Ajo që gazetën Shkupi e bën të veçantë dhe të rëndësishme në shumë plane, janë vetë rrethanat historike, shoqërore e politike. Këto janë vitet e fundit të Perandorisë Osmane dhe vitet e rirreshtimeve gjeostrategjike që do të pasonin me ikjet e kësaj perandorie pas pesë shekujsh nga Ballkani.
Sot më 29 gusht mbushem plot 100-vjet nga dalja e numrin të parë të gazetës Shkupi, kjo gazetë jo vetëm që i përcillte me vëmendje ngjarjet që i paraprinë zgjimit dhe vetëdijesimit kombëtar, por edhe me një entuziazëm të madh informonte lidhur mbi ngjarjet politike që po zhvilloheshin në planin e brendshëm kombëtar e rajonal, dhe në lëvizjet diplomatike në arenën ndërkombëtare që ishin vendimtare për fatet e shteteve dhe popujve. Megjithëse, dalja e kësaj gazete ishte jetëshkurtër (29 gusht 1911 3 tetor 1912), prapëseprapë, nëpërmjet artikujve të ndryshëm, ajo pati qëllim dhe në masë të madhe ia doli të luante rolin e një zëdhënëseje popullore të ngjarjeve që po zhvilloheshin në një nga periudhat më vendimtare për fatin e popullit shqiptar. Kjo gazetë, para së gjithash paralajmëronte lexuesit se në Vilajetin e Kosovës, duhej të sillen vendime të rëndësishme për kulturën, arsimin dhe të ardhmen e shqiptarëve, gjegjësisht Shqipërisë.
Ajo që gazetën Shkupi e bën të veçantë dhe të rëndësishme në shumë plane, janë vetë rrethanat historike, shoqërore e politike. Këto janë vitet e fundit të Perandorisë Osmane dhe vitet e rirreshtimeve gjeostrategjike që do të pasonin me ikjet e kësaj perandorie pas pesë shekujsh nga Ballkani. Janë rrethanat e sferave të ndikimit dhe aspiratave të shumë shteteve ndaj tokave shqiptare, që ishin në shpërputhje me synimet historike të vetë shqiptarëve. Ishte, pra, një udhëkryq për Ballkanin dhe popujt e shtetet tjera, një udhëkryq për vetë popullin shqiptar në prag të krijimit të shtetit të vet. Në këto rrethana, veprimtarët e atëhershëm që u gjetën në ballë të lëvizjes kombëtare, gjykuan drejtë kur e panë të arsyeshme se botimi i një gazete do të ishte me rëndësi të jashtëzakonshme për propagandimin e ideve të asaj lëvizjeje. Botimi i gazetës Shkupi, duhej ta vetëdijësonte masën për atë lloj veprimi politik e ushtarak për ti parandaluar me sukses synimet pushtuese të shteteve fqinje dhe për të shmangur rrezikun e shkombëtarizimit. Lëvizja Kombëtare Shqiptare shtroi para vetes detyra që nëpërmjet hapjes së shkollave dhe botimit të një gazete në gjuhën shqipe në kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës, në Shkup, tu rezistojë këtyre synimeve.
Gazeta Shkupi është e rëndësishme nga shumë aspekte. Ajo është e rëndësishme nga vetë aspekti gjeografik i tokave shqiptare, sepse doli në Shkup dhe mbante emrin e këtij qyteti, duke bërë kështu një nga qendrat e lëvizjes dhe shikuar nga këndvështrimi i sotëm, është një argument i fortë për synimet e shqiptarëve në këto troje. Rëndësia tjetër është për vetë gazetarinë shqiptare, që zhvillimi i shtypit në këto troje, nuk është shumë pas zhvillimit të shtypit në vendet tjera. E treta, gazeta Shkupi është e rëndësishme për mendimin politik autentik shqiptar, pasi synimeve popullore u jep krahë përmes qasjes intelektuale të problemeve që atë kohë shikoheshin në këndvështrim të interesave kombëtare në kontekst edhe të konstelacioneve gjeopolitike, pra, në drejtim të raporteve të interesave të perandorive e shteteve me ndikim që vendosnin për fatin e popujve më të vegjël.
Kur të shfletohen sot faqet e gazetës Shkupi, nuk ke si të mos shprehësh keqardhje se idealizmi i veprimtarëve të asaj kohe që me mendime e tyre mbushnin faqet e gazetës Shkupi nuk u realizuan siç synonin, porse nga ana tjetër, është kënaqësi që sot, pas 100 vjetësh, dëshmohen se ato ideale nuk u shterrën kurrë, jetojnë në shpirtin liridashës të shqiptarëve.