Janë rritur ndjeshëm tensionet mes themeluesit të Wikileaks, Julian Assange dhe ish-zëdhënësit të organizatës, Daniel Berg. Sipas disa informatave të marra nga revista gjermane Spiegel, ish-zëvendës shefi i Wikileaks ka shkatërruar mijëra dokumente të papublikuara të Wikileaks dhe duket se informacioni që ato përmbanin është zhdukur dhe ka humbur përgjithmonë.

Ish-zëdhënësi i Wikileaks, Daniel Berg pretendon se ka shkatërruar mbi 3500 fajle të papublikuara, të marra nga informantë të panjohur. Kjo duket se do të zhukë një herë e mirë të gjitha informacionet që përmbanin këto materiale. Dokumentet në fjalë ishin ruajtur në serverin e organizatës deri në vitin 2010, kur ish-zëdhënësi Daniel vendosi që të largohej nga organizata. Para se të largohej ai i mori me vete këto materiale. Tani ai thotë se këto dokumente i ka shkatërruar gjatë ditëve të fundit, për tu siguruar që burimet të mos komprometoheshin. Sipas tij, lideri i Wikileaks, Assange nuk u garantonte burimeve anonimitetin. Sipas informacioneve të marra nga Spiegel, dokumentet në bazën e të dhënave përfshinin dokumente të qeverisë amerikane në lidhje me të ashtuquajturën No-fly list, që përfshinte emrat e të dyshuarve për terrorizëm të cilët ndaloheshin që të hipnin në avionë. Assange tha se kjo bazë e të dhënave përmbante dhe dokumente me të dhëna të brendshme në lidhje me 20 organizata të të djathtës ekstreme, por kjo nuk konfirmohet nga Daniel. Assange ka deklaruar që nga fillimi i vitit se do ti publikonte këto të dhëna gjatë vitit.
Të shtunën e kaluar, një deklaratë e bërë nga vetë Assange është shfaqur në sajtin mbështetës të Wikileaks, WL Central. Deklarata kritikon shumë ashpër veprimin e ish-zëdhënësit Daniel dhe lë të kuptohet se ky njeri ka pasur lidhje shumë të ngushta me agjencitë e shërbimeve sekrete të vendeve të ndryshme dhe me autoritetet policore. Në të përsëriten gjithashtu edhe akuzat që i ka bërë Assange më parë Daniel në lidhje me mënyrat jo të ndershme të punës së Daniel brenda organizatës. Ndërkohë, në një deklaratë të dytë të publikuar të shtunën, Daniel Berg akuzohet për vjedhje të informacionit të sjellë nga burimet anonime dhe për sabotim të Wikileaks. Nëse materiali në fjalë është shkatërruar, atëherë sipas specialistëve, është e pamundur që ai të zëvendësohet.
Për disa kohë Daniel ka promovuar një platformë alternative me Wikileaks, OpenLeaks. Pasi ai e prezantoi projektin në një takim në Chaos Computer Club, që është edhe grupi më i rëndësishëm i hakerave në Gjermani, Daniel u kritikua ashpër nga zëdhënësi i grupit, Andi Myler i cili shprehu shumë dyshime në lidhje me integritetin e ish-zëdhënësit dhe numrit 2 të Wikileaks. Dhe, më pas Daniel Berg u përjashtua nga grupi. Që nga ai moment, hakeri gjerman është përfshirë në një debat të ashpër në lidhje me krijimin e platformave alternative të lançimit të materialeve nga burimet anonime.
Ndërkohë, bordi me 5 anëtarë i organizatës së hakerave gjermanë ka bërë të ditur se arsyeja zyrtare e përjashtimit të Daniel nga organizata është shfrytëzimi i reputacionit të organizatës për qëllim personal përfitimi për promovim të iniciativës OpenLeaks. Ndërkohë, në një intervistë të tij, Daniel deklaroi se këto akuza ishin të pabaza.
Në javët para se të paraqiste prezantimin e projektit të tij para organizatës së hakerave gjermanë, Daniel ishte i paqartë në lidhje me posedimin nga ana e tij të informacioneve të marra nga Wikileaks në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu, e paqartë ishte edhe nëse materialet ishin të koduara dhe nëse po, në çfarë mënyrë ishin të koduara dhe kush kishte akses në kod. Aktualisht, Wikileaks nuk është duke publikuar ndonjë të dhënë të re apo ndonjë material të ri. Në një deklaratë të bërë në WL Central të shtunën, Daniel Berg akuzohet edhe njëherë për marrje në mënyrë të paligjshme të të dhënave nga Wikileaks.