Teatri Kombëtar, institucioni më i rëndësishëm i artit skenik në Shqipëri me një histori 64 vjeçare, tashmë është anëtar i Unionit të Teatrit Europian Konvencional (ETC), një organizëm aktiv i themeluar në vitin 1988 që numëron 40 teatro kombëtare në 22 shtete të Europës.
Teatri Kombëtar, institucioni më i rëndësishëm i artit skenik në Shqipëri me një histori 64 vjeçare, tashmë është anëtar i Unionit të Teatrit Europian Konvencional (ETC), një organizëm aktiv i themeluar në vitin 1988 që numëron 40 teatro kombëtare në 22 shtete të Europës.
Drejtori i këtij institucioni, Kristaq Skrami informoi sot mediat se "në mbledhjen e asamblesë së ETC, në 23 maj në Dresden (Gjermani), të gjithë anëtarët votuan me unanimitet anëtarësimin me të drejta të plota të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë në këtë union". Sipas tij, anëtarësimi i Teatrit Kombëtar në këtë organizëm të rëndësishëm europian është fryt i punës së këtij institucioni artistik në Shqipëri, nga themelimi i tij në vitin 1945. Kjo ngjarje, shtoi ai, i përket të gjithë teatrit shqiptar dhe jo vetëm atij kombëtar.
Krahas privilegjeve që ofron ky anëtarësim, për Skramin i rëndësishëm mbetet shkëmbimi i eksperiencave dhe vlerave midis teatrove europianë. "Ky union ka si qëllim shkrirjen e vlerave duke ruajtur identitetin e çdo teatri", tha Skrami.
Anëtarësimi në këtë organizëm për Teatrin Kombëtar nënkupton shkrirjen zyrtare të kufijve institucionalë, kulturorë dhe teatrorë europian si dhe përfshirjen në institucionet kulturore europiane. Një tjetër anë pozitive që ofron ky anëtarësim është promovimi i artit teatror shqiptar në Europë, nëpërmjet projekteve të përbashkëta. Por anëtarësimi me të drejta të plota i Teatrit Kombëatr në ETC përmbën për TK edhe sfidën për të përmbushur detyrimet që shtrohen drejt arritjes së nivelit bashkëkohor teatror.
Teatri Kombëtar i Shqipërisë u krijua në 24 maj të vitit 1945 nën emrin Teatri Profesionist i Shtetit. Ai ka funksionuar në të njëjtën godinë ku funksionon aktualisht, në qendër të Tiranës. Në qershor të vitit 1991 teatri mori emrin zyrtar që ka dhe sot Teatri Kombëtar. Në skenën e tij janë shfaqur vepra me vlera të mëdha artistike e kombëtare që janë interpretuar me mjeshtëri të lartë. Shfaqja e parë e dhënë në Teatrin Kombëtar ka qënë "Topazi" e autorit Marcel Panjol, me regji nga Sokrat Mio e cila është shfaqur më 30 maj 1945.