Obeziteti dhe uria janë sot problemet më të mëdha me të cilat po ndeshet bota. Obeziteti është një problem social i rëndësishëm mbarëbotëror, ashtu si uria, që u merr jetën miliona të tjerëve.

Ndërsa vendet më të industrializuara të botës prej vitesh janë të shqetësuara për të zgjidhur një problem aq të madh sa obeziteti, të tjerë kanë vite që vuajnë një tjetër problem gjigant të lidhur me ushqimin: urinë. Sipas të dhënave, një e treta e njerëzimit vuan pak a shumë për shkak të ushqimit. Në shumë vende afrikane njerëzit jetojnë vetëm me një dollar në ditë dhe mijëra fëmijë humbin jetën nga mosushqyerja apo ushqimi i keq, ndërsa në shumë vende perëndimore, në krye të të cilave qëndron SHBA-ja, obeziteti është kthyer në një problem që vështirë se mund ti gjendet zgjidhja. Fushatat sensibilizuese për të konsumuar ushqim të shëndetshëm nuk reshtin, ndërkohë që në cepat e tjerë të botës njerëzit nuk kanë se çfarë të hanë. Obeziteti është një problem social i rëndësishëm mbarëbotëror, sepse nënkupton rritjen e rrezikut të sëmundjeve kronike, siç është diabeti, dhe patologjitë kardiovaskulare. Dhe, jo vetëm kaq. Pas pirjes së duhanit, është vërtetuar se obeziteti dhe mbipesha janë rreziku i dytë për shëndetin. Një realitet shqetësues, që bashkon të gjitha vendet perëndimore. Ndërkohë, obeziteti ka filluar të prekë edhe pasanikët e Europës Lindore, Kinën dhe Indinë. Jetëgjatësia e popujve perëndimorë gjatë dy shekujve të fundit ka ndryshuar shumë, me një rritje prej tre muajsh në 160 vitet e fundit. Rritja e standardit të jetesës ecën paralelisht me rritjen e jetëgjatësisë së popullsisë, duke treguar kështu një sundues të përbashkët mes këtyre dy ndryshimeve: sasinë e ushqimit, e cila gjendet në vendet perëndimore, që normalisht është më e lartë se sa në të kaluarën. Uria dhe infeksionet i kanë lënë vendin diabetit, obezitetit dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Me fjalë të tjera, edhe pse ushqim ka me bollëk, perëndimorët nuk janë ende të zotët ta përmirësojnë standardin e jetesës. Gjatë miliona vjetëve, organizmi i tyre është përshtatur të mbijetojë si gjuetar, pra duke lëvizur dhe me pak burime ushqimore, një stil jetese krejt ndryshe nga vendet lindore.
Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon të mos kalohen 5 gramë kripë në ditë. Pra, një lugë çaji kripë në ditë për të gjitha ushqimet në ujin e makaronave, sallatë, salcat e ndryshme dhe ushqimet e konservuara. Infarkti dhe iktusi së bashku vrasin çdo vit 17 milionë e gjysmë persona në botë. I njëjti numër viktimash shkaktohet nga SIDA, malaria, tuberkulozi, diabeti kanceri dhe sëmundjet respiratore kronike, të gjitha së bashku. Çdo vit në Europë, për shkak të këtyre sëmundjeve humbasin jetën 2 milionë banorë. Kjo, jo vetëm që është një masakër, por një "tragjedi" që i kushton Bashkimit Europian plot 192 miliardë euro në vit. Në 2025, një në tre persona të rritur do ta ketë presionin e gjakut shumë të lartë (do të thotë se do të jenë rreth një miliardë e gjysmë) pra, një në dy persona do të jetë obez ose në mbipeshë. Sot kemi ushqime me sasi të mëdha, e madje në shumë vende, ato më ekonomiket përmbajnë shumë kalori dhe yndyra. Bëjmë pak ushtrime fizike, puna manuale pothuajse është zhdukur, kemi veshje që na mbrojnë nga të ftohtët dhe shtëpi shumë të ngrohta ose freskuese në muajt e nxehtë. Të gjithë këta janë faktorë që ndihmojnë në reduktimin e konsumit të kalorive. Një faktor tjetër që favorizon obezitetin është pasiviteti. Pasojat janë pamjaftueshmëria absolute e vitaminave, proteinave dhe yndyrave, ose zakonet e këqija të të ushqyerit. Ushqimi i fundshekullit, kryesisht ai industrial, ka mungesë enzimash dhe vitaminash. Moda amerikane e hamburgerëve me patate të ngrohta, po e varfëron dietën e të rinjve. Në të vërtetë, ushqimi i duhur është ai i përzierë. Kështu shprehet edhe babai i mjekësisë moderne: "Konsumoni gjithçka dhe shijoni pak nga të gjitha, përveç mishit". Një raport i rëndësishëm tregon se epidemia e obezitetit që ka përfshirë sot, mbi të gjitha Perëndimin, shkaktohet nga mënyra e jetesës që bëjnë njerëzit, pra më shumë ushqim dhe pak kalori të shpenzuara. Por si individ, biologjikisht, njeriu është krijuar në një mënyrë të atillë që të ketë një jetë të vështirë si në periudhën e paleolitit.