Pas marrjes së vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për vënien e masave të reciprocitetit me Republikën e Serbisë, konform rregullave ndërkombëtare, tani është momenti që ekonomia e Kosovës të shohë për zëvendësimin e produkteve që kanë ardhur nga këto dy vende, për të cilat ne kemi vënë reciprocitet, tha Beqaj
Zv/ministri I Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të Shqipërisë, Enno Bozdo priti sot në një takim Ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Besim Beqaj. Marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, dhe hapat konkretë të këtyre marrëdhënieve pas embargos që Kosova I ka vënë Serbisë ka qenë pjesë e bisedës mes Bozgos dhe Beqajt. Për Ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, synimi I këtij takimi ishte rritja e bashkëpunimit ekonomik mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
Pas marrjes së vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për vënien e masave të reciprocitetit me Republikën e Serbisë, konform rregullave ndërkombëtare, tani është momenti që ekonomia e Kosovës të shohë për zëvendësimin e produkteve që kanë ardhur nga këto dy vende, për të cilat ne kemi vënë reciprocitet, tha Beqaj. Sipas tij, Shqipëria është parë nga Kosova si një treg me potencial të madh për bashkëpunim ekonomik në Republikën e Kosovës.
Ka ardhur koha të jepet më shumë hapësirë, më shumë përkrahje institucionale bizneseve të vendeve tona në mënyrë që ky këmbim të mos mbetet thjesht tregtar, por të shfrytëzohet edhe për investime kapitale afatgjata, tha Beqaj. Ndërsa zv/ministri Bozgo, duke u ndalur tek aplikimi më i fundit i Kosovës, për parimin e reciprocitetit, tha se qeveria e Shqipërisë mbështet dhe mirëkupton hapat e fundit të qeverisë së Kosovës për aplikimin e parimit të reciprocitetit, i cili është brenda të gjithë mekanizmave që marrëveshja tregtare CEFTA ka parashikuar. Sipas tij, kjo është një çështje që i takon jo vetëm Shqipërisë e Kosovës, por bashkëpunimit ekonomiko- tregtar të të gjitha vendeve të rajonit.
Gjatë këtij takimi është folur dhe për bashkëpunimin energjetik. Linja 400 kv Tiranë-Prishtinë, është duke bërë progres, kjo linjë do të plotësojë më së miri unazën e energjisë brenda vendeve tonave dhe shkon në përputhje të plotë me të gjithë strategjinë e komunitetit të energjisë, i cili synon të përmirësojë rrjetin e shpërndarjes, prodhimin e energjisë alternative dhe asaj të rinovueshme, tha Bozdo .
Kosova është duke planifikuar prodhimet alternative të energjisë elektrike në vitin 2020, një plan që kërkon bashkëpunim në nivel rajonal.