Rritja e popullatës botërore tashmë është ngadalësuar, tregon ky studim, i titulluar Të gjitha vendet e botës: ndërkohë që janë dashur 12 vjet për të kaluar nga gjashtë në shtatë miliardë njerëz, do të duhen 14 për të kaluar nga shtatë në tetë miliardë, një prag që do të kalohet më 2025.
Popullata e planetit, e cila deri në fund të këtij viti do ta kalojë pragun prej shtatë miliardë njerëzish, do të vazhdojë të rritet deri në fund të shekullit, kur do të arrijë shifrën 10 miliardë, vlerëson Instituti Kombëtar francez për Studime Demografike (INED), në një studim të publikuar të enjten.
Rritja e popullatës botërore tashmë është ngadalësuar, tregon ky studim, i titulluar Të gjitha vendet e botës: ndërkohë që janë dashur 12 vjet për të kaluar nga gjashtë në shtatë miliardë njerëz, do të duhen 14 për të kaluar nga shtatë në tetë miliardë, një prag që do të kalohet më 2025.
OKB ka caktuar 31 tetorin si datë simbolike të kalimit të pragut prej shtatë miliardë njerëzish, në bazë të të dhënave dhe treguesve në dispozicion në fillim të vitit. Mirëpo, ekspertët e Organizatës e gjykojnë pak të mundshëm një stabilizim të popullatës globale në planin afatmesëm dhe afatgjatë.
Rritja demografike ka arritur nivelin e vet maksimal (2% në vit) para 50 vjetësh, thekson INED, dhe që prej atëherë ajo është ndarë më dysh për të rënë në 1,1% më 2011. Ajo do të vazhdojë të bjerë deri në pothuaj stabilizimin e popullatës botërore, që do të ndodhë në fund të shekullit kur planeti do të ketë 10 miliardë banorë, vazhdon INED.
Kjo rënie shpjegohet nga zvogëlimi i mesatares së pjellorisë, e cila tani është 2,5 fëmijë për grua, për dallim nga dyfishi më 1950.
Kjo mesatare fsheh megjithatë shumë kontraste, nënvizon INED, duke theksuar se rritja demografike deri në fund të shekullit do të përqendrohet në Afrikën subsahariane, Gadishullin Arab dhe rajonet që shkojnë nga Afganistani në veri të Indisë.
Hulumtimi tregon po ashtu se India do tia rrëmbejë Kinës pozitën e parë si vendi më i populluar, me afër 1,7 miliard banorë sa parashihet ti ketë më 2050, për dallim nga 1,31 sa pritet ti ketë Republika Popullore kineze.
Kështu, popullata kineze do të zvogëlohet ngadalë gjatë dyzet viteve të ardhshme. Pas këtyre dy gjigantëve, në krye të listës së vendeve më të populluara më 2011 janë SHBA, Indonezia, Brazili, Pakistani dhe Nigeria. Këto shtete përbëjnë më shumë se gjysmën e popullatës botërore.
Me 63,3 milionë banorë, Franca metropolitane më 2011 është në pozitën e 21-të në botë, ndërmjet Republikës Demokratike të Kongos dhe Mbretërisë së Bashkuar. Deri më 2050, ajo do të bjerë në pozitën e 26-të, thonë treguesit e INED, sipas të cilëve atëherë vendi do të ketë 72 milionë banorë.