Në një intervistë të fundit, Gorbaçov, 80 vjeç tashmë diskuton në lidhje me ditët e fundit të Bashkimit Sovjetik, dështimin e tij në zgjidhjen e problemeve me parinë komuniste dhe gjakderdhjen që pasoi për të cilën ende shqetësohet shumë edhe sot. Ndërkohë, ai akuzon edhe Putinin për çuarje të vendit në të shkuarën
Të patreguarat e shembjes së Bashkimit Sovjetik
Në një intervistë të fundit, Gorbaçov, 80 vjeç tashmë diskuton në lidhje me ditët e fundit të Bashkimit Sovjetik, dështimin e tij në zgjidhjen e problemeve me parinë komuniste dhe gjakderdhjen që pasoi për të cilën ende shqetësohet shumë edhe sot. Ndërkohë, ai akuzon edhe Putinin për çuarje të vendit në të shkuarën
Ju këtë vit mbushët 80 vjeç si ndiheni?
Oh, çfarë pyetjeje. A duhet të ma bënit patjetër? Gjatë 5 viteve të fundit kam bërë 3 operacione dhe ka qenë një periudhë e vështirë, sepse ishin operacione të vështira. Së pari, në zemër, më pas në prostatë dhe në shtyllën kurrizore i fundit.
Megjithatë, dukeni në formë të mirë dhe i jeni rikthyer politikës dhe jeni duke dalë sërish në gazeta. Përse më në fund nuk vendosni që të pushoni?
Politika është dashuria ime e dytë, pas Raisës, gruas.
Gruaja juaj e ndjerë?
Unë nuk do të heq kurrë dorë nga politika edhe pse kam tentuar që ta bëj tri herë rresht, megjithatë nuk do ta kisha menduar kurrë që do tia kisha dalë të jetoja deri në moshën 80-vjeçare. Isha 54 vjeç kur u bëra sekretar i përgjithshëm. Isha më i riu në moshë në atë pozicion në Stavropol dhe në Moskë kur erdha isha anëtari më i ri në moshë i Politbyrosë, kur vdiq Çernenko.
Në fakt, pritej që ju të bëheshit kryetar i partisë një vit më herët?
Çernenko ishte i sëmurë dhe atë e zgjodhën në postin e lartë në vitin 1984 dhe në atë kohë situata e brendshme e Politbyrosë ishte e nderë dhe me shumë përplasje. Ata vendosën për Çernenkon se ishte personi i duhur për postin e lartë edhe pse Andropov, në atë kohë sekretar i përgjithshëm, dhe kreu i KGB-së për shumë vite kishte shkruar një letër në të cilën më jepte mbështetje mua.
Ndoshta mund të na jepnit ndonjë detaj nga takimi shumë i rëndësishëm i Politbyrosë që pasoi vdekjen e Çernenkos në mars të vitit 1985. Si për ironi ishte ministri i Jashtëm, Andrej Gromiko, ai që ju propozoi si liderin e ri të partisë. Përse e bëri ai një gjë të tillë? Ai nuk ju ka pasur kurrë për zemër dhe ka qenë gjithmonë xheloz për ju. A kishte edhe kandidatë të tjerë?
Gromiko ishte një person shumë i zgjuar dhe serioz. Përse vallë ishte ziliqar ndaj meje? Këtë nuk di tua them, por ai arriti që të njihte dhe lexonte shenjat e kohës. Kur Çernenko ishte i sëmurë më lajmëronin shumë shpesh që të menaxhoja punën në sekretariat dhe Politbyro dhe ishte një punë të cilën e bëja mirë dhe kjo nuk kaloi pa rënë në sy. Në këtë këndvështrim, Çernenko më ndihmoi dhe gjatë këtij procesi fitova goxha përvojë. Nëse do ti referohesha Volterit që ka thënë për Zotin, se nëse nuk do të ekzistonte do të duhej shpikur do të thosha se nëse Çernenko nuk do të kishte ekzistuar dikush do të duhet ta kishte shpikur.
Po kishit edhe rivalë që nuk u pëlqente Gorbaçovi?
Po. Pak. Nga ana tjetër, një grup liderësh partiakë rajonalë më afruan në atë kohë dhe më thanë ndërsa Çernenko ishte ende gjallë: Garda e vjetër është duke u përpjekur që të vendosë në fronin e vendit njeriun e vet. Nëse ata do ta bënin një gjë të tillë, ai do të hiqej sërish qafe. Unë ua ktheva se nuk doja që të dëgjoja më një bisedë të tillë. Kur Çernenko vdiq dhe duhej zgjidhur çështja e pasimit të tij unë bëra një takim me Gromikon, 30 minuta para mbledhjes shumë të rëndësishme të Politbyrosë dhe i thashë: Situata është serioze dhe njerëzit janë duke kërkuar ndryshim, por kjo nuk duhet bërë me forcë edhe pse është e rrezikshme. Le ta kalojmë së bashku një moment të tillë. Gromiko më tha se ishte tërësisht dakord me mua. Ne folëm me njëri-tjetrin vetëm për 5 minuta. Atë natë unë u riktheva në shtëpinë time pak para agimit dhe dola për një shëtitje me Raisën.
Nuk diskutonit kurrë gjëra të rëndësishme brenda mureve të shtëpisë?
Jo, duhet të dilnim jashtë dhe vetëm jashtë mund të flisnim lirshëm. Më pas kur u nisa në Moskë dhe po boshatisnim apartamentin vura re disa gjëra të çuditshme në mure që më pas doli se ishin përgjues.
Çfarë këshille ju dha gruaja juaj atë natë?
Asaj i thashë: sot do të zgjidhet sekretari i ri i përgjithshëm dhe ka shumë mundësi që të zgjidhem unë. Raisa më pyeti: ke nevojë për një post të tillë? Unë i thashë: Për 4 vjet janë zgjedhur katër persona në këtë post dhe nëse unë do të refuzoja shumëkush do të ma merrte si frikë.
Zoti Gorbaçov, na lejoni që të kryejmë me ju një eksperiment të vogël.
Unë nuk merrem më me eksperimente.
Jo, jo ky është shumë i vogël dhe i padëmshëm. Deri më tani citohen tre ose katër shkaqe që çuan në dështim Perestrojkën tuaj, pra rinovimin e Bashkimit Sovjetik.
Përmendët fjalën dështim?
Po, po le të mos flasim për këtë fjalë. Ndoshta mund të përdornim edhe ndonjë fjalë tjetër. Do tju kërkoja një koment për disa çështje. Së pari, ju vetëm u morët me simptomat e sistemit të sëmurë komunist, por nuk u shkuat në thelb problemeve të tilla si ekonomisë së planifikuar dhe monopolist të partisë-shtet që mbeti i paprekur për një kohë të gjatë?
Le ti marrim gjërat me radhë. Edhe sot do të kisha përdorur të njëjtën mënyrë për menaxhimin e Perestrojkës. Parulla jonë në atë kohë ishte: Nuk mund të vazhdojmë të jetojmë kështu dhe po në atë kohë pionieri i muzikës rok në Rusi, Viktor Zoi, këndonte: Unë dua ndryshime.
Po juve ju mungonte koncepti i këtyre ndryshimeve.
Nëse do të kisha pasur një plan për to do të kisha përfunduar menjëherë në Magadan, kryeqyteti i Gulagut Stalinist 6000 kilometra larg Moskës. Duhej një veprim fare i vogël për të përfunduar në skëterrë. Sa për dijeni, drejtuesit e lartë të partisë nuk e donin absolutisht ndryshimin. Edhe në bazë lokale shefi i partisë në një distrikt të caktuar ishte baras me Zotin për nga pushteti dhe forca që kishte dhe nuk i donte si pasojë ndryshimet. Ja përse fillimisht na duhej glasnost hapja. Ky ishte hapi i parë drejt lirisë. Më pas kemi organizuar zgjedhjet e para të lira në Rusi në 1000 vitet e fundit.
Në atë kohë ju nuk keni qenë kritikë ndaj vijës së partisë?
Partia Komuniste Sovjetike ishte një makinë jashtëzakonisht e madhe që në një moment të saj nisi që të keqfunksiononte. Ishte fillimi i Perestrojkës. Unë e kuptoja gjithnjë e më shumë që nuk mund të punonim pa ndërmarrjen e reformave të thella politike. Pasi pësoi humbje më zgjedhjet e para demokratike në vend, klasa qeverisëse bashkoi forcat për të më goditur hapur në takimin e krerëve të partisë. Pikërisht atëherë unë njoftova dorëheqjen dhe u largova nga seanca plenare.
Po kjo ka qenë në prill të vitit 1991, tetë muaj para fundit të Bashkimit Sovjetik. Dhe veç kësaj ju u kthyet sërish. Ju e latë veten që të ndilleshit edhe njëherë në vend që të përdornit këtë moment kritik për tu shkëputur njëherë e mirë dhe për të goditur partinë e vjetër.
Po, është e vërtetë që u ktheva pas tri orësh. Disa nga këshilltarët aty kishin hartuar një listë për një parti të re të Gorbaçovit që do të kishte krijuar edhe fraksionin e parë brenda Partisë Komuniste. Unë jam bërë pjesë e Partisë Komuniste në moshën 19-vjeçare kur isha ende në shkollë. Im atë ka qenë në front dhe gjyshi ka qenë vetë një komunist i vjetër dhe tani supozohej që unë të shkatërroja partinë, krijesën tek e cila ata kishin besuar dhe për të cilën kishin luftuar. Sot e di se çfarë duhet që të kisha bërë, por unë, pra njeriu që është ulur tani përballë jush nuk ka qenë kurrë një i ashtuquajtur shtetar, por kam qenë dhe jam gjithmonë një njeri normal. Kam qenë dikush që është ndodhur në një kohë të caktuar në një vend të caktuar dhe ky fakt më ka torturuar në mënyrë të vazhdueshme.
Një tjetër akuzë që u është bërë në vitet në vijim është se juve ju mungonte njohja e thellë në natyrën njerëzore për një punë të tillë. Shumë nga ata që i quanit shokë ju tradhtuan më pas. Kjo është gjithashtu e qartë dhe nuk mund ta mohoni.
Ja ku jemi përsëri. Po isha unë që e bëra Vladimir Krushkov kreun e KGB-së dhe më pas ishte po ky njeri që organizoi një grusht shteti kundër meje. Po ku mund ta gjeja në kohën e mungesës një shef të KGB-së? Krushov kishte punuar me Andropovin si shef për 20 vjet rresht dhe kishte me këtë të fundit edhe marrëdhënie familjare. Sigurisht që e vura në krye të KGB-së, por nuk e njihja mirë.
Jelsini, të cilin ju e njihnit mirë ishte ai që ju hoqi nga detyra për tu bërë më pas President i Rusisë.
Epo mirë le të flasim për Jelsinin. Në fakt, dhe për hir të së vërtetës e njihja shumë pak. Ai si lider i Jekaterinburgut ishte një njeri me shumë vetëbesim. Kur donim që ta sillnim në qendër ishin të shumtë ata që na thanë të mos e sillnim në Moskë, por gjithsesi u zgjodh kryetar i partisë për Moskën. Unë e mbështeta në këtë situatë. Ai ishte energjik dhe mua mu desh një kohë e gjatë që të kuptoja gabimin. Ishte tepër i dhënë pas pushtetit dhe i etur për lavdi, një njeri të cilit i pëlqente që të dominonte të tjerët. Ai gjithmonë besonte se e kishin nënvleftësuar dhe ndihej i ofenduar nga kjo gjë.
Çështja e tretë: Ju kritikoheni për nënvleftësim kriminal të çështjes kombëtare
Kjo nuk është e vërtetë. Kam jetuar në një vend në të cilin njerëzit flisnin 225 gjuhë dhe dialekte të ndryshme dhe ku kanë ekzistuar të gjitha llojet e feve. Unë vetë jam rritur në Kaukaz dhe kam qenë shumë familjar me këto probleme.
Është e vërtetë që nuk keni pasur dijeni për shtypjen ushtarake të ushtrisë së vendit tuaj ndaj popullatave të Tbilisit dhe Vilniusit?
Po, e di, sepse janë akuza që më janë bërë miliona herë. Por unë me të vërtetë mund të them se gjithçka që po ndodhte, po ndodhte jashtë kurrizit tim. Sigurisht, kjo sjell pashmangshmërisht pyetjen: Çbëja unë ndërkohë që isha sekretari i përgjithshëm? Dhe kjo është një akuzë edhe më e rëndë. Merrni për shembull rastin e Vilniusit. Më 12 janar të vitit 1991, pas përleshjeve që ndodhën aty mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të pavarësisë së Lituanisë u mblodh Këshilli Federal. Ata dërguan një delegacion në Vilnius për të zgjidhur çështjen në mënyrë diplomatike dhe politike. Por një natë para mbërritjes ndodhën përleshje dhe pati edhe të vrarë. Sot është e qartë që brenda KGB-së kishte forca që kërkonin të ndalonin ndryshimet dhe mbi të gjitha zgjidhjet politike. E njëjta situatë ishte edhe në Tbilis.