E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Në një nga gjiret e shumta, ku ka fare pak plazhistë, ai gjeti tre bashkëkombasit e tij, që sikurse Pietro, po shijonin kthjelltësinë e pafund të ujit të detit në ngjyrë të kaltër dhe hijen natyrale që ofrojnë shkëmbinjtë e lartë, që shërbejnë si çadra.
Himarė, nė bregdetin e pashfrytėzuar mes Dhromadhes dhe plazhit tė Palasės









-Reportazh-

H.Koçi


-"Është një bregdet i rrallë që nuk e kam ndeshur askund tjetër me këto karakteristika", thotë Pietro, një inxhinier 40 vjeçar nga Bari (Itali), teksa qëndron me 3 bashkatdhetarë të tij në një nga gjiret e vegjël dhe të shumtë në bregdetin mes Dhromadhes dhe Plazhit të Palasës.

Për Pietron, këto zona të pasura përbëjnë një resurs të vërtetë zhvillimi. "Këtu, ndërtimi i një vile mund ketë një kosto prej 30-40 mijë eurosh. Një pjesë e infrastrukturës rrugore shoh që është ndërtuar, ndërkohë që struktura turistike mund të plotësohet mjaft shpejt", shprehet turisti italian.

Ai ka mbërritur këtu me "autostop", siç shprehet me humor, teksa tregon se ka udhëtuar nga Vlora me automjete të vogla, vetura apo furgonë. E ka befasuar ky bregdet i thyer shkëmbor, i alternuar herë herë me gjire të vegjël të mbushur me zallishte.

I shtyrë nga kurioziteti, pasi kishte qëndruar pak orë në plazhin e Dhromadhes, ai eci përgjatë bregut të detit në drejtim të veriperëndimit, duke ndjekur shtigjet e ngushta përgjatë masiveve shkëmborë që zbresin deri në det.

Në një nga gjiret e shumta, ku ka fare pak plazhistë, ai gjeti tre bashkëkombasit e tij, që sikurse Pietro, po shijonin kthjelltësinë e pafund të ujit të detit në ngjyrë të kaltër dhe hijen natyrale që ofrojnë shkëmbinjtë e lartë, që shërbejnë si çadra.

"I tillë është i gjithë ky bregdet (?)", na drejtohet Pietro, teksa ndjen afrimin tonë. Për të dhe bashkëatdhetarët e tij, fakti që e gjithë vija bregdetare deri në Sarandë, është po kaq e bukur, e mbushur me plazhe të shumta me zallishte, është mjaft mbresëlënës.

Është hera e parë që ata kanë ardhur në Shqipëri dhe vendin tonë e njohin shumë pak. Më tepër kureshtja i shtyu të kalonin disa ditë pushime "ndryshe".

Prandaj dhe erdhën në bregdetin e Himarës, për të cilin kishin dëgjuar nga të njohur të tyre, italianë dhe shqiptarë emigrantë. Por, tabloja e këtij bregdeti këtu, për t'a është në kufijtë e fantazisë. Shkëmbinjtë me forma nga më të çuditshmet, zbresin egërsisht deri në ujë, duke e ndarë bregdetin në gjire të vegjël me bukuri të rrallë.

Natyra është treguar e pakursyer këtu. Duket se vargonjtë e shkëmbinjve, krijojnë një urë lidhëse mes malit dhe detit.

Vetëm disa dhjetra pushues, nga të cilët një pjesë turistë të huaj, i frekuentojnë këto gjire. Kjo, për shkak se bregu i thyer të pengon për të marrë shumë gjëra të nevojshme për të kaluar një ditë të plotë pushimi. Duhet të ecësh në shtigje të ngushta mes shkëmbinjve, për të arritur në një plazh të vogël dhe, më pas, duhet të vazhdosh të bësh të njëjtën gjë.

"Por, dy orë plazh në këtë bregdet, është i barabartë me dy ditë në të gjithë pjesën tjetër", thotë Beni, një pushues nga Vlora që ka arritur në gjirin e fundit, përpara se të hysh në "territorin" e plazhit të mrekullueshëm të Palasës.

Një pjesë e atyre që frekuentojnë këtë zonë, janë pushuesit kureshtarë që, pasi vendosen në plazhin e Dhromadhes, pranë komplekseve turistike", eksplorojnë pjesët e pashkelura të bregdetit. Por, ka edhe nga ata që transportojnë me vështirësi sendet e nevojshme për të qëndruar një ditë të plotë në njerin prej këtyre gjireve.

Gjithsesi, bukuria e kësaj zone po preket nga afër gjithnjë e më shumë. Rruga që po ndërtohet për të lidhur aksin kombëtar të bregdetit me Plazhin e Palasës, përbën një hap të rëndësishëm që ky bregdet të nisë të shfrytëzohet.

Ndoshta nuk do të jetë e largët dita që zona e bregdetit mes Dhromadhes dhe plazhit të Palasës, të bëhet një pjesë efektive e resurseve turistike të bregdetit të Himarës, ashtu si edhe mjaft pjesë të tjera, gjithashtu të virgjëra dhe të pashfrytëzuara ende.
(atsh)


Publikuar: 24.08.2011 | 17:08
Lexuar: 836 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime