Ndër të tjera, Bozdo theksoi se gjetja kryesore e këtij raporti është fakti, që investimet e huaja direkte globale për vitin 2011, akoma nuk kanë arritur nivelet para krizës globale
Për herë të parë, Shqipëria kapërcen shifrën prej 1miliard dollarë nga prurja e investimeve të huaja direkte. Këtë e ka bërë të ditur zv/ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo.
Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin UNCTAD prezantoi sot raportin e investimeve botërore për vitin 2011. Sipas këtij raporti, Shqipëria u bë kështu, vendi i dytë në Europën Juglindore.
Ndër të tjera, Bozdo theksoi se gjetja kryesore e këtij raporti është fakti, që investimet e huaja direkte globale për vitin 2011, akoma nuk kanë arritur nivelet para krizës globale.
Shqipëria pozicionohet në vendin e 18-të, në botë për indeksin e performancës së investimeve të huaja direkte nga vendi i 78-të, në vitin 2006. Ajo ka bërë përmirësime të dukshme lidhur me indikatorët, që lidhen me infrastrukturën fizike, furnizimin me energji elektrike dhe kushteve të tjera për investime.
Fluksi i IHD në Shqipëri ka ndjekur një trend të ndryshëm dhe pothuaj të pavarur nga trendi rajonal dhe global duke treguar një rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit.