Gjatë bisedës, dy presidentët shprehën të njëjtin interes që përmirësimi i marrëdhënieve midis dy vendeve të mos mbetet vetëm në nivelin e vullnetit dhe dëshirës së mirë, në zhvillimin e takimeve apo në përpjekjet për përmirësimin e kuadrit ligjor, por të fitonte një përmbajtje konkrete.
Në kuadër të punimeve të Samitit të 9-të Rajonal të UNESCO-s të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore, Presidenti Bamir Topi është takuar me homologun e tij serb, Boris Tadiç. Në këtë takim, presidenti Topi theksoi edhe një herë qëndrimin e shtetit shqiptar për Kosovën.
Çështja e statusit të Kosovës dhe kufijve të saj është për ne një çështje e mbyllur dhe Shqipëria mbështet plotësisht tërësinë territoriale të Kosovës në kufijtë e saj aktualë të njohur ndërkombëtarisht. Shqipëria mbështet bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë për çështje praktike, si dy shtete të pavarura dhe sovrane në dobi të përmirësimit të jetës së qytetarëve në të dy vendet, nënvizoi kreu i shtetit.
Kreu i shtetit shqiptar, vuri në dukje se marrëdhëniet me Serbinë përbëjnë prioritet me rëndësi të politikës rajonale të Shqipërisë, e cila synon të ndërtojë me Serbinë raporte të mira dhe konstruktive, në interes reciprok të dy vendeve. Dialogu politik, institucionalizimi i marrëdhënieve, kalimi nga kontaktet sporadike në vendosjen e një komunikimi të përhershëm, do të krijonte një klimë të qëndrueshme mirëbesimi dhe sinqeriteti mes nesh, u shpreh Topi.
Gjatë bisedës, dy presidentët shprehën të njëjtin interes që përmirësimi i marrëdhënieve midis dy vendeve të mos mbetet vetëm në nivelin e vullnetit dhe dëshirës së mirë, në zhvillimin e takimeve apo në përpjekjet për përmirësimin e kuadrit ligjor, por të fitonte një përmbajtje konkrete.
Presidenti Topi theksoi gjithashtu rëndësinë e respektimit të të drejtave të shqiptarëve, të cilët jetojnë në Jug të Serbisë, të drejta si ajo e arsimimit, e barazvlerësimit të diplomave, asistenca shëndetësore, librat në shqip, etj. që përkojnë me standardet demokratike evropiane.