Burime qeveritare thonë se të martën mund të pritet ndoshta një vendim nga qeveria, por epilog të qartë dhe të sigurt nuk ka. Ajo që është e qartë, është fakti se pa kapërcimin e mosmarrëveshjeve, puna e komisionit ngec, e bashkë me të, mund të ketë edhe vonesë të afateve të procesit të regjistrimit.
Regjistrimi i popullsisë mbetet në udhëkryq. Letra që komisioni shtetëror për regjistrim i dërgoi Qeverisë, ende nuk ka një përgjigje.
Mbledhja më e afërt e ekzekutivit, gjithmonë nëse do ta marrë në shqyrtim letrën, është të martën, dhe vetëm këtë ditë pritet të shihet një përgjigje.
Komisioni shtetëror pati kërkuar disa herë ndërhyrjen e politikës, për të kapërcyer dallimet e shfaqura brenda tij, mes anëtarëve shqiptarë dhe maqedonas.
Burime qeveritare thonë se të martën mund të pritet ndoshta një vendim nga qeveria, por epilog të qartë dhe të sigurt nuk ka. Ajo që është e qartë, është fakti se pa kapërcimin e mosmarrëveshjeve, puna e komisionit ngec, e bashkë me të, mund të ketë edhe vonesë të afateve të procesit të regjistrimit.
Nga qeveria janë shprehur optimistë disa herë se mosmarrëveshjet do të sheshohen dhe regjistrimi nuk do rrezikohet. Problemet në komision u paraqitën rreth propozimit për strukturën e regjistruesve që parashikonte zëvendësimin e konceptit të dy bashkësive më të mëdha etnike në nivel shtetëror, me strukturën e ndërtuar prej bashkësisë më të madhe etnike në nivel rajonal të regjistrimit, që nënkupton nivelin e Komunës përkatëse.
Në tërë këtë situatë, PDSH-ja kërkon që regjistrimi i popullsisë në Maqedoni të mbahet mes 15 dhe 30 korrikut të vitit 2012. Për PDSH-në është i papranueshëm afati 1 deri më 15 tetor i këtij viti, pasi mërgimtarët janë kthyer në vendet ku punojnë, dhe atyre u mohohet kështu e drejta e regjistrimit.
Sipas PDSH-së, kjo do të ndikojë dukshëm në uljen e numrit të përgjithshëm të shqiptarëve. Për partinë shqiptare në pushtet BDI-në, kërkesa e PDSH-së për shtyrjen e procesit të regjistrimit është e pabazë.
BDI thekson se mërgimtarët do të regjistrohen, nga familjarët e tyre që jetojnë në Maqedoni. Për BDI-në, tetori i këtij viti përkon edhe me rekomandimet e bashkësisë ndërkombëtare.
Shkëlzen Aqifi, Alsat-M