Sipas burimeve, aranzhimet për veriun e Kosovës do të bëhen në frymën e perspektivës evropiane dhe modelit evropian. Disa zona nëpër vende të ndryshme të BE-së, siç është Tiroli Jugor i Italisë, kanë aranzhime të veçanta të funksionimit.
Komunat serbe në veri të Kosovës do të kenë një mekanizëm të përbashkët, ku do të vendosin për veten. Mekanizmi që do të quhet këshilli regjional për veriun do të krijohet në bazë të Pakos së Ahtisaarit. Të njëjtat komuna do të kenë edhe një linjë të veçantë buxhetore e që nuk do të jetë nën kontrollin e Prishtinës. Ato do të marrin në mënyrë të drejtpërdrejtë një përqindje të të hyrave nga doganat e Kosovës, dhe në këtë mënyrë do të kenë autonomi financiare nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Detajet e tjera, si dokumentet, tabelat, funksionimi i gjykatave dhe problemet e tjera, do të zgjidhen në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga BE-ja, dhe me formulën e neutralitetit karshi statusit.
Kështu do të duket autonomia substanciale për veriun e Kosovës, i proklamuar qe një kohë të gjatë nga zyrtarë ndërkombëtarë. Burime diplomatike kanë shpjeguar për gazetën, në kushte anonimiteti, përpjekjet e diplomacisë ndërkombëtare, sidomos asaj të BE-së, për të gjetur një zgjidhje për veriun e Kosovës. Zyrtarët ndërkombëtarë vazhdimisht hezitojnë ta përdorin fjalën "status special", kur flitet për aranzhimet që do të shpinin tek autonomia substanciale.
"Nuk është mirë që të merremi me terma si status special. Aranzhimet nuk kanë për qëllim kurrfarë statusi, ato do të bëhen vetëm për të lehtësuar jetën e qytetarëve dhe funksionimin e asaj pjese të Kosovës", njofton burimi.
Autonomia financiare do të duhej të arrihej në bazë të mirëkuptimit të Qeverisë së Kosovës për përmirësimin e jetës së qytetarëve të veriut, e këshilli regjional në bazë të Pakos sa Ahtisaarit. Plani i ish-presidentit finlandez ua mundëson komunave të Kosovës krijimin e asociacioneve dhe pastaj këshillave regjionale të të njëjtave asociacione.
Sipas burimeve, diplomatët ndërkombëtarë, sidomos ata të akredituar në Prishtinë, nuk e kanë kundërshtuar aksionin e Policisë së Kosovës më 25 korrik për të marrë nën kontroll dy pikat doganore, pasi që askush nuk është i interesuar që Kosova të ndahet, dhe natyrisht se Kosova duhet t`i ketë kufijtë nën kontroll.
Sipas të njëjtave burime, dialogu i nisur muaj më parë në Bruksel gjatë vjeshtës do të trajtojë shumë çështje të ashtuquajtura teknike të funksionimit të veriut të vendit, duke u nisur nga doganat, pastaj gjykatat, dokumentet e qytetarëve atje dhe të tjera. Këto lehtësime, sipas burimeve, do të krijojnë rrethana më të favorshme edhe për avancimin në statusin special të veriut.
Sipas të njëjtave burime, gjithçka mund të realizohet deri nga mesi i vitit të ardhshëm. Sfida kryesore krahas kundërshtimeve që zhvillime të tilla mund të kenë në Prishtinë dhe Beograd, sipas burimeve ndërkombëtare, është kriminaliteti në veri. Asgjë nuk mund të përparohet pa pasur një dekriminalizim të asaj pjese, i ka thënë gazetës një zyrtar i lartë ndërkombëtar.
Sipas të njëjtit burim, çfarëdo aranzhimi për veriun do të jetë i kotë dhe i parealizueshëm përderisa në veri ende vendosin Milan Ivanoviqi e Marko Jakshiqi me grupet e tyre dhe me kryetarët e komunave paralele.
Edhe vetë përfaqësuesit ndërkombëtarë janë skeptikë sa i përket dekriminalizimit të veriut, duke pasur parasysh fuqinë që kanë njerëzit dhe strukturat që për vite të tëra janë pasuruar nga kontrabanda dhe e kanë shfrytëzuar ekonomikisht mungesën e sundimit të ligjit në veri. Këta njerëz janë në gjendje të bëjnë gjithçka që të mbajnë të njëjtën gjendje, sepse përfitojnë nga gjendja ekzistuese. Janë të fuqishëm ekonomikisht dhe me para kanë arritur të manipulojnë edhe qytetarët në atë pjesë. Ata paguajnë edhe grupe të caktuara kriminale për t`i mbështetur. Pika kufitare sipas dyshimeve është djegur nga grupe të paguara të tifozëve dhe ekstremistëve, i ka thënë gazetës një burim tjetër ndërkombëtar, duke e shpjeguar veriun si zonë të krimit.
Sipas burimeve, aranzhimet për veriun e Kosovës do të bëhen në frymën e perspektivës evropiane dhe modelit evropian. Disa zona nëpër vende të ndryshme të BE-së, siç është Tiroli Jugor i Italisë, kanë aranzhime të veçanta të funksionimit.
"Koha Ditore" ka raportuar ditë më parë, bazuar edhe në burime brenda institucioneve të Kosovës, për rritjen e presionit nga bashkësia ndërkombëtare për një autonomi substanciale për serbët që jetojnë në Zubin-Potok, Leposaviq dhe Zveçan, dhe në veri të Mitrovicës.
"Miqtë ndërkombëtarë kanë filluar ta shohin si mision të pamundur integrimin e veriut pas 12 vjetësh shkëputjeje nga pjesa tjetër e shtetit. Dhe, me qëllim të shmangies së konflikteve të armatosura, si rrugëzgjidhje më të pranueshme ata po e shohin dhënien e një statusi special për atë pjesë", ka thënë burimi i gazetës.