Zëri i këtillë më bënte që kafshata e parë e iftarit të më lidhet në fyt, e sikur donte të më ngulfatë
Andaj, sa çel e mshel sytë, para vetes më paraqiteshin insertet e gjithë atyre njerëzve në Afrikë, të cilët i pata parë para disa ditësh përmes ekraneve televizive duke u përballur me vdekjen, e për të cilët nuk dij se a thua tashmë kanë vdekur, apo janë duke pritur që të vdesin!
Sali Shasivari
Tashmë disa ditë me rradhë mundohesha të ju iki lajmeve të cilat paraqesin inserte të turmave të njerëzve të cilët vuajnë nga uria, edhe atë, jo për diç tjetër, por ngase më dukej se secili prej tyre e ka të drejtuar shikimin kah unë, ndërsa unë ndjehesha shumë i paaftë që të ju dal në ndihmë. Madje, frigohesha që insertet e këtilla si rezultat i përsëritjes së shpeshtë përmes ekraneve televizive të mos më shndërrohen në rutinë, me çrast do të filloja që pamjet e tilla mjeruese ti trajtoj si çdo lajm tjetër informativ, të cilin e dëgjon, ndërsa më vonë e harron, e sikur të mos kishte ndodhur.
Mirëpo, kjo indiferencë e imja nuk premtonte se do të zgjasë shumë.
Meqenëse gjendemi në muajin e bekuar të Ramazanit, sa herë që afrohej koha e iftarit, një zë nga thellësia e zemrës dhe ndërgjegjes më drejtohej duke më thënë: Shumë lehtë e ke ti të agjërosh disa orë në ditë, i bindur se, kur do të vjen koha e iftarit, tryeza do të jetë e mbushur plotë e përplotë me gjitha të mirat që i ka falur Krijuesi. Mirëpo, a thua vallë çka do të ndodhë me ata të cilët nuk gjejnë dot gjë për të vënë në sofrën e tyre, sofër kjo e cila tashmë ka kohë që nuk është shtruar!?
Madje, a thua vallë, çfarë ninullash mund të këndojnë ato nëna me qëllim që ti vejnë në gjum fëmijët e tyre, kur stomaku i fëmijëve është i zbrazur?!
Zëri i këtillë më bënte që kafshata e parë e iftarit të më lidhet në fyt, e sikur donte të më ngulfatë
Andaj, sa çel e mshel sytë, para vetes më paraqiteshin insertet e gjithë atyre njerëzve në Afrikë, të cilët i pata parë para disa ditësh përmes ekraneve televizive duke u përballur me vdekjen, e për të cilët nuk dij se a thua tashmë kanë vdekur, apo janë duke pritur që të vdesin!
Ka kohë që ky zë i ndërgjegjes dhe arsyes po më ngacmon nga brenda dhe sa vjen e bëhet më i fortë.
Disa herë mora pendën që të shkruaj, me qëllim që të përcjell klithmat e fëmijëve të uritur dhe nënave të tmerruara - klithma këto të cilat duket se pak kush po i dëgjon - mirëpo, nuk gjeja dot fjalë. Madje, sa herë që shkruaja disa rreshta, ato më dukeshin të pakuptimta përballë fatkeqësisë, ndaj edhe i fshija.
Por, ja, sonte, derisa po haja iftar, kafshata e bukës mu lidh në fyt
U ndala
E lash ushqimin dhe kapa lapsin
Por, përsëri më mungonin shkronjat dhe fjalët
Thash në vete E çka nëse shkruaj, kur fjalët e thëna do të vdesin bashkë me të uriturit si dhe ndërgjegjen njerëzore
Andaj, vendosa që, në vend të fjalëve dhe shkronjave, të flas me gjuhën e numrave
, ndërsa, në vete pëshpërita Në qoftë se ndërgjegjja njerëzore është venitur deri në atë masë sa që është afër vdekjes, atëherë, kjo ndërgjegje është më mirë të vdesë nga fjalët e pathëna dhe goditja e numrave, se sa nga fjalët e mëdha dhe të pakuptimta
Dhe, ja, lexues i nderuar, në vazhdim po të sjell vetëm disa numra të statistikave botërore, e ti vendos se a thua vallë do të dorëzohesh para këtyre numrave, apose do të ndërmarrish ndonjë hap konkret, duke i zvogëluar ato bashkë me efektet e tyre.
Statistikat e fundit të institucioneve relevante flasin se:
* Numri i njerëzve të uritur në botë është më i madh se sa numri i përgjithshëm i popullatës së SHBA-ve, Kanadasë si dhe Unionit Evropian, me çrast, numri i përgjithshëm i popullatës së këtyre vendeve është 841 milion banorë, ndërsa numri i njerëzve të uritur arrin shifrën 925 milionë (shih: http://www.wfp.org/hunger/stats).
* Sipas World Food Programme (Programit Botëror për Ushqim), 1 nga çdo i shtati person në botë sonte do të shkojë në shtrat i uritur (shih: http://www.wfp.org/hunger/stats).
* Rreth 25.000 njerëz vdesin për çdo ditë nga uria si dhe shkaqet e ndërlidhura me të, që d.m.th. një njeri në çdo tre sekonda e gjysëm (shih: http://www.poverty.com/); prej tyre, 16,000 janë fëmijë, d.m.th. 1 fëmijë në çdo 5 sekonda (shih: http://www.bread.org/hunger/global/).
* 884 milion njerëz në botë nuk kanë qasje ndaj ujit të pastër/sanitar, d.m.th. përafërsisht 1 nga çdo i teti person në botë (shih: http://water.org/learn-about-the-water-crisis/facts/).
* Rreth 3.5 milion njerëz vdesin në vit si rezultat i sëmundjeve të ndërlidhura me ujin e papastër (shih: http://water.org/learn-about-the-water-crisis/facts/). Prej tyre, në çdo 20 sekonda një fëmijë (shih: http://water.org/learn-about-the-water-crisis/facts/).
* Sipas Bankës Botërore, 60% e popullatës botërore jeton nën vijën e varfërisë (shih: http://www.indexmundi.com/g/r.aspx?v=69), vijë kjo e cila në bazë të të njejtit institucion përcaktohet me 1.25 dollarë në ditë (shih: http://en.wikipedia.org/wiki/Poverty_threshold).
* 1% e më të pasurve të botës posedojnë 40% të pasurisë së përgjithëshme (shih: http://www.guardian.co.uk/money/2006/dec/06/business.internationalnews).
Sdo mend se, këto shifra nuk janë rezultat i eksplozionit demografik të numrit të banorëve të botës (siç ju ka ëndja disave të konstatojnë), e as rezultat i mungesës së resurseve të mjaftueshme materiale në botë, por mbi të gjitha, ato janë rezultat i asaj ndërgjegje njerëzore e cila po zbehet dita ditës, si pasojë e pangopësisë, egoizmit, eksploatizmit dhe ndarjes së padrejtë të pasurisë
Me të shikuar këto statistika rrëqethëse, nuk dij se a thua vallë ka hapësirë që njerëzimi i sotëm të mburret se po jeton në shekullin XXI. Kjo, ngase, në bazë të disa statistikave, romakët antikë kanë patur ujë më kualitativ nga që kanë gjysma e popullatës botërore sot (shih: http://water.org/learn-about-the-water-crisis/facts/)!
Në momentin kur po i shkruaj këto rreshta, institucionet relevante po alarmojnë faktin se rreth 11 milionë njerëz në Afrikë kanë nevojë urgjente për ushqim!
Andaj, mua nuk më mbetet gjë tjetër, përpos që të ftoj të gjithë ata që kanë shpirt dhe ndërgjegje të gjallë, që të ndajnë një pjesë nga kafshata e tyre në ndihmë të vëllezërve të tyre në njerëzi, ngase, vdekja e tyre e ngadalshme do të determinojë vdekjen e ndërgjegjes sonë.
Poashtu, nuk duhet harruar se, klithmat e fëmijëve dhe ofshamat e nënave kanë për të na ndjekur si hije gjatë gjithë jetës, si dhe kanë për të kërkuar llogari nga secili prej nesh në Botën Tjetër; ndërsa llogaria ndaj Zotit do të jetë edhe më e rëndë!