Ana ime e errët ka marrë përmasa jashtëzakonisht të mëdha, këndonte Amy Winehouse, në vitin 2003, në albumin e saj të parë muzikor, me të cilin bëri famë dhe para. E ndërsa shkaku i vdekjes së saj nuk është konfirmuar zyrtarisht, dihen përpjekjet dhe lufta e saj e vazhdueshme për tu shkëputur nga varësia e alkoolit fillimisht dhe më pas drogës. Ndaj të shumtë janë ata që besojnë se ndoshta Amy ishte viktimë e zakonit të saj që e mori më qafë.

Por a i keni bërë ndonjëherë pyetje vetes se përse një person pi në mënyrë të vazhdueshme dhe shkatërrimtare, në disa raste për vite e vite të tëra, dhe nuk shndërrohet në vartës të alkoolit, dhe të tjerë për shumë pak gota, krijojnë varësi të jashtëzakonshme, derisa shkatërrojnë prej tyre familjen, karrierën dhe anën sociale? E tillë ishte edhe Amy, që në fillim me një gotë verë, dhe më pas e shndërroi këtë zakon në një varësi që në më të paktën e rasteve, ia uli reputacionin para të gjithëve. Përse vallë ka njerëz që mund gjithë jetën të pinë herë pas here ndonjë cigare kur ua ofrojnë dhe nga ana tjetër, ka të tjerë që sapo e vënë në gojë herën e parë, nuk arrijnë që ta largojnë më, duke i shtuar numrin e paketave përditë? Bëhet fjalë për disa prej varësive më të mëdha në këtë botë, pra alkooli dhe nikotina. Është një çështje dhe një pyetje që është rrotulluar në mënyrë të vazhdueshme në mendjet e ekspertëve, mjekëve dhe psikologëve për dhjetëra vjet dhe ndaj së cilës janë dhënë herë pas here shpjegime jo rrallë edhe me bazë shkencore. Po çfarë është zbuluar deri më tani në lidhje me të krijuarit e varësive njerëzore? Ndërkohë që varësia, në mënyrë natyrale ka lidhje me alkoolin dhe nikotinën, a është gjithçka që mund të themi në këtë mes? A mund të themi se në fakt, njeriu mund të krijojë varësi ndaj gjërave të ndryshme, pra nuk ka të bëjë vetëm me alkoolin dhe nikotinën, por me vetë natyrën njerëzore në fund të fundit?
Sipas disa mjekëve, një varësi nis me ekspozimin ndaj alkoolit apo duhanit apo objekteve të tjera. Zakonisht ekspozime të tilla ndodhin në ambiente sociale, mes grupeve të miqve dhe shokëve dhe fillimisht nuk bëhet fjalë për një përvojë të këndshme. Dhe pas kësaj here të parë, vjen edhe ajo që quhet periudha e provës, pra nëse një individ krijon apo jo varësi ndaj alkoolit dhe duhanit. Sipas psikologëve dhe mjekëve, drogat e llojeve të ndryshme, duke futur këtu edhe alkoolin dhe duhanin, kanë efekte nxitëse dhe trupit i pëlqejnë trillet në të cilat i fut mendja. Sa herë që bie në kontakt me subjektin e varësisë, aq herë rritet edhe dëshira për të qenë në gjendjen e shkaktuar nga pasojat e ikjes së alkoolit, apo duhanit. Në këto rrethana, herë pas here lind edhe varësia psikologjike ose thjesht varësia. Është pikërisht ky moment, studimi i të cilit ka rezultuar i suksesshëm deri më tani, duke bërë që të krijohen një sërë mjetesh dhe metodash për të shkëputur varësinë e njerëzve ndaj objekteve të varësisë. E megjithatë, ende nuk dihet mirë se cili është shkaku, apo mekanizmi i shkaktimit të varësisë dhe se ky nuk është një fenomen që ndodh te të gjithë. Janë të shumtë ata që pinë dhe vetëm disa prej tyre arrijnë që të krijojnë varësi. Gjatë luftës së Vietnamit, kur ushtarët amerikanë merrnin shumë heroinë, pra drogoheshin për të përballuar situatat e rënda dhe kasaphanën e luftës, ekzistonte një shqetësim te mjekët dhe ata që dhanë urdhër për një veprim të tillë, se mos ndoshta në përfundim të saj do të ishte shumë e vështirë për këta ushtarë që të shkëputeshin nga varësia e drogës. Në fakt, kur ata u kthyen në shtëpi nuk kishin mundësi që të gjenin aq kollaj heroinë. Së dyti, kushtet në të cilat ndodheshin nuk ishin ato të luftës, por të paqes, pra edhe nevoja për konsumimin e heroinës nuk ishte e madhe dhe një pjesë e tyre nuk krijuan varësi, por ecën përpara me jetët e tyre, duke e bërë të huaj përvojën që kishin pasur gjatë luftës. Të tjerë e patën më të vështirë që të shkëputeshin dhe vetëm një pjesë e vogël u shndërrua në konsumator të heroinës fillimisht dhe më pas edhe të drogave të rënda. E njëjta gjë vlen edhe për ata që vuajnë nga kanceri. Këtyre të sëmurëve, për të përballuar dhimbjet, ndonjëherë u jepet opium. Pas sëmundjes, nëse arrijnë që të mbeten gjallë, pjesa më e madhe nuk ka asnjë lloj varësie nga opiumi dhe vazhdon jetën dhe vetëm një pjesë vazhdon varësinë. Bëhet fjalë gjithnjë për një pjesë shumë të vogël.
Në një moment të tillë, mjekët mbeten pa shumë shpjegime në dispozicion të publikut, sepse ata nuk po arrijnë që të përcaktojnë tiparet e një modeli të caktuar që kondicionon varësinë te disa persona dhe mungesën e saj te persona të tjerë. Një studim i gjatë që është zhvilluar me 500 persona në vitin 1940, për të eksploruar përse disa njerëz krijojnë varësi dhe disa të tjerë nuk e krijojnë, zbuloi se nuk kishte tipa personalitetesh konsistentë, si në rastin e parë ashtu edhe në rastin e dytë. Ndërsa një studim tjetër pretendon se ka faktorë risku të tillë, si ata biologjikë, psikologjikë dhe socialë. Të tjerë shkencëtarë kanë zbuluar se ata që shndërrohen në persona me varësi kanë mungesë aftësie trunore për të rikthyer një situatë, pas një ndërhyrjeje, në një situatë të mëparshme. Ata që kanë varësi humbasin aftësinë që të prodhojnë njëlloj elementi trunor që quhet LTD dhe që është thelbësor për zhvillimin dhe mbajtjen e kujtimeve të reja. Sipas studimeve të bëra nga skandinavët, tregohet se fëmijët e alkoolistëve, edhe ata që janë adoptuar madje, dhe jo fëmijë të drejtpërdrejtë biologjikë, kanë shumë më shanse që të shndërrohen në përdorues të alkoolit apo të duhanit në krahasim me fëmijët, prindërit e të cilëve nuk e kanë këtë varësi. Në këtë rast, sugjerohet se nuk është i rëndësishëm shumë komponenti gjenetik, por ai i mënyrës së jetesës dhe i ndikimit të zakoneve të prindërve te fëmijët. Një tjetër faktor risku është ai i traumës psikologjike. Braktisjet fëmijënore, abuzimet apo keqtrajtimet në fëmijëri janë shpesh histori të fëmijëve që kanë probleme me alkoolin dhe drogat. Tjetër faktor është humbja e punës apo humbja e njerëzve të dashur që i bëjnë disa njerëz që ta mbysin dhimbjen me alkool apo me drogë. Edhe në këtë rast, mund të ketë një lidhje me faktorin biologjik, për shembull mund të ketë në organizëm një mungesë e substancave që të bëjnë të ndihesh mirë siç janë serotonina dhe dopamina, të cilat, pas ngjarjeve traumatike, të tilla si divorci apo vdekjet, mund të reduktohen në organizëm në mënyrë të ndjeshme. Ndërsa risqet sociale përfshijnë lehtësinë me të cilën gjenden në shoqëri alkooli, cigarja apo qoftë edhe droga, pra lehtësia e të pasurit akses në këto substanca, sidomos nga ana e të rinjve.
E gjithë tërësia e informacionit për situatat e varësisë i ndihmon mjekët dhe shkencëtarët që të kompozojnë objektivat e tyre për masat parandaluese që duhet të marrë çdo shoqëri për të shmangur sa më shumë që të jetë e mundur lehtësinë e pasjes së drogave dhe pijeve alkoolike nga të miturit veçanërisht dhe të rinjtë.