Vështirë të gjeje familje elbasanase që të mos zotëronte disa dhjetëra rrënjë ullinj dhe vaji i tij që përdorej për gatim, traditë që është rikthyer sërisht në vitet e para të demokracisë.
Miranda Sadiku
- Pema e ullirit, si një kurorë e thurur me degët e tij nga lashtësia e deri në ditët tona, simbolizon paqen. Amforat e mbushura me prodhimin e tij vlerësoheshin po aq sa edhe erëzat që vinin nga vendet e lindjes.
Është kthyer në legjendë detyrimi që u vuri Skënderbeu shtetasve të tij: "çdo çift i martuar rishtazi ishte i detyruar të mbillte dy rrënjë ullinj". Mbase tek ky detyrim duhet kërkuar edhe origjina e kurorës shekullore të ullishtës që qarkon qytetin e Elbasanit.
Vështirë të gjeje familje elbasanase që të mos zotëronte disa dhjetëra rrënjë ullinj dhe vaji i tij që përdorej për gatim, traditë që është rikthyer sërisht në vitet e para të demokracisë.
Në vitet e diktaturës u krijuan plantacione të tërë me drurë ulliri dhe një ligj i asaj kohe e ndalonte rreptësisht prerjen e tij për çfarëdo arësyeje. Për çudi, edhe pse prodhimi u rrit, në guzhinat e elbasanasve gjente përherë e më pak vend, sepse ky prodhim u racionua deri në një litër për familje.
Vitet e demokracise, krahas të tjerash, i lanë dorë të lirë fermerit për ta mbjelle tokën me atë kulturë që do t'i siguronte më shumë të ardhura. Dhe shumë fermerë iu rikthyen dhe e "ringritën përsëri në piedestal" drurin e ullirit, duke ngritur plantacione të tëra jo vetëm në zonën kodrinore, por edhe në atë fushore.
Shefi i zyrës së shërbimit këshillimor, Neshat Sadiku, thotë se "në këtë rreth vitet e fundit, falë edhe subvecioneve shtetërore, janë mbjellë me mijëra rrënjë".
Fermeri Arben Sulanjaku, banor i fshatit Bujaras, brenda dy vjetësh është bërë pronar i 650 rrënjëve ullinj, një pjesë e mirë e të cilëve ka hyrë në prodhim.
"Me ndihmën e subvencioneve të marra nga shteti për dy vite me radhë krijova këtë plantacion. Por, duke parë se plantacionet me ullinj ndodhen në zonë kodrinore, aplikova sërisht dhe fitova subvencion për hapjen e një pusi në oborrin e shtëpisë sime", thotë Arbeni.
Duke ju përkushtuar frutikulturës, ai ka rriur nga viti në vit prodhimtarinë dhe të ardhurat. Këtë e tregon edhe shtëpia dykatëshe e sapondërtuar dhe e pajisur me të gjitha kushtet bashkëkohore për të bërë një jetë sa më komode.
"Nuk më ka shkuar asnjëherë ndër mend të emigroj, sepse të ardhurat shumë më të mëdha se emigracioni m'i jep kjo tokë e begatë, të cilën është mëkat t'a lesh t'a mbysin ferrat", thotë Arbeni.
(atsh)