Andie MacDowell nuk ka humbur asnjë gram nga sharmi me të cilin në vitet 80 kishte fituar si top modele, kopertinat e revistave më të famshme, duke pasur buzëqeshjen si armën më të fortë.
Sa më shumë e sheh në sy, aq më tepër kujton dhe kupton se disa prej filmave me të cilët u bë një aktore simbol e viteve 90, janë tashmë ikona të komedisë sentimentale.
Andie, imazhi historik i LOréal, aktualisht është 53 vjeçe, dhe nuk nguron të tregojë se kohët e fundit, kinemaja i ka munguar. Madje shumë. Por tani, për të ka ardhur momenti i duhur për tu kthyer. Ndaj nuk dëshiron që ta lërë këtë rast ti iki nga duart. Përveçse është nënë në jetën reale (ka tre fëmijë, përkatësisht 24, 21 dhe 16 vjeç), këtë rol do të ketë edhe në film.
Komedia romantike Monte Carlo, që prej pak ditësh ka dalë në Europë (protagoniste aktoret e reja Selena Gomez, Leighton Meester dhe Katie Cassidy) po i hap një jete të re në ekranin e madh. Në shkurt, do ta shohim edhe në muzikalin Footlose që prej pak kohësh ka përfunduar së xhiruari. Kam më pak probleme në punë tani se sa kur isha 40 vjeçe, shpjegon MacDowell, që ka shkuar të jetojë në një fermë në Karolinën e Veriut, afër Asheville.
Hollivudi është gjithmonë në kërkim të imazheve të reja dhe i fiksuar nga nevoja për të zbuluar çdo javë nga një divë të re. Për veteranët si puna ime, vjen gjithmonë momenti kur producentët dhe regjisorët të shohin dhe nuk dinë më çtë bëjnë me ty, si të përdorin. Por, pasi mbush 50 vjeç, ja që për ne artistet gjithçka ndryshon për mirë. Tani producentët e dinë shumë mirë se çfarë roli mund të më besojnë: atë të nënës së një 20-vjeçareje. Andie, që flet pa emocione, tregon: Duhet të jemi gjithmonë të hapur mendërisht dhe mbi të gjitha, të shmangim arrogancën e divës që dikur ishte në modë, ndërsa tani nuk është më. Njoh shumë kolege të mia të bllokuara në momentin e lavdisë, që i ka bërë të famshme. Unë nuk kam ndalur kurrë.
Më pëlqen ideja të evoluoj, vazhdimisht. Po Monte Carlo? Është një film shumë argëtues, i xhiruar mes Parisit, Budapestit dhe Sardenjës, përveç disa skenave edhe në Los Anxhelos. Ai tregon historinë e tri vajzave amerikane me pushime në Francë, një prej të cilave, Selena, shkëmbehet për një trashëgimtare të pasur angleze. Të tria gjenden në një mal me telashe në Monte Carlo. Në njëfarë pike unë them një batutë, që shpreh gjithë kuptimin e filmit. Kur ime bijë, në krizë të plotë identiteti, më tregon dëshirën për të vizituar Parisin, unë e paralajmëroj: Të dua për atë që je. Shko në Paris, por dije që Parisi nuk do të transformojë në një tjetër. Mendoj se ky është mesazhi më i mirë që një nënë do të përcjellë. Ajo pranon se janë të njëjtat fjalë që do tu thoshte edhe fëmijëve të saj. Sigurisht, si nënë u besoj instinktit të tyre dhe përpiqem të projektoj tek ata aspiratat e mia. I kam ndjekur shumë nga pas kur kam qëndruar larg kinemasë.
Por është mirë që fëmijët të kenë pavarësinë e tyre. Ne prindërit duhet ti ndihmojmë të bëhen të përgjegjshëm për talentet që kanë. Por asnjëherë nuk duhet të shqetësohemi për atë që bota pret nga ta. Thjesht duhet të bëjnë atë që duan vetë. Andie është rritur vetë në këtë mënyrë. Kur isha e re, isha shumë e lezetshme dhe nuk e pata të vështirë të nisja punën si modele. Pastaj kur më kërkuan të bëja aktoren në Greystoke, u ndjeva shumë e pasigurt, por gjithsesi e provova. Por jo të gjitha gjërat kanë shkuar vaj. Kam pasur edhe unë momentet e vështira, atëherë kur mendoja se të gjithë mund të thoshin: Andie MacDowell është fotozhenike, por jo aktore e mirë. Pikërisht në këtë moment u gjenda në udhëkryq, të vazhdoja para apo të kthehesha pas. Nuk u dorëzova dhe u përpoqa me mish e me shpirt për tia dalë mbanë. Sot mund të them se jam krenare për gjithçka që kam arritur me forcën e vullnetit.
Ajo është protagoniste edhe në serialin e ri televiziv, Jane by design, që do të dalë në SHBA në vitin 2012. Është një komedi, ngjarjet e të cilës zhvillohen në fushën e modës. Ajo luan rolin e drejtoreshës së revistës, njësoj si Meryl Streep te Djalli vishet me Prada. Një rol vërtet argëtues. Kur e pyet pse nuk lodhet kurrë me modën dhe kozmetikën ajo përgjigjet: E si mundem. Prej 25 vjetësh punoj me LOréal dhe më kërkojnë ende. Ajo është bota ime. Andie i kushton shumë rëndësi edhe trupit. Mendoj se është e rëndësishme për gratë, pavarësisht moshës, të ndihen tërheqëse, të ndjekin modën, e të përdorin produkte që përmirësojnë pamjen e tyre. Personalisht e adhuroj LOréal jo sepse vazhdon të më zgjedhë mua si imazh, por edhe pse qëndron gjithmonë në avangardë të biznesit të bukurisë, pa lënë pas dore edhe gra që nuk janë më të reja si Jane Fonda apo Diane Keaton në reklamat e saj.
Në fakt ekziston një bukuri që nuk ka kohë, që duhet vlerësuar dhe çdo fushatë publicitare që e thekson këtë, më kënaq. Kam mundur të kuptoj nga afër se si kompania studion produktet e saj. Ata më përfshijnë gjithmonë tek idetë e reja dhe kjo më duket shumë e rëndësishme. Bukuroshja Andie tregon se kur nuk punon, i pëlqen shumë qetësia. Kam zgjedhur të banoj në Karolinën e Veriut, afër Asheville, në një zonë të qetë. Kam një tokë të madhe në Blue Ridge Mountains ku dua të ndërtoj shtëpi të bëra me material ekologjik. Tani që fëmijët janë rritur, kam më shumë kohë për veten. Më pëlqen të bëj joga, kjo më qetëson, të shëtis nëpër pyje dhe të kalëroj. E konsideroj veten një grua të lumtur. Jam modele, aktore dhe nënë dhe e shikoj të kaluarën me të njëjtin entuziazëm që shoh të ardhmen.