Një delegacion nga Fakulteti Ekonomik i Suboticës, i kryesuar nga dekani, Prof.dr.Nenat Vunjak, përfaqësuesi i OSBE-së për Kosovën Lindore, Jeron de Vries dhe këshilltari i tij Bob Din dhe kryetari i komunës së Bujanocit Shaip Kmberi, e vizituan Universitetin Shtetëror të Tetovës.
Një delegacion nga Fakulteti Ekonomik i Suboticës, i kryesuar nga dekani, Prof.dr.Nenat Vunjak, përfaqësuesi i OSBE-së për Kosovën Lindore, Jeron de Vries dhe këshilltari i tij Bob Din dhe kryetari i komunës së Bujanocit Shaip Kmberi, e vizituan Universitetin Shtetëror të Tetovës.
Delegacioni lartpërmendur, në USHT u prit nga Rektori i USHT-së, Prof.dr.Agron Reka, i shoqëruar nga Prorektori për shkencë Prof. dr. Reshat Qahili, Prorektori për financa, Prof.dr.Serafim Tomovski, Dekani i Fakultetit Ekonomik, Doc.dr. Petrit Pollozhani dhe Shefja e Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë, zonjusha Valdrina Fetai.
Rektori i USHT-së, Prof.dr.Agron Reka, pasi u uroi mirëseardhje, delegacionin e lartpërmendur e njohu me zhvillimet më të reja në Universitet, si dhe parapërgatitjet për fillimin e vitit të ri akademik 2011/2012.
Në Universitetin tonë, në të gjitha fakultetet dhe programet studimore kemi filluar me regjistrimin e studentëve të rinj, në studimet deridiplomike, për vitin e ri akademik dhe ky proces zhvillohet me sukses dhe deri më tani në kuadër të afatit të parë të regjistrimit kanë aplikuar mbi 3500 kandidatë të rinj, tha rektori Prof. dr.Agron Reka në fillim të takimit.
Po ashtu, rektori i USHT-së mysafirët i njoftoi edhe për bashkëpunimin institucional dhe akademik që Universiteti ynë ka ndërtur me universitetet nga vendi, rajoni dhe arena ndërkombëtare.
Qëllimi kryesor i takimit ishte nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëpunim në mes Fakultetit Ekonomik të USHT-së dhe Fakultetit Ekonomik të Suboticës që funksionon në kuadër të Universitetit të Novi Sadit.
Kjo marrëveshje parashikon bashkëpunim ndëruniversitar në realizimin e përbashkët të programeve studimore të parapara për studime akademike themelore, diplomike, studimeve akademike të masterit dhe studimeve të doktoratës, realizimin e mobilitetit të studentëve të të dy institucioneve në programet studimore përkatëse, angazhim të mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve me qëllim të realizimit të programeve studimore të përcaktuara dhe të akredituara, shkëmbim të materialit studimor dhe informacioneve me interes të ndërsjellë dhe literaturës profesionale, librave dhe publikimeve universitare, pjesëmarrje në projekte kërkimore shkencore, si dhe në fusha të tjera të rëndësishme.
Është me rëndësi të theksohet se kjo marrëveshje i hap rrugë angazhimit të profesorëve të Fakultetit Ekonomik të USHT-së, në studimet e disperzuara të Fakultetit Ekonomik të Suboticës në Komunën e Bujanocit. Marrëveshja për bashkëpunim akademik u nënshkrua nga dekani i Fakultetit Ekonomik të USHT-së, Doc.dr.Petrit Pollozhani dhe dekani i Fakultetit Ekonomik të Suboticës, Prof. dr. Nenad Vunjak.