Adhurues fanatikë të filmave mbi Harry Potter të veshur si nxënës të shkollës së imagjinuar të shtrigërisë kanë ngritur çadrat afër qilimit të kuq ku do të parakalojnë të adhuruarit e tyre gjatë premierës botërore të filmit të fundit të serisë.
Mijëra adhurues të magjistarit Harry Potter, të enjten janë përgatitur që ti thonë përfundimisht lamtumirë djalit-magjistar në premierën botërore të filmit të fundit kushtuar kësaj serie të suksesshme filmike që ka thyer jo pak rekorde të shikueshmërisë në kinema anembanë botës.
"Harry Potter and the Deathly Hallows - Part 2" është pjesa e tetë e vetmja e prodhuar edhe në formatin 3D, e franshizës që ka shkaktuar vëmendje të madhe të publikut më shumë se çdo film tjetër që mbahet mend.
Për studion hollivudiane Warner Bros kjo sagë filmike ka qenë një qyp i artë ku deri tani shtatë filmat e parë kanë sjellë profit prej 6.4 miliardë dollarë duke mos llogaritur këtu miliardat tjera nga të drejtat mbi filmat në fjalë.
Filmat mbi magjistarin Harry Potter janë frymëzuar nga librat e autores britanike J.K. Rowling e cila ka filluar ti botojë librat në vitin 1997 duke përfunduar sagën 10 vjet më pas, në vitin 2007.
Deri tani mbi 400 milionë kopje të librave mbi Harry Potterin janë shitur duke e bërë autoren Rowling miliardere të parë në mesin e shkrimtarëve.
Ne jemi rritur me gjeneratën e Harry Potterit- librin e parë e kam lexuar kur kam qenë pesë vjeç e tani është shumë çudi që po i vjen fundit, si fundi i fëmijërisë, tha Rhys një 18 vjeçar që kishte dalë në sheshin Trafalgar të Londrës për të marrë pjesë në premierën botërore të pjesës së fundit të sagës së magjistarit Potter.
Adhurues fanatikë të filmave mbi Harry Potter të veshur si nxënës të shkollës së imagjinuar të shtrigërisë kanë ngritur çadrat afër qilimit të kuq ku do të parakalojnë të adhuruarit e tyre gjatë premierës botërore të filmit të fundit të serisë.
Ndërkaq aktorët e rinj- të zgjedhur për të marrë pjesë në këta filma, edhe pse tashmë janë aktorë mirë të paguar, pohojnë se janë duke u munduar të dalin jashtë hijes së kësaj sage filmike që edhe i ka bërë të njohur botërisht.
Pjesa e fundit e sagës mbi magjistarin Harry Potter pasqyron betejën finale mes së mirës dhe së keqës. Daniel Radcliffe që ka luajtur në krejt këta filma tregon se është shumë i kënaqur me fundin e filmit.
"Ky është filmi më i mirë që kemi bërë deri tani dhe jam shumë i gëzuar që po dalim me këtë film, tha Radcliffe lidhur me premierën e filmit.
Filmi do fillojë të shfaqet nëpër kinema më 13 korrik, kurse në ShBA do të fillojë të jepet nëpër kinema 2 ditë më vonë.