Rasti i Kroacisë do të duhej të kuptohej më shumë si vërejtje serioze shteteve, si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Serbia, sesa si ndonjë inkurajim
Agustin Palokaj
Kroacia këtë javë e përfundon rrugëtimin të cilin asnjë vend tjetër i rajonit as që e ka nisur, përmbylljen e negociatave të anëtarësimit në BE. E ka bërë këtë 20 vjet pas shpalljes së pavarësisë (Kosova nëse do ta ndiqte të njëjtën dinamikë, do të hynte në BE më 2028!) dhe do të anëtarësohej në Bashkimin Evropian 10 vjet pas dorëzimit të aplikacionit (Serbia me të njëjtën shpejtësi do ta arrinte këtë në vitin 2020!). Por secili shtet e ka edhe fatin e vet individual dhe mund të ketë edhe dinamikën e vet. Rasti i Kroacisë do të duhej të kuptohej më shumë si vërejtje serioze shteteve, si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Serbia, sesa si ndonjë inkurajim
Qyteti buzë Danubit në anën kroate të këtij lumi, Vukovari, është sinonim për fillimin e luftës së fundit të madhe në Evropë, e cila praktikisht nisi aty dhe u përmbyll me ndërhyrjen e NATO-s për ta shpëtuar Kosovën nga gjenocidi serb. Në Vukovar forcat e bashkuara ushtarake, policore dhe paramilitare serbe bënë edhe krimet e para të mëdha të luftës. Qyteti ishte shkatërruar, shumë njerëz ishin masakruar, ndërsa plagët e luftës në këtë qytet shihen edhe sot. Prej 1 korrikut të viti 2013, Vukovari do të jetë një qytet brenda BE-së, ndërsa kufiri në Vukovar do të jetë kufiri i jashtëm që do ta ndajë Bashkimin Evropian me Serbinë dhe enklavën e Ballkanit Perëndimor. Në këtë mënyrë laku rreth kësaj vrime të zezë në Evropë po zvogëlohet dhe kjo në Bruksel shihet si një proces i pakthyeshëm, që do të përmbyllet me përfshirjen e tërë kësaj zone në BE.
Suksesi historik i Kroacisë, për të cilën Bashkimi Evropian në samitin e 24 qershorit mori vendimin për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit, siç na thanë të gjithë liderët e BE-së, është një inkurajim dhe lajm i mirë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman van Rompuyi, na tha se ky sukses i Kroacisë është kthesë në rrugën e realizimit të vokacionit evropian të tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Brukseli dëshiron të dërgojë dy porosi për vendet e Ballkanit. Një inkurajuese se, nëse ato i kryejnë detyrat e shtëpisë në atë mënyrë në të cilën këtë e ka bërë Kroacia, do të mund edhe ato të jenë të mirëpritura një ditë në BE. Por është edhe një porosi tjetër në formën e vërejtjes serioze se, siç dëshmon shembulli i Kroacisë, në procesin e negociatave për anëtarësim nuk do të ketë as edhe 1 për qind lëshime nga Bashkimi Evropian ndaj vendeve kandidate.

Me fjalë të tjera, ato vende të cilat nuk janë të sigurta se mund të përkushtohen 100% në përmbushjen e kushteve që vë Bashkimi Evropian, nuk mund të llogarisin se do të hyjnë në BE në një të ardhme të afërt. Dhe këtë përmbushje të kushteve do të duhej ta verifikonte Bashkimi Evropian e jo liderët e rajonit. Kur i dëgjojmë Sali Berishën në Shqipëri, Hashim Thaçin në Kosovë apo Boris Tadiqin në Serbi se si i vlerësojnë sukseset e qeverive të tyre, fitohet përshtypja se ato vende qëmoti është dashur të ishin në BE dhe madje edhe shembuj për vendet e tashme anëtare. Me liderë të tillë, nëse ata nuk e ndryshojnë metodën e punës dhe nuk e kuptojnë më seriozisht procesin e reformave të luftës kundër korrupsionit, që do ti çojnë këto vende drejt BE-së, këto shtete nuk kanë asnjë arsye ti gëzohen suksesit të Kroacisë dhe ta shohin atë si shembull.
Kroacia këtë javë përfundon rrugëtimin të cilin asnjë vend tjetër i rajonit as që e ka nisur, përmbylljen e negociatave të anëtarësimit në BE. E ka bërë këtë 20 vjet pas shpalljes së pavarësisë (Kosova nëse do ta ndiqte të njëjtën dinamikë nga shpallja e pavarësisë, do të hynte në BE më 2028!) dhe do të anëtarësohej në Bashkimin Evropian 10 vjet pas dorëzimit të aplikacionit (Serbia me të njëjtën shpejtësi do ta arrinte këtë në vitin 2020!). Por secili shtet e ka edhe fatin e vet individual dhe mund të ketë edhe dinamikën e vet.
Metroja e Londrës është ndërtuar për 100 vjet, ndërsa ajo e Shangait për vetëm 20 vjet!. rrota është zbuluar dhe nuk ka nevojë të zbulohet më do të thoshin optimistët, të cilët mund të parashikojnë se vendet e tjera të Ballkanit do të përfundojnë rrugëtimin e tyre drejt BE-së më shpejt sesa Kroacia. Por ato janë shumë më të varfra ekonomikisht, me shumë më pak lidhje me vendet e zhvilluara evropiane sesa Kroacia dhe me popullatë mesatarisht shumë më të paarsimuar sesa Kroacia. E Kroacia, që para 20 vjetësh shpalli pavarësinë të njëjtën ditë me ish-Republikën tjetër të pasur të ish-Jugosllavisë, Slloveninë, ka ngelur plot 10 vjet pas Sllovenisë. Rasti i Kroacisë do të duhej të kuptohej më shumë si vërejtje serioze shteteve, si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Serbia, sesa si ndonjë inkurajim.
Kur Bullgaria dhe Rumania hynë në BE më 1 janar të vitit 2007, vendet e Ballkanit u gëzuan duke menduar se nëse këta munden, atëherë mundemi edhe ne. Por në BE mbretëroi shkolla tjetër e të menduarit. Në BE morën qëndrim të prerë se kemi gabuar me Bullgarinë dhe Rumaninë dhe këtë gabim nuk do ta përsërisim më me kandidatët e ardhshëm në procesin e zgjerimit. Kroacia ishte e para në radhë për ta ndier në lëkurën e saj këtë ashpërsi të BE-së në vlerësimin e përmbushjes së kritereve për anëtarësim.
Kroacia po anëtarësohet në BE 9 vjet pas Sllovenisë dhe 6 vjet pas Bullgarisë e Rumanisë. Dikush mund ta shohë këtë si një padrejtësi të madhe. Por nuk ka dobi nga ankesat për padrejtësi. Me apo pa të drejtë, rasti i Kroacisë çon porosinë për liderët e vendeve të tjera të rajonit që të mos flasin kot rreth datave se kur do të mund të anëtarësohen vendet që ata i udhëheqin në BE. Çon porosi të qartë edhe për qytetarët e këtyre vendeve që, nëse liderët politikë u japin premtime të tilla, të mos u besojnë dhe të mos i marrin seriozisht.
Kur këtë vit në dhjetor Serbia ta marrë statusin e kandidatit, ndërsa Shqipëria të marrë vërejtjet serioze, Kosova do të përmendet vetëm rreth gatishmërisë së liderëve të saj për dialog me Serbinë, do të shihet qartë se dy këto vende, pra Kosova dhe Shqipëria, do të mbesin formalisht jashtë procesit. Përderisa në rastin e Kosovës përgjegjësinë e mban edhe bashkësia ndërkombëtare, sepse Kosova e pavarur na është një projekt i përbashkët, për Shqipërinë nuk ka faj askush. Janë këto dy vendet e vetme në rajon, dhe mbase edhe në Evropë, të cilat nuk mund të garantojnë as votën e lirë të qytetarit dhe zgjedhje sipas standardeve evropiane. Dhe ndaj vendeve të tilla, pa marrë parasysh vajtimet, askush në BE nuk do të ketë mirëkuptim dhe do të dojë ti ketë sa më larg që të jetë e mundur, përderisa nuk ndryshojnë vetveten dhe nuk i përmbushin kushtet sikur që sot i ka përmbushur Kroacia.
Në BE nuk po hyn Kroacia e Franjo Tugjmanit (shpalli pavarësinë dhe udhëhoqi fitoren në luftën çlirimtare, por pas lufte deshi të sundonte si një lider totalitar ) e as ajo e Ivo Sanaderit (futi vendin në NATO dhe nisi negociatat me BE-në, por mendoi se këto merita i jepnin të drejtë të vidhte paratë e popullit). Në BE po hyn Kroacia, e cila ka dëshmuar se ka vërtet zero tolerancë ndaj korrupsionit, ajo e cila ka reformuar dhe politizuar tërësisht sistemin gjyqësor, ku gjykatësit emërohen vetëm në bazë të kritereve profesionale e jo politike, dhe po hyn ajo Kroaci e cila nuk dëshiron që krimet individuale të pasluftës ta njollosin luftën çlirimtare. Kroacia kishte bërë gabime, dhe vetë e ka një pjesë të madhe të fajit pse është vonuar aq shumë në BE, ndonëse është më e pasur dhe më e zhvilluar se së paku 7 vende të tashme anëtare.
Kroacia ka mësuar në gabimet e veta. Vendet e tjera të Ballkanit, sidomos Kosova dhe Shqipëria, të cilat i njohim pak më mirë nuk mund të mësojnë nga gabimet e veta, sepse nëse është për tu besuar liderëve të tyre, ata janë të pagabuar dhe nuk kanë gabime. Pa diagnozë të vërtetë, mjeku nuk mund ta kurojë një sëmundje, dhe kjo do të duhej të vlente edhe në këtë rast. Pra, asgjë nuk do të ndryshojë në procesin e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor pas suksesit të Kroacisë. Do të vazhdojmë të dëgjojmë porosi retorike se i tërë rajoni ka të ardhme evropiane, por realizimi i kësaj ëndrre mbetet për dhjetëvjeçarin e ardhshëm dhe për një gjeneratë tjerët politikanësh të rajonit e jo për këtë që kemi sot.