Autori përshkruan të gjithë elementet e kësaj dukurie etnomuzikore popullore shqiptare si: etimologjia e fjalës, koncepti për botën e përtejme, dëshmitë e hershme në lidhjet me të qarët me bote, ksodhi-kësolli, kulti i diellit, vajtimi masiv, simbolika e ngjyrave kuq e zi të identitetit kombëtar shqiptar.
Prof. Dr. Agron Fico
Vajet në Shqipërinë e Jugut
Vasil Tole shkruan se në këtë shakllëzim të vajtimit, futet edhe e qara me bote, në të cilën gjenden rrënjët e prejardhjes së iso-polifonisë popullore shqiptare në Shqipërinë e Jugut. Dhe më tej shkruan: e qara me bote, shihet si bërthama arkaike e të menduarit dhe e praktikës muzikore shumëzërashe, por njëkohësisht edhe lënda artistike, që krijoi ansamblin e parë artistik në botë: korin.
Autori, siç duket, ka marrë përsipër detyrën e vështirë të trajtimit të enigmës problemore të burimit, zanafillës së iso-polifonisë popullore shqiptare. Prandaj ka vënë në qendër të kërkimit dhe të studimit shqyrtimin e detajuar të vajtimit e qara me bote edhe për karakterin arkaik, sipas asaj që shkruante Faik Konica më 1887. E qara me bote, si një vajtim tragjik njerëzor me grupe (burrash e grash), është lidhur ngushtë me reagimin e jetës pas vdekjes, për të triumfuar artistikisht ndaj saj.
Autori përshkruan të gjithë elementet e kësaj dukurie etnomuzikore popullore shqiptare si: etimologjia e fjalës, koncepti për botën e përtejme, dëshmitë e hershme në lidhjet me të qarët me bote, ksodhi-kësolli, kulti i diellit, vajtimi masiv, simbolika e ngjyrave kuq e zi të identitetit kombëtar shqiptar.
E qara me bote haset edhe si e qarë me vome në Malëshovë, Përmet. E qara me bote ruan në strukturën e saj bërthamën e shumë zërave, të lidhura ngushtë me ison, këtë ngashërim masiv të pjesëtarëve në të qarën me bote. Aq i fortë është emocioni që sjell e qara me bote sa në Gjirokastër thonë kulloi odaja nga lotët.
Autori, në dëshmitë e hershme të qarjes me bote sjell dhe permend të dhëna arkeologjike, historike, arkeomuzikore, burimesh autorësh antikë etj. për kultin e diellit, për vendndodhjen e Hadit ose mbretërinë e vdekjes, Lumin e vdekjes - Akerontin etj, që lokalizohen vetëm si të tillë në rajonin e maleve të Sulit, Thesprotia e dikurshme, Çamëria e sotme. Tole nga ky parashtrim historiko-gjeografik shtron pyetjen se cila është lidhja e vajtimit shumëzërash me vendndodhjen gjeografike të Hadit? Nga argumentet e faktet që sjell, autori anon nga mendimi se Thesprotia, Çamëria e sotme, mund të jetë djepi i lindjes së të qarit me grupe, të qarit me bote.
Vajtimi me bote është pjesë e një vajtimi masiv të errët mistik, një vajtim i përmotshëm solo dhe në grup, një e qarë deklamuese dhe muzikore njëherazi, pra një vajkëndim.E qara me bote e iso-polifonisë është kulturë shpirtërore kundër dhembjes që shkakton vdekja e njeriut të familjes ose të të njohurit.
Vajtimi bëhet nga burrat dhe nga gratë, sipas zakoneve që ka vdekja në vende dhe zona të ndryshme të Shqipërisë së Jugut, kryesisht në fshat, i cili është vendi ideal i ruajtjes i këtyre relikeve mijëravjeçare. E përbashkëta gjatë vajtimeve është nderimi ndaj të vdekurit, i cili gjatë ritualit të vajtimit vendoset në mjedisin më të mirë të shtëpisë.
Kur vdekja ka ndodhur larg shtëpisë, atëherë ndodh dhënia e mandatës, fatkeqësisë, nga njerëz të afërm të familjes. Kronisti turk Evlija Çelebia, në vitet 1660-1664, shkruante se ...Gjirokastritët kanë një zakon të çuditshëm
që vajtojnë njerëzit që kanë vdekur gjer 70 a 80 vjet përpara. Çdo të diellë gjithë farë e fisi i një të vdekuri mblidhen në një shtëpi dhe
qajnë dhe vajtojnë me zë të lartë dhe mallëngjyes duke derdhur lotët si rrëke.Në rastin e vdekjes së trimave dhe heronjve, e qara me bote bëhet nga burrat, që zakonisht janë një grup i përbërë prej 40 e më shumë.
Kapitullin e fundit, kapitulli i katërt, Tole ia kushton ritualeve tragjike tek Iliada dhe Odiseja e Homerit. Përshkruan ritualet e vdekjes dhe vajtimet për Patroklin, Hektorin dhe Akilin. Edhe në pjesë të tjera të librit gjejmë referime nga poemat homerike.Dihet se Homeri është ati i artit klasik dhe se Iliada dhe Odiseja janë kryevepra të njerëzimit, që kanë mbetur modeli më i lartë dhe i paarritshmë i artit poetik.Homeri ose më saktë çështja homerike u bë objekti kryesor i studimeve krahasuese filologjike nga shkencëtarët amerikanë të Universitetit të Havardit, Milman Parry dhe Albert B. Lord.
Ata, në laboratorin e epikës së popujve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Shqipërinë, zbuluan ligjin e ngjizjes dhe krijimit të poemave homerike. Albert B. Lord shkruan: (Poemat e Homerit do ti kuptonim vërtet vetëm kur të kuptohej e plotë natyra e poezisë gojoreNjohja dhe pranimi i kësaj teorie, që ata e quajtën letërsia gojore, teori e pranuar nga gjithë studiuesit e institucioneve botërore (çdo vit organizohen konferenca shkencore botërore me emrin e Alber B. Lordit) do të mundësonte të perceptoheshin më saktë dhe më gjerë marrëdhëniet, përqasjet, midis ritualeve dhe këngëvajtimet e hershme prehistorike dhe antike të letërsisë gojore të etnosit shqiptar dhe poemave homerike jo vetëm në vijën horizontale, por edhe vertikale e, ndofta të dyja bashkë.
Lambertz, përmend autori, thoshte se qysh në epet e Homerit gjenden forma të njëjta vajtimi, të cilat edhe sot ekzistojnë në Shqipëri (Vepër. cit. 136). Ndërsa Eqrem Bej Vlora vë re se në zona si Myzeqeja dhe Labëria gjenden shumë forma arkaike dhe mbase të rëndësishme për studimin e muzikës së vjetër, por edhe asaj greke të lashtë.