Vlerësohet me çmimin letrar "Elsa Morante për të rinjtë" libri autobiografik, "Jeta ime më mirë se një përrallë", i balerinit shqiptar në Itali, Kledi Kadiu
Vlerësohet me çmimin letrar "Elsa Morante për të rinjtë" libri autobiografik, "Jeta ime më mirë se një përrallë", i balerinit shqiptar në Itali, Kledi Kadiu
Ovacione, duartrokitje, fotografi dhe autografe: sërish Kledi Kadiu, balerini nga Shqipëria, ka korrur një tjetër sukses në Itali. Ai është fitues i çmimit letrar "Elsa Morante për të rinjtë", me librin autobiografik "Jeta ime, më mirë se një përrallë". Fjalët e Kledit janë ndjekur nga duartrokitjet e publikut, kryesisht atij rinor, për të cilët vazhdon të mbetet i preferuar. Kledi ka rrëfyer eksperienca të kaluara në Shqipëri, të cilat kanë lënë shenjë në jetën e tij: nga Shqipëria në Itali, nga diktatura drejt lirisë, nga varfëria ekstreme në mirëqenie, gjithnjë me dëshirën për të ndjekur ëndrrën e tij drejt vallëzimit. Romani, i lindur pas një propozimi të vetë shtëpisë botuese "Mondatori", është renditur ndër fituesit e këtij çmimi të dekretuar prej jurisë, e cila kryesohej nga Dacia Maraini. Me rastin e marrjes së çmimit, Kledi ka folur për veten jo si një shembull që ka arritur suksesin, por si një njeri që ka vuajtur për të realizuar ëndrrën e tij, i cili në emër të një objektivi për të arritur është përballur me dhimbje dhe vështirësi, vetëm e vetëm për të realizuar pasionin e tij të madh. "Në libër, shpjegon balerini, kam zgjedhur të mos flas për të tashmen time. Nuk dëshiroja të vlerësohesha për çfarë jam tani, por dëshiroja që të dihej se si isha, cila ishte pikënisja ime. Jo gjithçka shkon vaj në jetë", ka thënë ai.
Si ka qenë të hidhnit në letër jetën tuaj personale?
Unë nuk jam një shkrimtar. Libri është shkruar me katër duar, që do të thotë se unë kam mbajtur shënime dhe kam treguar të shkuarën time, ndërsa miku im i shtrenjtë, Luca De Donno, e ka përkthyer në një roman.
Zakonisht ndodh që pasi lind një libër i këtij lloji, ai pasohet edhe me një film. Me ju ka ndodhur e kundërta: "Meglio di una favola la mia vita" vjen pas filmit "Passo a due".
Janë dy gjëra krejtësisht të kundërta. Filmi duhej të ishte autobiografik, por nuk u realizua si i tillë më pas. Aty unë kam interpretuar rolin e protagonistit me të cilin kisha të përbashkët gati vetëm faktin që të dy ishim balerinë.
A do të përkthehet libri edhe në gjuhën shqipe?
Po. Praktikat për publikimin e tij në Shqipëri kanë nisur dhe shumë shpejt ai do të gjendet për lexuesin edhe në libraritë shqiptare.
Mendoni se historia juaj mund të shërbejë për ti parë emigrantët me një sy ndryshe?
Historia që kam treguar në libër, është ajo e shumë bashkatdhetarëve të mi, nuk ka një moral, është thjesht një histori. Por lexuesi mund të gjejë elementë për të reflektuar, nëse e ndjen të nevojshme. Nëse i besohet shprehjes se jo gjithçka që shkëlqen është flori, atëherë edhe e kundërta mund të jetë e vërtetë. Çdo popull ka një të kaluar të vetën, një histori, një identitet dhe ky duhet respektuar. Ndërsa sot gjithnjë e më shumë mungon dialogu, ka më pak mirëkuptim dhe respekt. Po shkojmë drejt një bote që po kthehet në multietnike, e megjithatë çdo ditë shikojmë të ndodhin ngjarje absurde.
Çfarë mendoni për situatën aktuale që është krijuar në Itali për sa u përket emigrantëve?
Shikoj një situatë ekstreme, dhune dhe lufte kundër qytetarëve të huaj. Unë jam pjesë e atyre emigrantëve që mund të cilësohen të "privilegjuar", por shikoj se çfarë ndodh çdo ditë në edicionet e lajmeve apo nëpërmjet atyre që më tregojnë miqtë e mi. Duket sikur është e nevojshme të flitet patjetër keq për një vend apo popull tjetër. Më parë në shënjestër ishin shqiptarët, tani janë rumunët, nesër kushedi se kujt do ti takojë. Ndërsa shumë mirë e dimë se ka mjaft shembuj të një emigracioni pozitiv, por që flitet gjithnjë e më pak. Inteligjenca qëndron në të kuptuarit dhe të reaguarit secili sipas mendimit të vet.
Nëse ndonjë bashkatdhetar i juaji do të dëshironte të ndiqte gjurmët tuaja sot, a do të ishte ndryshe për të?
Ka të ngjarë që të jetë ndryshe. Situatat ndryshojnë. Megjithatë varet nga njeriu. Unë kam pasur fat, por kam pasur sukses edhe sepse - përveçse jam një balerin i mirë - jam i edukuar, i disiplinuar dhe diplomat. Me pak fjalë, ka të bëjë edhe me karakterin. Të paktën për një gjë duhet parë si shembull Amerika: kush ka aftësi, shkon para.
Përse fitoi romani juaj?
Dikush ka thënë se kam fituar ngaqë jam i famshëm, por nuk është kështu. Të paktën unë do të dëshiroja të mos ishte kështu. Mendoj se fakti që jam i famshëm është një armë me dy presa pikërisht sepse të duhet të përballesh me të tilla polemika. Por unë mendoj se kësaj here nuk ka fituar Kledi balerini, por është libri ai që ka fituar, ai që rrëfen një histori të ngjashme me shumë të tjera./express/