Nëpër ullishte, aty-këtu ngrejnë kokë ca ngrehina gjysmake me tabelat "Afrojmë dhoma", ndërsa para bregdetit me zhavorr, ca lokale me emra të huaj krijojnë imazhin e një plazhi bohem.
Nini Mano
- Etja e madhe e përfitimit dhe pasurimit të shpejtë ka mbërthyer sivjet gati në një garë mes tyre banorët e lagjes Shkallë në Borshin e bukur, që së shumti mbajnë të njejtin mbiemër, Lala.
Deti është si përherë, i bukur dhe i ngrohtë në këto ditë gushti, por gjatë pushimeve, ndjen se ajo c'ka afron nga vjet Borshi sot, ka ndryshuar, më së shumti jo për mirë.
Në të zbritur të rrugës drejt detit, prej vitesh mbetur me gropa, plehrat gjithfarë llojsh hedhur anash kanaleve ku gumëzhin kënga e bretkosave, të krijojne ndjesinë e parë se aty nuk ndodh asgjë. Buzë detit ca tenda të zbardhura dhe një tabelë "Pub" me tryeza e stola të vjetra të thonë një mirëseardhje gati si të fikët.
Nëpër ullishte, aty-këtu ngrejnë kokë ca ngrehina gjysmake me tabelat "Afrojmë dhoma", ndërsa para bregdetit me zhavorr, ca lokale me emra të huaj krijojnë imazhin e një plazhi bohem.
Por, kupton se nuk është kështu kur kthen drejt për në lagjen Shkallë. Në krah të hotelit të vetëm Xhelili me 4 kate, sivjet ngrihet skeleti i një pallati 7-katësh, dëshmi se betonizimi i frikshëm i bregdetit ka mbrritur sivjet dhe në Borsh.
Ca banorë vendalinj e thonë nën zë se pronari ndërton në tokën e vet por nuk ka leje ndërtimi. Tek dëgjoj të thënat, kujtohem se në këtë fushë të Borshit ku bien shpesh tërmete, studimet sizmologjike nuk lejojnë ndërtime më shumë se 3 kate. Kuriozohem të di se cdo të ndodhë me këtë ndërtim të lartë.
Ndërtimet që kanë nisur së fundi në zonën e poshtme në bregdet në Borsh, trembin të ardhmen e plazhit të bukur dhe gjelbërimin e mrekullueshëm. Me probleme mbi pronësinë e tokës që nuk mungojnë, kanë nisur ndërtimet në fushë, ku priten portokalle dhe ullinj. Ndërsa më lart, në kodër mbi fshat, pyjet janë rralluar nga prerjet. Dëmi më i madh, thonë se ka ndodhur në vendin pranë një përroi të mrekullueshëm, që e thërrasin Përroi i Kalit, ku drurët transformohen në qymyr druri.
-Në Shkallë banesat vjetërohen, cmimet shtrenjtohen-
Gati të 70 shtëpitë në lagjen Shkallë zbresin nga kodra drejt bregut të detit me një rrjet lokalesh dhe shërbimesh. Bijtë prej vitesh në emigracion në vendet fqinjë shtojnë e ndërtojnë dhoma tip-garsoniere për familjet që pushojnë në verë pranë detit të pastër e të ngrohtë të Borshit, duke e kthyer lagjen në simbolin e turizmit familjar në Borsh.
Një pjesë e banesave afron imazhe të reja me ca tenda në ballkone e veranda. Por, kur akomodohesh në to kupton se dhomat jo vetëm që nuk kanë pësuar ndryshime, por më keq, janë vjetëruar. Të ndërtuara në mënyrë private pa standarde, tashmë në garsionerat -tip në këto banesa ndihet ku më shumë e ku më pak era e lagështirës, që së shumti gjendet pas anekseve të gatimit. E megjithatë, pronarët kanë rritur me 5000 lekë më shumë ofertat këtë vit për pushuesit duke pranuar se ka rënie.
Vetë borshiotët falë liberalizimit të vizave kanë nisur të vizitojnë përherë e më shpesh fqinjin grek dhe ishullin e Korfuzit sidomos që e kanë përballë. Por në fakt marrin prej tyre vetëm krahasimin e çdo cmimi për shërbimet turistike mes tyre.
Tek restorant "Take" ku pronari është edhe peshkatar, krahasimet janë gati-gati të frikshme. "Në Korfuz një pjatë me peshk të egër shitet 6000 lekë, kurse ne e kemi me lirë", të thotë ai. Gati me keqardhje dëgjoj dhe debatoj sepse harrohet që në ishullin grek shërbimi turistik është më se njëshekullor, me standarte ndryshe nga shërbimet që afron turizmi në Borsh. Dhe në restorant, sivjet ka më pak klientë nga vitet e tjerë.
Përkundër kësaj mungese, dasmat kanë nisur të bëhen aty edhe pse mbi restorant gjenden dhomat për pushuesit, që "detyrohen" të dëgjojnë në mes të drekës muzika amatorësh të ndryshme në vend të gjumit dhe pushimit, për të cilin paguajnë.
Një ndërtesë njëkatëshe në oborr ka bërë sivjet Vana, pronarja energjike e një kompleksi garsionerash, bari dhe dyqanit. "Do ta bëj restorant, por do të mbaj çmime më të ulta se të tjerët", premton ajo.
Beni Lala vec kompleksit me 12 garsionere banimi për pushuesit dhe furrës së bukës që ofron prodhimet e grurit dhe misrit, nga simitet, deri tek buka e zezë e thekrës, ka ndërtuar sivjet një supermarket ku gjen gjithcka si në tregjet e "Conad"-it si dhe një punishte embëlsirash.
Në këtë lagje pleqtë luftuan dy vjet deri sa arritën ta ndërtojnë ujësjellësin. Prej tre vitesh u premtojnë pushuesve, që ngjiten disa herë në ditë në një rrugë të mundimshme nga gurët se "vitin që vjen, do të shtrohet dhe rruga".
-Malësorët braktisin tokën, bëhen pronarë turistikë-
Në fund të gjirit të Borshit përgjatë 18 viteve të fundit është ndërtuar e rritur një lagje e re me malësorë ardhur nga Puka, Mirdita dhe Kukësi, që ka në të hyrë një kryq i madh katolik, sikur thotë "këtu jemi ne". Është dëshmi e qartë e përfitimit abuziv nga amullia e ndarjes së tokës edhe në Borsh.
Banorët e saj zhvillojnë sot vec bujqësisë edhe turizëm familjar me ndërtime të reja në këtë cep të mrekullueshëm toke, dikur mbjellë me agrume dhe ullinj. Pasi i prenë, ia dolën të ngrejnë një fshat katolik me rreth 60 shtëpi të reja. E nisën punën aty si krah i lirë pune për pleqtë e mbetur në fshat.
Pasi vjelin në vjeshtë ullinjtë, marrin pjesën e tyre, e përpunojnë në 2 fabrikat e ullirit të Borshit dhe shesin vaj ulliri, ata janë sot muratorët, marangozët e Borshit. Si nikoqirë të mirë, tokën e pakët e mbjellin me perime, që shiten prej grave të tyre çdo mëngjes pranë shtëpive në Shkallë.
Por sivjet, një ndjesi keqardhëse më vjen ndërsa kërkoj perimet me shijen e vendit, të cilat deri vjet, për shumicën e pushuesve të përvitshëm, kanë qënë një nga arsyet tërheqëse drejt Borshit të largët.
Por nuk i gjej më. "Këto fara gjenden sot në treg", justifikohet Mrika, malësorja prej vitesh e njohur për domatet, speckat e të tjera, të mbjella në kopshtin e saj në cepin jugor të Borshit.
-S.O.S: Kujdes me zhurmat e muzikës dhe dritat -
Deri në fillim të viteve '90, plazhi i Borshit ishte pa ndotje mjedisore për parametrat përcaktues të ujit të detit me tejdukshmëri dhe pastërti maksimale e kripëzim brenda standarteve botërore, ku ndotjet nga ujërat e zeza nuk egzistonin, ndërsa plazhin ranor dhe zallishtor e vizitonin vetëm disa dhjetra pushues në disa kabina modeste.
Pas viteve 90, nisi prishja e plazhit me marrjen e rërës nga fadromat e paligjshme të firmave të ndërtimit që gërryen rërën e plazhit deri në daljen e dheut të tokës. Falë kësaj masakre, sot moçalet e para buzë detit trembin studjuesit e mikrofaunës për rrezikun që po ndryshon parametrat e biodiversitetit, rrisin lagështirën dhe kripëzimin, humbin jodizimin e bregut. Gjuetia me dinamit ka rralluar dukshëm peshkun e egër të detit.
Disa foto të mrekullueshme të gjirit të Borshit nga Adrian Zaka gjenden sot nga "Google", ndërsa disa agjenci të huaja udhëtimi e kanë përfshirë zonën ndër bukuritë që duhet të vizitohen.
Por, në Borsh sivjet dritat ikin gati cdo pasdite nga 30 në 90 minuta. Dhe si të mos mjaftojë, deri nga ora 3 e mëngjesit muzika llojshme nga ato moderne, tek muzika tallava në disa pub-e, të lodhin kokën. Asgjë nuk i ndalon edhe pse urdhëri i qeverisë parashikon lejimin e muzikës deri në ora 12.00.
Në pub-in "Albatros", me pronarë nga Saranda, muzika e cmendur vijon pa pushim deri në të gdhirë. Thonë se janë miq të kryetarit të komunës dhe askush nuk u bën dot gjë.
Ndërsa dielli nis të perëndojë, bashkë me mbrëmjen, gati cdo ditë në malet rreth Borshit ndizen zjarre që sjellin në breg të detit aroma mbytëse e tymit të druve dhe shkurreve që digjen..Turizem.
(atsh)