E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Dy princ i dyfishtë, i lirisë së shqiptarëve të Dardanisë së moçme dhe i bukurisë së vjershës, bashkë me Adem Demaçin, u bënë frymëzim për breza të tërë shqiptarësh dhe i mësuan ata të se këtu, në këtë tokë, janë mocanikë me perënditë.
Udhembarė, princ i kangjeles









Rushit Ramabaja

Nuk mund t’i harroj kurrë përqafimet dhe lotët e Tekiut. Po thoshte:“Po qaj nga gëzimi, sepse shqiptarët, megjithatë, më paskan kuptur.” Më dukej herë i mbështjellë në trishtimin e ëmbël të petrsonazhit të tij në “Pirgun e lartë”, herë i mbyllur në filozofinë mistike të Dervish Mallutës.

Sot, ditën e mbramë të qershorit, iku në të përtejmen princi i kangjeles dhe kryengritësi i përjetshëm kundër shkelësit, Teki Dervishi. Dy princ i dyfishtë, i lirisë së shqiptarëve të Dardanisë së moçme dhe i bukurisë së vjershës, bashkë me Adem Demaçin, u bënë frymëzim për breza të tërë shqiptarësh dhe i mësuan ata të se këtu, në këtë tokë, janë mocanikë me perënditë.

Dhe, si rëndom në ditët e përzishme, patjetër të kujtohet dita e parë e njohjes.

Ishte vjeshta e vitit 1979. Gjithë verën e atij moti dhe muajt e parë të vjeshtës i kisha kaluar me Jusuf Gërvallën. Një mbrëmje tetori, kur po binte shi si me shtëmbë, përpara kafenesë përballë Radio-Prishtinës, Jusufi po më tërhiqte pothuaj zvarrë dhe po më pëshpëriste:

“Do të të takoj me njeriun, që ndonëse s’e ke parë, ke ndenjur gjithmonë me te”.

Kështu fliste Jusufi, gjithmonë duke lënë misterin në mes.

Hymë në kafenenë me interier të mugët Në kthinën e skajshme rrinte Tekiu me mustakë të varur në kaosin e delirit. Jusufi na njoftoi, ndërsa Tekiu, duke ma zgjatur dorën, tha:

“Po, more, kemi ndenjur me këtë moti, më duket qysh nga moti kur Justiniani qe nisur për Konstandinopojë.”

Mbeta pa fjalë, në mes dy enigmave.Ia kisha lexuar shumicën e veprave, e dija se kish dergjur burgun në Goli-Otok qysh në stinët e djalërisë dhe sidomos se e mbante si flamur të përjetshëm rebelimin kundër shkelësit. Atë natë, mbështjellë me kaosin e delirit, më dukeshin si dy princër rojtës të shpirtit të etnisë dhe vetja si një fëmijë që po mëson atin e të qenit njeri. Dhe jo veç pse isha më i vogël në moshë.

Në vjeshtë, ende pa nisur shirat, Jusufi iku dhe s’u kthye më. Pushtuesi i kish vënë shenjën e vdekjes trembëdhjetë vjet më parë. Ai e kish parathënë këtë qartë në vargjet e vjershën “Fletë testamenti: “Në zgjimin tim më të heshutur të më ngurosin/ në flijimin tim më të begatshëm të verës/ në nisjen time në fillimin tim të ri/ ...vërmëni atje ku do të tregojë gri për udhën/ deri te shtëpia ime bërë me dru e kashtë...” Ndoshta shumë më herët. Dhe pastaj, kur kish kaluar i tëri në gjithjetësi, kur na shikonte me dhimbshuri në motet e zisë, Tekiu më mbeti pothuaj e vetmja mbështetje.

Dhe gjithë kohën e pastajme, veçan në ditë ngushticash në motet e aparteidit, rrinim bashkë në kafenenë “Bagrem” të kryeqytetit.. Në atë kohë Tekiu botoi një shkrim kurndër fundamentalizmit islamik, që ishte në aleancë të ngushtë me aparteidin serb. Ndodhi kjo në kohën kur Milosheviqi i pati mbyllur shkollat shqipe. Po ato ditë edhe unë pata botuar në “Rilindje” një artikull për ngutjen e fundamentalistëve që shkollën shqipe ta zëvendësonin me mejtepet, që po i hapnin në çdo lagje. Të dukej tamam sikur qemë kthyer në kohën tragjike ms dy luftërave botërore. Sulmet e fundamentalistëve qenë mizore. Por, rrufetë e vërteta ranë mbi Tekiun, natyrisht. Po atë sinë në Teatrin E Prishtinës jepej shfaqja “Nata në Goli-Otok”, ku njëri ndër personazhet ishte Teki Dervishi. As vetë s’e di si ia dola ta botoja një artikull në faqet e kulturës duke vënë theksin mbi paradoksin se derisa personazhi më i ri i “Natës në Goli-Otok” frymëzonte mijëra të rinj për ta kërkuar lirinë, po ai hero sot ndiqej nga fundamentalistët dhe nga fanatikët e orientalizuar.

Nuk mund t’i harroj kurrë përqafimet dhe lotët e Tekiut. Po thoshte:

“Po qaj nga gëzimi, sepse shqiptarët, megjithatë, më paskan kuptur.” Më dukej herë i mbështjellë në trishtimin e ëmbël të petrsonazhit të tij në “Pirgun e lartë”, herë i mbyllur në filozofinë mistike të Dervish Mallutës.

Udha e mbarë, mik i dhembshur!

Të falënderojmë që forcove dashurinë për Shqpërinë e vërtetë nga Çamëria te Molla e Kuqe!

Të faënderojmë që na mësove ta kërkojmë dritën e fismë të së bukurës!

Të falënderojmë për dhiatën e zemrës së artë!

Udhembarë, mik! Të qoftë i lehtë dheu i kësaj Shqipërie!

Publikuar: 02.07.2011 | 09:56
Lexuar: 513 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime