"Bota nuk e ka kuptuar mjaft mirë çështjen e Kosovës. Mendohej se shqiptarët janë pakicë kombëtare, por unë kamë thënë se në Kosovë shqiptarët gjithnjë ishin shumicë.

Mbrëmë në Prishtinë u promovua mbrëmë libri i ish-presidentit kroat Stipe Mesiq, i titulluar "Si u shkatërrua Jugosllavia", që u cilësua si një përmbledhje e dëshmive autentike të procesit të shthurjes së federatës së dikurshme jugosllave. Ai tha se gjatë ekzistimit të federatës, çështja e Kosovës nuk kuptohej drejt nga komuniteti ndërkombëtar. "Bota nuk e ka kuptuar mjaft mirë çështjen e Kosovës. Mendohej se shqiptarët janë pakicë kombëtare, por unë kamë thënë se në Kosovë shqiptarët gjithnjë ishin shumicë. Ne sllavët vijmë në këtë pjesë në shekullin e shtatë ndërsa shqiptarët dhe ilirët ishin këtu". Ndërkohë, ish presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, tha se presidenti Mesiq, ishte referencë për të gjitha zhvillimet ë kohës që janë pasqyruar edhe në librin e tij. "Nga faqja e parë deri në të fundit e gjejmë përkushtimin shpirtëror të dëshmisë së gjallë, të analizës së thellë dhe të saktë të Stjepan Mesiqit. E kemi ndjekë dhe e kemi përcjellë atë kohë dhe ka qenë kohë që emri i tij ka qenë referencë dhe them se siç ka qenë referencë për zhvillimet e atëhershme do të jetë për breza të tërë edhe pas nesh referencë ky libër me një përmbajtje të thellë". Ndërsa ish presidenti i Shqipërisë, Alfred Mojsiu, tha se presidenti Mesiq është mbështetës i madh i popullit shqiptar dhe ka dhënë një ndihmesë të madhe për qëndrueshmërinë në tërë Ballkanin. "Presidenti Stjepan Mesiq është njeriu më pro shqiptar, më pro kosovar, që unë kam njohur nga udhëheqësit e rajonit dhe këtë ai e ka treguar jo thjesht me dëshirat e tij, por e ka treguar në vazhdimësi me planin e drejtë për zgjidhjen e problemeve që ka pasur Kosova, që kanë pasur shqiptarët, por jo vetëm kaq. Presidenti Mesiq ka dhënë një kontribut të madh për rritjen dhe forcimin e stabilitetit në rajonin e Ballkanit". Kroacia ishte në mesin e vendeve të para që njohu pavarësinë e Kosovës një muaj pas shpalljes së saj më 17 shkurt të vitit 2008. Në qershor të atij viti, Kroacia dhe Kosova vendosën marrëdhënie diplomatike. Ajo argumentoi në favor të pavarësisë së Kosovës, gjatë seancave dëgjimore mbi ligjshmërinë e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Roli i ish presidentit Mesiq, në Prishtinë është vlerësuar shumë i madh dhe për këtë arsye ai gjatë vizitës së parë në Kosovë në janar të vitit 2010 qe dekoruar me medaljen e pavarësisë dhe mori titullin qytetar nderi i Prishtinës. Sot ai do të shpallet "Doctor honoris causa" nga Kolegji universitar privat AAB Riinvest.