Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës, Behxhet Pacolli, tha se ka qenë në dijeni rreth planit për intervenim në veri të vendit. Se a kishte koordinim të brendshëm rreth intervenimit në veri, Pacolli është shprehur se ka pasur koordinim dhe plani është zbatuar pikë për pikë.
Fadil Sertolli
Vendimi për ti dërguar forcat ROSU në veri të Kosovës, akoma nuk dihet nëse ka qenë, krye në vete i kryeministrit Hashim Thaçi, i Kabinetit Qeveritar apo i koordinuar nga të gjithë ata që marrin vesh nga çështjen e sigurisë. Dy javë pasi njësitë speciale të Kosovës marshuan drejt veriut, nuk dihet e vërteta se kush me kënd u mor vesh që të intervenohet në veriun e rebeluar nga ekstremistët dhe kriminelët serbë.
Derisa ministrat e kabinetit Thaçi thonë se kanë qenë në dijeni për aksionin e policisë dhe për strategjinë e ekzekutivit për të venë kontroll mbi veriun, ligjvënësit kosovarë dhe ekspertët e sigurisë e shohin me dyshim këtë. Madje, këta të fundit dyshojnë nëse ka pasur strategji vepruese, por sipas tyre, ka qenë një vendim i shpejtë dhe i pa koordinuar brendapërbrenda faktorit politik kosovar.
Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës, Behxhet Pacolli, tha se ka qenë në dijeni rreth planit për intervenim në veri të vendit. Se a kishte koordinim të brendshëm rreth intervenimit në veri, Pacolli është shprehur se ka pasur koordinim dhe plani është zbatuar pikë për pikë.
Ka qenë plani A, plani B dhe ka qenë koordinimi shumë i mirë. Pjesë e planit ka qenë edhe vizita e famshme në veri e imja me ministrin Bajram Rexhepi dhe ministren Mimoza Kusari. Edhe më tutje çdo gjë ka shkuar sipas planit të paraparë. Pra, përfundimisht ka pasur një plan të caktuar, i cili është implementuar pikë për pikë, ka thënë Pacolli.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka thënë se për të intervenuar në veri nuk ka pasur nevojë kryeministri të konsultohet me askënd.
Kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar nga unë, ndërkaq unë kam kërkuar nga Shpendi (Shpend Maxhunaj-u.d. i komandantit të Policisë) që të intervenohet në veri dhe kaq ka qenë komunikimi, ka qenë i prerë ministri Rexhepi.
Nga ana tjetër, rreth asaj se a kishte koordinim ndërinstitucional, Arbër Vllahiu nga Presidenca e Kosovës, ka thënë se kjo është çështje e bashkëpunimit ndërinstitucional. Ai nuk ka dashur të flasë më tutje për këtë temë.
Kurse, anëtari i komisionit parlamentar për siguri në Kuvendin e Kosovës, Rexhep Selimi, ka thënë se nuk kanë pasur as informatën më të vogël për intervenim në veri. Sipas tij, tek pas intervenimit komisioni ka mbajtur një mbledhje urgjente dhe e ka thirrur ministrin e Brendshëm të tregojë se për çfarë bëhet fjalë.
Madje, as pasi kemi takuar ministrin e Brendshëm, ai nuk ka mundur të na japë asnjë informatë rreth kësaj çështjeje. Me sa duket edhe ai ska qenë i informuar për këtë, ka thënë Selimi.
Ai ka thënë se nuk ka ndonjë rregullore që e përcakton saktësisht se si duhet të veprohet në këtë rast, mirëpo siç është shprehur Selimi, është e natyrshme dhe e logjikshme që ndoshta jo për formën e operacionit, por për natyrën politike të veprimit, kryeministri është dashur të konsultohet patjetër me komisionin parlamentar për siguri.
Sipas tij, kjo është dashur të bëhet për faktin se njerëzit në këtë komision janë të zgjedhurit e qytetarëve dhe rrjedhimisht vullneti i qytetarëve është dashur të jetë i informuar.
Teknikisht këto janë të dhënat, mirëpo politikisht intervenimi në veri ka mbështetjen tonë edhe të komisionit, por edhe të Vetëvendosjes, si i ligjshëm dhe i nevojshëm. Kurse në aspektin profesional analizat do ti bëjmë më vonë, sepse ka çka të analizohet, mirëpo për shkak se qeveria është ende në fazën e veprimit ne jemi të përmbajtur në kritikat tona ndaj operacionit në veri edhe si komision edhe si Vetëvendosje, ka thënë Selimi, duke shtuar se qëndrimi i të dyjave nuk dallon aspak.
Nga ana tjetër, eksperti për çështje të sigurisë, Ramadan Qehaja ka thënë se po të ishin gjërat krejt në rregull do të ishte nevojë që të konsultohej Këshilli për Siguri Kombëtare. Sipas tij, ky këshill do të duhej të mblidhej dhe të shtrohet çështja aty dhe ky më pas ti jepte rekomandimet e veta, të cilat janë të obligueshme për të gjithë ato subjekte që marrin pjesë në atë operacion.
Mirëpo, ashtu siç është tash, pa dashur ta mbroj ndoshta vendimin joadekuat në veri, dua të theksoj se intervenimi në veri ka qenë një moment shumë delikat, një moment kur është vendosur aty për aty, sepse ashtu ka qenë situata e krijuar pas embargos, ka thënë Qehaja.
Sipas tij, është dashur të shkohet në befasi në bërjen e kësaj detyre, të bëhet një depërtim, të bëhet një punë shumë e madhe, edhe pse është ditur se do të ketë shumë probleme dhe do të ketë rezistencë të fortë. Prandaj, ka thënë Qehaja, ka qenë një moment që nuk ka pasur kohë për të ti konsultuar të gjithë. Por sidoqoftë, siç ka thënë ai, në aksionet e mëvonshme që do të pasojnë nuk guxon të ndodhë një gjë e tillë.
Në aksionet e mëvonshme duhet të shkohet në koordinim të plotë, jo vetëm me partitë politike por me të gjitha subjektet që kanë të bëjnë me çështje të sigurisë dhe me çështje politike, ka thënë Qehaja.
Gazeta Zëri ka bërë përpjekje që ti kontaktojë edhe ministrat tjerë të Kabinetit Thaçi 2, por ka qenë e pamundur të kontaktohen.
(Zëri)