekipet e huaja, megjithëse e urren si rival të fortë të ekipit tij të zemrës, Crvena Zvezdës.
"Tani jam zbutur, ndoshta edhe jam pjekur dhe kur Partizani luan me të huajt, bëj tifo për të", ka shtuar Jeremiç. Në të vërtetë, tifozët e Zvezdës, por edhe vetë ky klub, shquhen si më nacionalistët në Serbi, duke u bërë shpesh strehë edhe për njerëz të kërkuar nga drejtësia.
Pak vjet më parë, një nga liderët e këtij klubi ishte i famshmi Arkani, i cili madje e kishte shtëpinë shumë afër stadiumit "Marakana" të Beogradit. Sa i përket futbollistëve shqiptarë, ata edhe në të shkuarën e kishin shumë të vështirë të luanin për ngjyrat e kësaj skuadre. Shqiptari i vetëm që ka luajtur me Crvena Zvezdën (Ylli i Kuq) ka qenë Ardian Gjokaj, nga Mali i Zi.
Ndeshja e 1987
Gjenerata legjendare e Flamurtarit, ajo e viteve '80, ka kënaqur Vuk Jeremiçin të paktën në dy ndeshje. Më 1987, Flamurtari kishte eliminuar Partizanin nga Kupa UEFA, që në raundin e parë. Ndeshja e parë në Vlorë pati mbaruar 2-0 për Flamurtarin, ndërkohë ajo e kthimit në Beograd, 2-1 për Partizanin.
Në fakt, Partizani po udhëhiqte 2-0 deri në minutën e 76-të dhe shpresonte për një kalim për më tej, por një eurogol i Sokol Kushtës, shoi shpresat e kësaj skuadre, që në radhët e veta kishte edhe presidentin aktual të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.
Ajo gjeneratë e Flamurtarit, me futbollistë si Vasil Ruci apo Sokol Kushta, arriti deri në raundin e tretë të UEFA-s, që mbetet suksesi më i madh i skuadrës dhe i futbollit shqiptar. Në atë tur, skuadra vlonjate u eliminua nga gjiganti botëror, Barcelona.
Flamurtari, megjithatë, e kishte mposhtur Barcelonën në Vlorë 1-0, në një nga ndeshjet më të mëdha të historisë së futbollit shqiptar. Por, në "Kamp Nou", ekipi vlonjat ishte mundur 4-1 dhe kjo e nxorri jashtë kompeticionit. Pas 24 vjetësh nga ajo ndeshje, Partizani i Beogradit do të luajë sërish kundër një skuadre shqiptare.
Në raundin e dytë eliminator të Ligës së Kampioneve, ky ekip do të ndeshet me Shkëndijën e Tetovës, që është kampione në fuqi e Maqedonisë.
(d.b/BalkanWeb)