Njerëzit e Prishtinës i kemi në çdo edicion me shumicë, andaj këtë herë vendosëm që të vijmë këtu dhe tu tregojmë një pjesë shumë të vogël të programit që do të mund ta shijojnë në edicionin e dhjetë të festivalit, është shprehur Nurkollari në një konferencë për media para se të shfaqen filmat.
Dokufesti i ka paralajmëruar kryeqytetasit se çfarë i pret në edicionin e dhjetë. Të martën, ekipi i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar ka zbarkuar në Prishtinë. Katër ditë para se të nisë edicioni jubilar në Prizren, Dokufesti ka ndezur projektorët me shfaqjen e shtatë filmave në platenë pranë hotelit Grand. Ata përbëjnë një copëz të afro 200 filmave që do të shfaqen për një javë në festivalin që nis më 24 korrik. Katër ditë më herët po i njëjti ekip dhe program është shfaqur në Tiranë.
Në kryeqytetin shqiptar kemi kaluar shumë mirë dhe jemi pritur këndshëm. Sipas indikatorëve që i kemi vërejtur dhe komenteve e lajmeve në media mund të konsiderojmë që sivjet do të kemi shumë njerëz nga Tirana, ka thënë Veton Nurkollari. Drejtori artistik i festivalit nuk dyshon që edhe sivjet prishtinasit të jenë publiku më i madh në Prizren.
Njerëzit e Prishtinës i kemi në çdo edicion me shumicë, andaj këtë herë vendosëm që të vijmë këtu dhe tu tregojmë një pjesë shumë të vogël të programit që do të mund ta shijojnë në edicionin e dhjetë të festivalit, është shprehur Nurkollari në një konferencë për media para se të shfaqen filmat.
E programi që prishtinasit të martën mbrëma e kanë shijuar në kinemanë e improvizuar të plateja e hotelit Grand ka qenë i larmishëm për nga historitë.
10 Minuta me regji të Ahmed Imamoviq ka sjellë historinë sesi dhjetëminutëshi mund të jetë fatal në jetën e dikujt. Tregimet e programit kanë vazhduar me dokumentarin që shtjellon një histori duke e lidhur një masë të madhe të fotografive që kanë të bëjnë me bombën-A të Hiroshimës, i përthekuar në titullin 200.000 Phantoms për të vazhduar më pas me filmat e dokumentarët si Yuri Lenon Landing on Alpha, Incident by a Bank e The Death of an Insect.
Një komedi e errët e animuar për ballafaqimin e një çifti në pushime me një burrë që ata mendojnë të jetë vrasësi Zodiak i përthekuar në Something left, something taken, së bashku me rrëfimin se si një virus i panjohur ka shkatërruar pothuajse të gjithë popullatën njerëzore dhe se të vetmit njerëz që mbijetojnë ikin në det nën titullin ARK, kanë përmbyllur programin e së martës të Dokufestit në Prishtinë.