Drejtori sportiv i Ferrarit: Në prova makina ishte mirë, pastaj në garë gjërat shkuan mbprasht
Drejtori sportiv i Ferrarit: Në prova makina ishte mirë, pastaj në garë gjërat shkuan mbprasht
Duhet të kuptojmë se përse kemi ulje në performancën tonë në garë në krahasim me provat, është shprehur drejtori sportiv i Ferrarit pas përfundimit të garës së zhvilluar të dielën në Turqi.
Ferrari nuk arriti më shumë se vendi i gjashtë me Masën në një garë të fituar sërish nga Xhenson Baton. Piloti i skuadrës BrawnGP korri suksesin e gjashtë në shtatë garat e para të sezonit, duke barazuar rekordin e vendosur nga Klark dhe Shumaker, madje ky i fundit e ka arritur këtë sukses dy herë.
Për makinat e kuqe kjo ishte një tjetër garë zhgënjyese dhe vetëm tri pikët e marra nga Masa sikur e përmirësojnë pak imazhin, kurse Raikonen ishte larg zonës së pikëve, i nënti.
Domenikali e ka komentuar kështu garën e së dielës: Besoj se gjëja më e rëndësishme është të kuptojmë se si ndodhi ai inversion tendence, duke qenë se makina në prova ishte mirë, kurse në garë gjërat shkuan mbrpasht.
Sigurisht që në garë performanca e makinës pati rënie dhe ne duhet të kuptojmë se çfarë ka ndodhur, pasi kurrë nuk kemi bërë një garë kaq të keqe për sa i përket ritmit. Makina është përmirësuar kohët e fundit, por ky përmirësim nuk u duk në këtë garë.
Problemet për Ferrarin mund të jenë shkaktuar edhe nga rritja e temperaturave dhe Domenikali mendon se mund të jetë edhe kjo pistë. Duhet të kuptojmë se çfarë ka ndodhur që të jemi në gjendje të japim një përgjigje për performancën ndryshe të premten dhe të shtunën dhe ndryshe të dielën.
Për makinat Ferrari ekziston rreziku që në projektimin e tyre të ketë diçka që nuk shkon mirë dhe kështu makina nuk arrin të shfrytëzojë plotësisht kapacitetet e veta. Eshtë e qartë se ata që kanë pasur një vit kohë për të zhvilluar një makinë të mirë sipas rregullave të reja janë në gjendje më të mirë dhe tani garojnë me një makinë më të mirë.
Diferenca në fillim të sezonit ishte një sekondë, ndërsa tani, falë përmirësimeve të makinës, jemi afruar shumë, por është e qartë që ata që ndodhen para nesh e kanë çuar përpara projektin e tyre dhe ne duhet ti ndjekim, ka shtuar Domenikali.
Dilema për Ferrarin është të kuptojë se cila do të ishte gjëja më e mirë për të bërë; të punojë për këtë sezon dhe tu vihet pas skuadrves BrawnGP dhe Red Bull, që duket se vijnë nga një botë tjetër, apo të përqendrohet te makina e sezonit që vjen: Duhet ta kemi të qartë atë që kemi bërë deri tani dhe të evitojmë të bëjmë ndërrime që mund të prishin atë që ka të mirë kjo makinë.
Duhet bërë një punë shumë e imtë në të gjitha aspektet, pasi makina do të garojë në pistë.
Të mendojmë për makinën e ardhshme është gjë e mirë, por për momentin nuk e dimë se cilat do të jenë rregullat e reja dhe jemi duke punuar në të dyja planet paralelisht; po zhvillojmë projektin aktual dhe ndërkohë do të fillojmë projektin e sezonit që vjen.
Në javët e ardhshme do të jetë e rëndësishme të kuptojmë se cili projekt do të jetë më i rëndësishëm dhe më pas burimet tona do ti drejtojmë drejt projektit kryesor.
Gara në vijim do të jetë në pistën angleze në Silverstone. Domenikali e pret i qetë garën e ardhshme, duke thënë: Besoj se pista në Angli është e përsosur për skuadrat kryesuese.
Por kur të vijnë garat në pistat e Gjermanisë dhe Hungarisë, karakteristikat e pistës mund të mos jenë po aq të favorshme për kryesueset, ka përfunduar drejtori sportiv i Ferrarit.
Xhenson gëzon dhe do të donte të kishte në podium të gjithë skuadrën
Baton: Makina ime, tepër e shpejtë
Jo gjithnjë dëgjon që një pilot ta konsiderojë makinën e tij të përsosur, por Xhenson Baton nuk i kursen komplimentet për makinën e tij GP, duke e quajtur të jashtëzakonshme, fantastike apo skandaloze për shpejtësinë e saj.
Komentet e tij kanë ardhur pas barazimit prej tij të rekordit të vendosur nga Xhim Klark (1965) dhe Mikael Shumaker (1994), të vetmit pilotë që kanë fituar 6 nga 7 garat e para të sezonit (Shumaker madje fitoi 12 nga 13 garat e vitit 2004).
Për sa u përket komplimenteve, bosi i skuadrës së tij nuk i ka kursyer ato për pilotin anglez, pasi për të Xhensoni ka pilotuar në mënyrë të përsosur.
Dominimi ‑ Nëse dikush nuk ishte bindur ende për forcën e skuadrës BrawnGP dhe për pilotin kryesues, Baton, të dielën në Turqi pati rastin të bindej.
Me kalimin e xhirove buzëqeshja në timon kur shihja sa mirë ecte makina - tregon Baton.- Në një moment, kur mungonin edhe nja 15 xhiro, më shkoi mendja të hapja radion dhe tu thosha djemve në bokse se sa makinë të mirë kishim, por më pas mendova se nuk duhet të humbja përqendrimin. Kam pasur makinën më të mirë të vitit.
Kam fituar edhe gara të tjera, kam qenë i shpejtë, por jo si këtë herë. Dhe më e bukura është se përmirësohet për çdo garë që bëjmë.
Dhurata ‑ Rruga drejt fitores u bë edhe më e lehtë për anglezin pas gabimit të bërë që në fillim të garës nga Sebastian Vetel, i cili e kishte nisur garën nga vendi i parë.
Pas gabimit të Vetelit në kthesë, gara u vendos përfundimisht pas strategjisë me tri ndalesa të skuadrës Red Bull. Zgjedhja e tyre më befasoi. Ndoshta kanë menduar se edhe ne do të bënim të njëjtën gjë, por kur Sebastiani gaboi, unë përfitova.
E dija që ai kishte pak benzinë dhe kur më erdhi pranë, nuk e lashë të më parakalonte, duke i mbyllur hapësirën për parakalim. Kur ai u fut në bokse për të dytën herë, mendova se çdo gjë mori fund.
Ros Brawn, nga ana e tij, është i bindur se skuadra e tij do të fitonte edhe nëse Veteli do të kishte kryesuar në fillim të garës. Sipas llogaritjeve tona, tri ndalesat nuk ishin strategjia më e mirë, ka thënë ai.
Përmirësimi ‑ Garë pas gare, puna e mirë e skuadrës po tregon forcën e BrawnGP: Nëse mendoj se ku ishim të premten dhe pastaj atë që ndodhi në garë, nuk mund të them gjë tjetër vetëm se faleminderit djem. Do të doja të përshëndesja të gjithë skuadrën dhe ti kisha të gjithë në podium.
Në Bahrein dhe në Barcelonë skuadra Red Bull ishte pranë nesh edhe për sa i përket kompetivitetit, por tani jemi një hap përpara. Unë jap gjithnjë maksimumin, por kjo garë tregoi se kemi rritje dhe makina është edhe më e mirë, ka shtuar Xhenson Baton.