Shumica e trajnerëve nuk zbulojnë publikisht emrat e futbollistëve që synojnë t'i transferojnë, meqë respektojnë klubet që kanë kontrata me ta, por Mancini tregoi një "sinqeritet të madh", duke thënë se ka dëshirë të transferojë edhe mesfushorin e Arsenalit, Samir Nasri, para përfundimit të korrikut.
Roberto Mancini ka thyer rregullën e pashkruar për të mos folur për një futbollist të një skuadre tjetër, pasi ka thënë se do të kishte dëshirë që të transferonte sulmuesin argjentinas të Atletico Madridit, Sergio Aguero. Mancini ka thënë se Agueron e kërkon në rast të largimit të argjentinasit Carlos Tevez.
Shumica e trajnerëve nuk zbulojnë publikisht emrat e futbollistëve që synojnë t'i transferojnë, meqë respektojnë klubet që kanë kontrata me ta, por Mancini tregoi një "sinqeritet të madh", duke thënë se ka dëshirë të transferojë edhe mesfushorin e Arsenalit, Samir Nasri, para përfundimit të korrikut.
Aguero 23-vjeçar është duke menduar për largim nga Atletico Madridi, ndërsa për të po interesohen skuadrat angleze Chelsea e Manchester City, si dhe Real Madridi e Juventusi. Ndërkohë, Tevez ka shprehur haptazi dëshirën për t'u larguar nga City dhe për t'u kthyer në Amerikë të Jugut. Ish-ekipi i tij, Corinthians, ka bërë një ofertë zyrtare.
"Aguero është lojtar që mund të luajë për Manchester Cityn, pasi është i ri dhe është lojtar po aq i mirë se Carlosi. Ai mund të shënojë shumë gola dhe të luajë tandem me Mario Balotellin e Edin Xhekon. Mund të ndodhë që ai të na bashkohet", ka thënë Mancini në një intervistë për "Sky Sports News", të shtunën.
Mancini, po ashtu ishte i drejtpërdrejt edhe në lidhje me francezin e Arsenalit, Nasri.
Nasri ka edhe një vit kontratë me Arsenalin, ndërsa për shërbimet e tij po interesohet edhe Manchester Unitedi.
"Samiri ka kontratë me Arsenalin. Por, në lidhje me të varen shumë gjëra. Unë shpresoj që ta transferojmë atë para fundit të muajit, pasi do të na përforconte mjaft", ka thënë Mancini.
Trajneri italian thotë se respekton vendimin e Tevezit për t'u larguar për arsye personale.
"Kur flet për një lojtar si Carlosi është e vështirë, pasi është lojtar fantastik dhe një njeri i mirë. Sa herë që kam folur me të kurrë nuk më ka thënë që dëshiron të largohet. Ai më ka thënë se po i mungojnë vajzat dhe familja. Mua më vjen shumë keq nëse Carlosi dëshiron të largohet, pasi për mua ai është njeri i mirë dhe lojtar fantastik. Mirëpo, unë e respektoj vendimin e tij", ka thënë Mancini.