Ky projekt menaxhohet nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian dhe implementohet nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim në partneritet me Këshillin Danez për Refugjatë.
B. Toska
Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian ka ndarë grante për 19 projekt-propozime të komunave të ndryshme në Kosovë, të cilat kryesisht do të kenë si pikësynim krijimin e zonave të gjelbërta, ruajtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore, renovimin e objekteve sportive dhe rinore, si dhe fasadat e ndërtesave publike.
Ky është raundi i parë i granteve, të cilat janë përzgjedhur përmes ftesës për propozime për projektin e financuar nga BE-ja Beautiful Kosovo apo Kosova e bukur. BE-ja do të financojë 19 projekte në vlerë prej 1.421.511,17 euro, me të cilat pritet të krijohen vende pune për përafërsisht 600 njerëz.
Synimi i projektit të BE-së Beautiful Kosovo (EU-BK) është të bëhet identifikimi i projekteve të vogla dhe të mesme nëpër komuna, të cilat synojnë krijimin e vendeve të punës, posaçërisht për të rinj dhe grupet e margjinalizuara dhe do të rezultojnë me infrastrukturës urbane.
Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në qershor të vitit 2011, ka shpallur raundin e parë të ftesave për propozime (FpP) për komuna. Raundi i dytë i ftesave për propozime do të shpallet në vitin 2012, ku të gjitha komunat do të ftohen për dorëzimin e aplikacioneve të reja për projekt-propozime.
Në mënyrë që të merren parasysh për financim, komunat inkurajohen që të dorëzojnë formularët e plotësuar për aplikim. Ky projekt i financuar nga BE-ja, menaxhohet nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian dhe implementohet nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim në partneritet me Këshillin Danez për Refugjatë.
Projektet janë të shpërndara nëpër regjione ekonomike si në vijim. Regjioni ekonomik në veri, renovimi i fasadave të çerdheve dhe qendrave kulturore në Skënderaj. Regjioni Ekonomik në Jug, ndërtimi i parkut rreth Liqenit të Qytetit në Malishevë. Renovimi i oborrit të shkollës të fshatit Ratkoc dhe krijimi i zonave të gjelbërta përgjatë trotuareve në qendrën e qytetit të Rahovecit.
Regjioni Ekonomik Lindje, fontanë në parkun e qytetit në Han të Elezit. Krijimi i zonave të gjelbërta dhe shtigjeve për ecje përgjatë lumit Nerodime në Kaçanik. Renovimi i shtratit të lumit në Ruboc në Kamenicë. Ndërtimi i çerdhes për fëmijë në Kllokot. Riparimi i shtigjeve për ecje dhe parkut në Kalanë e Novobërdës vend turistik.
Regjioni Ekonomik Perëndim, renovimi i oborrit të shkollës dhe objektit sportiv dhe krijimi i parkut të qytetit në Gjakovë. Renovimi i Kullës së Hoxhajve monument dhe vend turistik. Junik. Restaurimi i urës së vjetër dhe renovimi i shtratit të lumit Klina Mbrojtja e Trashëgimisë Kulturore në Klinë.
Renovimi i parkut të qytetit në Karagaç dhe renovimi i hapësirës publike afër stadiumit futbollistik në Pejë. Regjioni Ekonomik Qendër, renovimi i oborrit të shkollës në: Drenas. Restaurimi i Kishës Shën Petka dhe pastrimi i lumit në Graçanicë.