Mungesa e mallrave serbe e gëzon edhe kryeministrin Hashim Thaçi, i cili po mundohet të qetësojë votuesit e tij që pas temës së zhveshjes së disa deputetëve nga imuniteti të tregojë pak patriotizëm (më në fund) dhe të thotë se këtu ka shtet që quhet Republika e Kosovës dhe se duhet njohje reciproke për të vazhduar tregtinë e mëparshme.
Gjergj Filipaj
Më në fund një lajm i mirë edhe për Kosovën. Pas disa muajsh presioni mediatik ndaj Qeverisë së Kosovës u mor një vendim i cili e mbështet konceptin mbi të cilin është ndërtuar tërë qeverisja e kryeministrit Hashim Thaçi. E kjo është ruajtja e pushtetit dhe kësaj radhe qëlloi të jetë edhe mbase padashje mbrojtja e interesave të shtetit të Kosovës karshi fqinjit tonë verior Serbisë - agresorit të dikurshëm, i cili pasi vrau jo pak shqiptarë të Kosovës, rrafshoi fshatra e lagje të tëra qytetesh, vendit tonë iu rikthye si partner tregtar duke i shitur tulla dhe material tjetër ndërtimor.
Po them padashje sepse qeveria aktuale vendimin e ndalimit të mallrave serbe ka mundur ta marrë fare lehtë pas orës 15:00 të 17 shkurtit 2008. Por, në vend të kësaj pavarësinë e ka festuar mes tjerash edhe me produktet Made in Serbia. Nuk mund të besoj se më 17 shkurt dhe ditëve në vijim të mos jetë konsumuar medeno srce, krem bananica, apo smoki i pashmangshëm. Kryesisht kanë qenë mallrat e prodhuara nga biznesmenë serbë si Miroslav Mishkoviq, ato që e kanë ngarkuar lukthin mes tjerëve edhe të zyrtarëve qeveritarë në ato ditë euforie.
E kur flas për të kaluarën skam si të mos kthehem te fushatat e Vetëvendosjes. Besoj se qeveria e Thaçit i mban mend ato afishet dhe posterat e Vetëvendosjes që ftonin popullatën për ta dëmtuar Serbinë duke mos ia blerë produktet. Qeverisë iu deshën disa vite që ta përqafonte këtë politikë të mosngrënies më të çipsave, biskotave, bonboneve dhe çokollatave serbe - të mos e lë anash edhe jaffa keksin me portokall dhe çokollatë të shkrirë në një ambalazh toksik. Me tu mbush goja lëng apo jo?
E tani ëndrrës kosovare siç mund të quhet tregtia fitimprurëse qindramilionëshe e Serbisë me disa komercialistë shqiptarë të vendit tonë të strukur si zogj në klloçkën e tyre politike, si në qeveri ashtu dhe në opozitë i ka ardhur fillimi i fundit. Marketet e mëdha në zonën industriale të Fushë- Kosovës duhet tashmë të mendojnë për zëvendësimin e produkteve serbe.
Për momentin nuk ka import të produkteve serbe në tregun kosovar. Kjo besoj i bën të ndihen mirë banorët e Kosovës, duke mos llogaritur pronarët e qendrave tregtare, ata ma merr mendja janë të zhytur në mendime se ku do blejnë mall tani sepse biznesin me Serbinë ka filluar ta marrë dreqi. Patriotizmi nga ky moment nuk matet më me kartën e vullnetarit të UÇK-së por me mospasjen e mallrave serbe në raftet e dyqaneve.
Mungesa e mallrave serbe e gëzon edhe kryeministrin Hashim Thaçi, i cili po mundohet të qetësojë votuesit e tij që pas temës së zhveshjes së disa deputetëve nga imuniteti të tregojë pak patriotizëm (më në fund) dhe të thotë se këtu ka shtet që quhet Republika e Kosovës dhe se duhet njohje reciproke për të vazhduar tregtinë e mëparshme.
Meqenëse ai përmes presionit ndërkombëtar duket se po i lëshon nga dora shokët e luftës tani duhet të shfaqë patriotizëm duke i ndaluar mallrat serbe në kufi së paku deri në shtator, deri kur besoj se ka edhe rezerva të mjaftueshme nëpër depot e Kosovës. Shtatori është i rëndësishëm sepse vetëm aty do të shihet se cili është reagimi i Serbisë dhe lehtësuesve evropianë të bisedimeve. Fare lehtë në shtator kryeministri mund të mbetet pa shokë por edhe me mallra serbe nëpër vitrinat e dyqaneve.
Zëri