E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Një instrumentalizim i këtillë i nocionit ‘Evropë’ tashmë është bërë ‘politikë’ dhe ‘strategji’ sistematike, duke u shndërruar në ‘shkop dhe karrotë’ në duar të gjithë atyre të cilët i përdorin ato sa herë që e do nevoja për të mbuluar qëllimet, prapavijat si dhe bëmat e tyre.
Nė mes Evropės dhe Ballkanit!







Sali Shasivari

Para rreth një muaji, më rastisi të marr pjesë në një konferencë të të rinjve muslimanë e cila u organizua në ndërtesën e Parlamentit Evropian. Ishte ditë e premte, andaj, nga kurreshtja, pyeta vehten: a thua vallë çka do të ndodhë me namazin e xhumasë (ndonëse shumica e participantëve ishin udhëtarë dhe nuk e kishin obligim faljen e xhumasë)?! Mirëpo, ende pa e mbaruar mendimin tim në lidhje me çështjen në fjalë, organizatorët na njoftuan se namazi i xhumasë do të falet me xhemat në një nga sallat e ndërtesës së parlamentit. S’do mend se një lajm i këtillë, aq sa më gëzoi, në të njejtën kohë më nxiti shumë pikëpyetje dhe dilema në kokë... Andaj, një pjesë të këtyre dilemave dhe pikëpyetjeve po e ndaj me ty lexues i nderuar.

Pyetja e parë që m’u rrotullua në kokë ishte se a thua vallë, po të na ‘qeshte’ fati që të ndodheshim në një nga parlamentet e vendeve të Ballkanit, a do të guxonte dikush që të mendojë për një ‘luks’ të këtillë?! Përgjigjja ndaj kësaj pyetje ishte sa e shpejtë, po aq edhe dëshpruese, ngase, edhe nëse dikush do të merrte guximin të parashtrojë një kërkesë të tillë, me siguri se do të mbaronte në bankën e të akuzuarve, duke e etiketuar si fundamentalist, ekstremist dhe armik i vlerave dhe qytetërimit evropian! Madje, sa e sa ‘muhabete’ tjera do të thurreshin në lidhje me një qëndrim të tillë, duke pohuar se ‘në Evropë nuk shkohet me njerëz dhe ide të këtilla’ dhe se ‘Evropa është kështu e ashtu...’...; biseda dhe ‘leksione’ këto të cilat jemi mësuar t’i dëgjojmë në vazhdimsi nga njerëz dhe qarqe të cilat janë mësuar që nocionin ‘Evropë’ ta shfrytëzojnë si mbulojë dhe mburojë të qëllimeve të tyre meskine, duke u munduar kështu që paranojat dhe ndjenjën e tyre të inferioritetit t’ua imponojnë edhe të tjerëve.

Një instrumentalizim i këtillë i nocionit ‘Evropë’ tashmë është bërë ‘politikë’ dhe ‘strategji’ sistematike, duke u shndërruar në ‘shkop dhe karrotë’ në duar të gjithë atyre të cilët i përdorin ato sa herë që e do nevoja për të mbuluar qëllimet, prapavijat si dhe bëmat e tyre. Madje, jo vetëm kaq, por njerëzit e këtillë marrin të drejtën që të etiketojnë kë të duan dhe si të duan, e çka është më e keqja, ata mendojnë se janë përfaqësuesit e vetëm dhe të denjë të Evropës dhe vlerave të saj; se ‘barometri’ i përkatësisë evropiane ndodhet në duart e tyre; dhe se vetëm ata mund të masin përkatësinë evropiane të dikujt si dhe vetëm ata kanë të drejtë të vendosin se çka është evropiane e çka jo; duke pretenduar në këtë mënyre të jenë edhe ‘më katolikë se vetë Papa’!

Qasja dhe mentaliteti i këtillë është bërë përditshmëri në shoqëritë tona në tranzicion, ku, disa individë dhe qarqe të caktuara - të cilëve ju pëlqen ta quajnë vehten ‘pro-evropjanë’ - nocionin ‘Evropë’ e shfrytëzojnë si mburojë të tyre sa herë që nuk ju pëlqen diçka, e të cilën nuk janë në gjendje që ta ‘sulmojnë’ përmes fuqisë së arsyes. Një alibi i këtillë zakonisht shfrytëzohet kur janë në pyetje çështjet që kanë të bëjnë me besimin islam. Së këndejmi, në qoftë se në ndonjë rast përmendet ndërtimi i ndonjë faltore/xhamie, përgjigja e tyre automatike është se ‘me xhamia nuk shkohet në Evropë’. Madje, mos dhashtë Zoti që atyre të ju përmendet ndërtimi i ndonjë xhamie apo qendre islame në qendër të kryeqytetit apo ndonjë qyteti, me ç’rast, do t’i shohish ata duke u krekosur dhe duke kërcyer sa këtu e atje, në shenjë ‘revolte’. Mirëpo, të mjerët, harrojnë se, Evropa, të cilën e synojnë këta ‘alien’, që moti ka pastruar me çështjet e këtilla. Kështu, përpos faktit që në shumë kryeqendra Evropiane xhamitë janë të pozicionuara në zemër të qytetit (siç është rasti me Qendrën Islame në Bruksel, e cila ndodhet në distancë jo më të largët se disa qindra metra nga ndërtesa e Parlamentit si dhe Komisionit Evropian), tashmë, në disa qytete Evropiane, xhamitë po ndërtohen me fonde të qeverive si dhe vet Unionit Evropian (siç është rasti me xhaminë/Qendrën Islame në Duisburg të Gjermanisë, për ndërtimin e së cilës Qeveria Gjermane bashkë me Unionin Evropian investuan rreth 4 milion Euro).

‘Çmenduria’ e individëve dhe qarqeve të këtilla në disa raste i tejkalon gjitha kufijtë e realitetit dhe arsyes së shëndoshë, duke shkuar aq larg, sa që fanatizmi dhe urrejtja e tyre verbëruese i bën që të fantazojnë se, përmes demagogjisë së tyre injorante ata do të jenë në gjendje ta ndryshojnë përbërjen demografike dhe faktet statistikore të këtyre trojeve! E, sikur Evropa nuk din statistikë, demografi dhe llogari, por ka mbetur për këta qyqarë që të hedhin pluhur në sytë e Evropës dhe mbarë botës!

Përmes një qasje dhe mentaliteti të këtillë, këta ‘protagonistë evropianë’ dëshirojnë ta vendojnë vehten në pozitën e ‘avokatit’ dhe ‘arbitrit’ i cili vlerëson kush dhe sa është evropian; dhe se çdokush tjetër që mendon ndryshe, apriori shpallet kundërshtar dhe armik i vlerave evropiane.

Si rrjedhojë e një qasje të këtillë; si rezultat i demagogjisë së këtyre kripto-evropjanëve; dhe si pasojë e mosnjohurive elementare të realitetit Evropian dhe kulturës së saj, neve na shkuan shumë vite huq duke i dëgjuar rrenat dhe mashtrimet e tyre me të cilat mundohen ta hipnotizojnë popullatën e rëndomtë. E popullata e mjerë vazhdon t’ju besojë mashtrimeve të tyre dhe të ëndërrojë për Evropën e panjohur.

Po të ishin të sinqerta klithmat e gjithë atyre që hiqen si ‘evropjanë’ të denjë dhe si njerëz tejet të brengosur për ardhmërinë evropjane të këtyre vendeve, me siguri se realiteti ynë jetësor do të ishte shumë më i mirë nga ai që është... Mirëpo, një fjalë e urtë thotë “Fjalët si demushi, punët si kurkushi”... Kjo, ngase realiteti faktik është shumë ndryshe nga ajo që pretendojnë ata, edhe atë, për disa shkaqe:

Ngase, interesi i tyre për Evropën nuk tejkalon përmasat e demagogjisë me qëllim të arritjes së një prestigji apo në funksion të përfitimit të ndonjë metaliku.
Ngase veprat e tyre janë në kundërshtim të plotë me fjalët që i flasin... Me ç’rast, po të gjurmosh pak më thellë biografinë e tyre, do të kuptosh se bëhet fjalë për persona për të cilët më pak që mund të thuhet është se janë të korruptuar moralisht apo materialisht.
Ngase Evropa është shumë ndryshe nga ajo që pretendojnë, dëshirojnë dhe proklamojnë këta pseudo-evropjanët tanë të mjerë.

Fundja, Evropa e sotme - të cilën e njohin të gjithë - është vendi ku mbi të gjitha vlerësohen parimet, kriteret dhe puna, e më pak fisi dhe përkatësia. Dhe se ka kaluar koha e asaj Evrope mesjetare skolastike, kur gjërat mateshin me parametrat e demagogëve, çifti i atyre për të cilët folëm më lartë.

Por, si duket, disa personave dhe qarqeve u është ndalur ora diku në mesjetë, e assesi të ju kurdiset. Kjo, si rezultat i ndryshkut të fanatizmit dhe injorancës që i ka kapluar.

O Zot, fali, ngase janë të padijshëm!

Publikuar: 01.08.2011 | 17:01
Lexuar: 520 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime