E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Që nga momenti që erdhi në jetë, Kirsten Dunst dukej se ishte planifikuar për një jetë ndryshe edhe pse jo gjithmonë një jetë të mirë. Në vitet e para të jetës ajo u përball me problemin e madh të depresionit edhe pse më në fund e kaloi. Sot në moshën 29-vjeçare, pas fitores së Kanës rrëfen se si gjërat më në fund kanë marrë për mirë.
Kirsten Dunst: Kur linda mamaja ime mė tha qė jam ndryshe






Fytyra e Kirsten Dunst ishte një nga më të fokusuarat e festivalit të fundit të Kanës. Filmi i fundit i aktores “Melankolia” ishte ndër më të favorizuarit për të marrë “Palmën e Artë” derisa në një moment regjisori i tij, Lars Von Trier, deklaroi në një konferencë për shtyp se “e kuptonte Hitlerin” duke shtuar më pas se “Izraeli është një kokëçarje për të gjithë”. Dunst që bëri përpjekje të mëdha për ta qetësuar situatën dhe për ta kthyer në normalitet dhe në favor të filmit në të cilin interpretonte rolin kryesor, por nuk ia doli mbanë. Filmi pjesërisht u anulua nga shfaqjet dhe vetë Trier u përzu nga festivali.

Pas disa ditësh, Dunst fitoi çmimin e parë si aktorja më e mirë protagoniste e festivalit, pikërisht në filmin “Melankolia. Trofeun e shumëlakmuar nga aktoret më të mëdha të të gjithë botës, ajo e tërhoqi para një audience të mrekullueshme, veshur me një fustan ngjyrë pana. Ishte vetë Robert de Niro ai që ia dha çmimin dhe përgëzimet për punën e mirë që kishte bërë. Para audiencës ajo tha: “O Zot çfarë jave ka qenë!!!” Dhe pas kësaj jave me të vërtetë të nxehtë ajo vendosi që pjesën tjetër të pushimeve ta kalonte sërish në Itali, në Toskanë, një nga vendet më të bukura për të bërë turizëm, për të pushuar dhe për t’u ripërtërirë. Është shumë nxehtë në fakt, por Kirsten duket e freskët dhe e gjallë. Si zakonisht vishet sportive dhe në verë i pëlqen që të nxjerrë në pah përmes minifundeve apo pantallonave të shkurtra këmbët e bukura me të cilat krenohet shpesh. Në të njëjtin hotel ku ajo pushon ndodhet edhe De Niro. Të dy janë njohur së bashku kur Dunst pati një rol në filmin ku interpretonte edhe De Niro “Wag the Dog”. Ndërsa për sa i përket marrëdhënies së saj me Festivalin e Kanës ajo ka qenë gjithmonë një marrëdhënie me ulje e ngritje. Për herë të parë në këtë festival ajo mori pjesë 5 vjet të shkuara me filmin e Sofia Kopola, “Maria Antoneta”. Dunst luante rolin kryesor dhe për hir të së vërtetës ishte gjëja më e mirë brenda atij filmi për të cilin të gjithë kishin pasur shumë pritshmëri, por që nuk doli në fakt aq i mirë. Megjithatë, interpretimi i Dunst ishte shumë i mirë dhe për këtë ajo mori lëvdata. Megjithatë, ky film ishte vetëm nga në të shumtit në të cilat Kirsten ka interpretuar. 29-vjeçarja është “e vjetër” në industrinë kinematografike. Dunst, e cila njihet më së miri nga interpretimi që ka bërë në filmin “Spider Man”, ka thuajse një jetë të tërë që interpreton dhe është pjesë e kinemasë. Në moshën 12-vjeçare bëri edhe daljen e parë në ekranin e madh në një film me Tom Cruize dhe Prad Bitt “Intervistë me vampirin”. E ndërkohë që bëhet fjalë për vitin 1994, ajo kishte disa vite përvojë me ekranin e vogël.

“Nëna ime më ka thënë se kur unë erdha në jetë ajo pati një ndjesi të thellë se unë do të bëhesha aktore. Ajo sikur e dinte, parandiente fatin tim, karrierën dhe jetën time që do të kondicionoheshin nga ekrani i madh. Edhe njerëzit që më shihnin më thoshin shpesh që kisha një pamje dhe një lëvizshmëri të tillë të denjë për një aktore. Jam rritur me idenë se fati im është televizori dhe kinemaja. Atëherë mamaja ime mendoi se përse të mos provonte të më fuste në botën e reklamave, në mënyrë që të bënte edhe ca para që ajo mendonte se do të më duheshin për shkollën e lartë”. Dunst nuk ndien keqardhje që e ka kaluar pjesën më të madhe të fëmijërisë së saj para kamerave. “Unë kam qenë një fëmijë shumë i gjallë dhe më ka pëlqyer që të dukem. Kam qenë e hapur ndaj të gjithëve, ndaj botës, prandaj jam ndier menjëherë mirë me televizionin. Për mua ishte normale që të interpretoja e megjithatë kam qenë gjithmonë në shkolla normale dhe jam përpjekur që të jem sa më e thjeshtë edhe pse kam pasur famë që në moshë të vogël.”

E megjithatë, jo gjithmonë ajo ka qenë kaq entuziaste ndaj karrierës së saj, sidomos asaj hollivudiane. Vite më parë, ndërsa ishte duke promovuar filmin “Spider man 3” në një intervistë thoshte se kishte dyshime nëse do të donte apo jo të vazhdonte me aktrimin dhe me botën e kinemasë. Në atë kohë ndihej pesimiste dhe nuk shihte të ardhme në këtë profesion të cilin e kishte zgjedhur që në fëmijëri. “Po, ka pasur raste, madje raste të shpeshta që e kam vënë në dyshim ardhmërinë time në kinema. Në fund të fundit është diçka që na ndodh të gjithëve në profesionet tona veçanërisht kur bëhet falë për një profesion të cilin je duke e ushtruar prej në kohe të gjatë. Por gjithsesi, ia kam dalë që të vazhdoj dhe të gjej sërish kuptimin e gjërave dhe kënaqësinë e të interpretuarit. Aktualisht për shembull jam në humor të mirë me veten dhe në marrëdhënie të mirë me atë që bëj”. Por në vitin 2008, ajo ishte përfshirë nga një periudhë depresioni që e çoi madje edhe në një klinikë rehabilitimi në vitin 2008 “Shpesh kur interpretoj role më qëllon që të zhytem thellë në to dhe kjo është diçka që edhe mund të të krijojë probleme dhe lëndime. Kam qenë gjithmonë shumë kërkuese ndaj jetës, shpesh e ashpër dhe hera-herës edhe e dhunshme për të bërë sa më mirë gjithçka, por kam mësuar që ta dua më shumë atë çka jam, ta fal veten dhe ta lë të lirë e të pushojë kur është e nevojshme. Kjo më ka bërë mirë, më ka qetësuar”. Edhe pse i është dashur që të luftojë me “fantazmat “ e saj, Dunst sot duket me të vërtetë mirë nga pamja e jashtme dhe gjendja shpirtërore. Në lidhje me filmin “Melankolia”, ajo rrëfen se ishte me fat që në momentet e xhirimit ishte mirë shpirtërisht, sepse nëse nuk do të kishte qenë e lumtur nuk do të mund ta kishte realizuar filmin. Është një film shumë i vlerësuar dhe i diskutuar që flet për situata shpirtërore intensive, depresive. “Nuk ka shumë filma që flasin për depresionin. Sepse të shohësh njerëz depresivë nuk është diçka që të josh. Ata janë gjithmonë të lodhur, e lënë veten pas dore. Nuk duan as të flenë dhe as të hanë. Lars bëri me të vërtetë diçka të veçantë me filmin që nuk arrihet kollaj të realizohet në kinema”: e bëri depresionin interesant dhe “të shitshëm”. Von Trier është i famshëm për krijimtarinë e tij të veçantë në të cilën shpesh personazhet kryesore, femra kalojnë vuajtje të mëdha. I tillë ishte për shembull filmi “Antikrishti” ku personazhi kryesor kalon një seri të gjatë fatkeqësish dhe vuajtjesh. Në filmin “Breaking the Waves” kemi personazhin e interpretuar nga Emily Watson e cila vihet vazhdimisht nën presionin e të shoqit që e detyron të shkojë në shtrat me meshkuj të tjerë. Kemi edhe rastin e Nikol Kidmanit në “Dogvile” që përdhunohet dhe skllavërohet në mënyrë të vazhdueshme. Shpeshherë e kanë akuzuar se në filmat e tij ai shpreh një urrejtje shumë të madhe për gratë që duhet ta këtë bazën thellë-thellë në marrëdhënien e tij me të ëmën. Vetë regjisori e ka mohuar një gjë të tillë, por ndërkohë vazhdon që të torturojë të gjitha personazhet femra të filmave të tij. Vetë Dunst e kishte problem që të punonte me një regjisor që ka një prirje të tillë? “Fillimisht pata pak frikë, sepse të gjithë më thoshin se ai i torturonte aktoret në film, por e gjeta më pas këtë regjisor shumë të ndjeshëm, gazmor, shumë emocional dhe intuitiv”

“Melankolia” është portretizimi i një familjeje që nuk funksionon dhe pa dyshim që personazhi kryesor femër vuan nga depresioni. Prindërit e saj ishin të tmerrshëm dhe me të drejtë Kirsten thotë se familja për një fëmijë është shumë e rëndësishme, sepse reflekton dhe ndikon tek ajo çka jemi, ajo çka bëhemi.

Vetë Dunst ka pasur një fëmijëri të lumtur. Është rritur buzë një lumi, ka luajtur me kukulla, ka notuar në oqean. I ati ka qenë shumë strikt, shpesh i ashpër. Por me kalimin e kohës u përpoq që të zbutej, ndërkohë që e ëma kishte një sjellje më të kujdesshme. Në moshën 13-vjeçare prindërit e saj u ndanë dhe ajo e kishte ndier me kohë një gjë të tillë, sepse shumë rrallë i kishte parë së bashku të lumtur. Ndërkohë e ëma u shndërrua në forcën kryesore nxitëse për të për sa i përket karrierës kinematografike. Ajo më pas me angazhimet e saj në reklama dhe më pas në TV dhe kinema e ka ndihmuar familjen e saj ekonomikisht dhe sot e ëma jeton me gjyshen në një shtëpi të cilën ajo ua ka blerë me paratë që ka fituar. Vetë rrëfen se është e lumtur që nuk i është dashur që të mbështetet te ndonjë mashkull financiarisht, se ka qenë gjithmonë e lirë të bëjë zgjedhjet e saj edhe pse herë-herë të gabuara, por që gjithmonë i kanë shërbyer që të rritet. Për sa i përket lagjes së famshme “Beverly Hills”, ajo thotë se nuk ka dashur kurrë që të jetojë aty, sepse i duket një lagje vampirësh. “Në Los Anxhelos ndihesh si në një fabrikë gjigante gjithmonë nën presionin e famës, parave dhe rojeve”. Aktualisht ajo jeton në Nju Jork dhe ka një lidhje dashurie me një muzikant. Lidhjet e mëparshme i ka pasur zakonisht vetëm më aktorë, kolegët me të cilët ka ndarë punën dhe më pas edhe kënaqësinë. Pas suksesit në Kanë, filmi i saj pritet që të shkojë edhe në konkurrimin për çmimin “Oskar” dhe ndoshta kjo kohë do të jetë vërtet e artë dhe e qetë për Kirsten. “Mendoj se gjëja më e mirë në punën time është se e kam jetën të dokumentuar çka jo shumë njerëzve u ndodh. Ata kanë foto, ndonjë video, ndërsa unë kam kaq shumë filma në të gjitha moshat dhe kohët. Fëmijët e mi do të kenë mundësinë të më shohin teksa rritem dhe kjo është edhe për ta një dhuratë e bukur”.

Publikuar: 27.08.2011 | 10:09
Lexuar: 689 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime