Në këtë konferencë, Doc. Dr. Bashkim Ziberi, si hulumtues në fushën e fizikës dhe shkencës së materialeve pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës, u ftua nga organizatorët të merr pjesë me një kumtesë të ftuar në sesionin ,,Imazheria në nanoshkallë, krijimi dhe modifikimi i materialeve me anë të tufës jonike.
Kohë më parë në Singapur u mbajt konferenca ndërkombëtare mbi materialet për teknologjitë e reja, ICMAT2011, e organizuar nga Shoqata për hulumtimin e materialeve e Singapurit, ku merrnin pjesë mbi 3 mijë shkencëtarë dhe hulumtues nga më shumë se 60 vende të ndryshme të botës.
Kjo konferencë njëjavore u organizua me përkrahjen financiare të Universitetit Nacional të Singapurit dhe Universitetit Teknologjik të Nanyangut, ndërsa përbëhej nga 40 sesione që përfshinin fusha të ndryshme hulumtuese, si nanoshkenca dhe teknologjia, materialet funksionale, imazheria, rritja dhe teknologjia e kristaleve, biomaterialet, energjia dhe mjedisi, etj.
Pra, në këtë konferencë janë diskutuar arritjet më të fundit në fushën e teknologjive të reja, apo siç quhet ndryshe, të avancuara si pjesë e zhvillimit teknologjik, industrial dhe shoqëror të mbarë njerëzimit.
Punimet shkencore të paraqitura kishin të bëjnë me vetitë e materialeve të ndryshme, si izolatorët, gjysmëpërçuesit, metalet, polimerët, biomaterialet dhe si mund të influencohen dhe ndryshohen këto veti për ti adaptuar ato për zbatime të caktuara në fushat përkatëse, si në industirnë e gjysmëpërçuesve, fotovoltaikë, qarqet e integruara, teknologjinë e tranzistorëve, teknologjinë e ruajtjes së të dhënave, në mjekësi, për terapi të ndryshme, inxhinjerinë e indeve, në prodhimin e pjesëve artificiale për organizmin e njeriut, etj.
E veçanta e kësaj konference ishte se pjesëmarrësit kishin mundësi të përcjellin ligjërata nga 4 laureatë të çmimit Nobël në fushën e Fizikës dhe të Kimisë, si Albert Fert, Andre Geim, Klauss von Klitzing dhe Ada Yonath.
Gjithashtu, vlen të theksohet se në mjediset e konferencës në të njejtën kohë, si pjesë integruese e saj, është mbajtur edhe panairi i industrisë me pjesëmarrjen e mbi 50 kompanive të cilat i kanë promovuar prodhimet e tyre që kanë të bëjnë me fushat shkencore që janë trajtuar në konferencë.
Kjo njëherësh ka krijuar mundësinë e kontaktit të drejtpërdrejtë ndërmjet punonjësve shkencorë, profesorëve universitarë dhe industrisë.
Konferenca dhe simpoziumet përbëheshin prej një numri të caktuar kumtesash të ftuara dhe kumtesave të zakonshme në formë gojore, apo me anë të posterit.
Zakonisht, ligjerata të ftuara mbajnë shkencëtarët që kanë treguar sukses në karierën shkencore në arenën ndërkombëtare në fushën e caktuar, punë për të cilën ata respektohen dhe vlerësohen nga kolegët e tyre.
Në këtë konferencë, Doc. Dr. Bashkim Ziberi, si hulumtues në fushën e fizikës dhe shkencës së materialeve pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës, u ftua nga organizatorët të merr pjesë me një kumtesë të ftuar në sesionin ,,Imazheria në nanoshkallë, krijimi dhe modifikimi i materialeve me anë të tufës jonike.
Titulli i kumtesës ishte: "Inxhinjeria e nansotrukturimit shumëshkallor të sipërfaqve të Si duke kombinuar metodat lartë-poshtë dhe poshtë-lartë, ku u tregua se si mund të zbatohen dhe kombinohen me sukses teknika të ndryshme të strukturimit në krijimin e strukturave me veti dhe formë krejtësisht të re me potencial të lartë për zbatime në fushën e optikës, optoelektronikës, biosensorëve etj.
Duhet theksuar se puna kërkimore shkencore që paraqiti Dr. Bashkim Ziberi është kryer gjatë qëndrimit shumëvjeçar të tij në Leipzig të Gjermanisë.