Sipas ekspertëve, një nga shkaqet e këtyre dhimbjeve është sforcimi i kolonës vertebrale për shkak të pozicionit të detyruar. Ata këshillojnë që çdo 40 ose 50 minuta është e nevojshme një shëtitje e shkurtër, e cila u lejon muskujve të shtrihen dhe të çlodhen.
Dhimbja e qafës, shpinës e krahëve dhe djegia e tendinave të duarve janë simptoma të njohura për të gjithë ata që punojnë me orë të tëra para kompjuterit. Mjaftojnë vetëm tre orë para kompjuterit për ta rritur me 60 për qind rrezikun e prekjes nga problemet e kockave dhe muskujve. Dhimbja e shpinës, qafës, kokës, djegia e syve, lodhja apo sindroma e tunelit karpal duhen kërkuar tek postura e gabuar para kompjuterit.
Sipas ekspertëve, një nga shkaqet e këtyre dhimbjeve është sforcimi i kolonës vertebrale për shkak të pozicionit të detyruar. Ata këshillojnë që çdo 40 ose 50 minuta është e nevojshme një shëtitje e shkurtër, e cila u lejon muskujve të shtrihen dhe të çlodhen.
Pozicionimi i gabuar për një kohë të gjatë para kompjuterit pengon qarkullimin e lëndëve ushqyese të disqeve vertebrale dhe ky bëhet shkaku kryesor i dhimbjes. Në fakt edhe ambienti në të cilin punojmë duhet të jetë ergonomik. Me mjaft rëndësi është gjetja e një pozicioni të përshtatshëm për dritën, karrigen dhe distanca e duhur nga tastiera.
Për një qëndrim korrekt para kompjuterit është e nevojshme një karrige e pozicionuar pak mbrapa dhe me pjesë anësore ku mund të mbështeten krahët në një distancë të tillë nga busti që të formohet këndi 120 gradë.
Ekrani duhet të jetë i pozicionuar në një distancë mes 35 dhe 60 cm. Përdorimi korrekt i tastierës dhe mausit ndihmon në shmangien e problemeve të pulsit. Është e këshillueshme një tastierë ergonomike, e cila ndihmon shmangien e disa lëvizjeve që shkaktojnë irritim të tendinave dhe muskujve.
Mausi duhet përdorur duke lëvizur krahun dhe asnjëherë dorën. Ai duhet pozicionuar afër tastierës dhe gjatë përdorimit të tij duhet mbështetur e gjithë pjesa e parakrahut në tavolinë, në mënyrë pasha e krahut të shkarkohet plotësisht.
Përdorimi i tepërt i mausit mund të çojë në shfaqjen e sindromës së tunelit karpal, e cila manifestohet me ndjesinë sikur të shpon diçka në krah natën, mpirje të tre gishtave të parë, rënie të ndjeshmërisë etj. Edhe gjatë përdorimit të tastierës nuk është e këshillueshme goditja e fortë e tasteve, pasi kjo mund të çojë në probleme me gishtërinjtë.