Sot nga informatat e fundit nga drejtoria e pyjeve dhe agjencioni për mbrojtje dhe shpëtim, kemi informacion se zjarri është lokalizuar 85 për qind por ende 15 për qind ka rrezik dhe presim se si do zhvillohet më tutje.
Zjarret përsëri u shfaqën. Zonat më kritike janë ajo e Manastirit, Radovishit dhe Velesit. Probleme u paraqitën edhe në rrethinën e Shkupit. Drejtori i Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, Shaban Saliu thotë se zjarri ka qenë afër Markov Manastirit.
Problematike ishte dita e djeshme pasi që kishim zjarre në më shumë pikë, në më shumë komuna të shtetit. Më specifik ishte zjarri në fshatin Osinçan të Shkupit ku kanosej rreziku që të digjet Markov Manastiri, por, me intervenimin në kohë të drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim dhe me angazhimin e dy aeroplanëve, zjarri krejtësisht u shua, deklaroi Shaban Saliu, drejtor i agjencisë për mbrojtje dhe shpëtim.
Edhe në Komunën e Zhelinës pjesa më e madhe e zjarrit u lokalizua.
Megjithatë, kryetari i komunës thotë se situata po ndiqet me vëmendje.
Prej dje si duket është rikthyer zjarri në territorin e Komunës, është dëmtuar një hapësirë prej 4 hektarësh, por nuk është mal me dru sepse janë prerë paraprakisht në atë pjesë.
Sot nga informatat e fundit nga drejtoria e pyjeve dhe agjencioni për mbrojtje dhe shpëtim, kemi informacion se zjarri është lokalizuar 85 për qind por ende 15 për qind ka rrezik dhe presim se si do zhvillohet më tutje.
Nëse do ketë ndonjë përhapje do kërkojmë nga drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim ngritjen e aeroplanëve, tha Fatmir Izairi, kryetar i komunës së Zhelinës.
Në korrik kishte 252 zjarre, ndërsa në dy javët e para të gushtit, 103. Pjesa më e madhe e zjarreve pyjore janë shkaktuar nga njerëzit.